Tregu, liria dhe krizat ekonomike
Selami Xhepa*
Zhvillimet e kohëve të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare, mundësitë reale të shndërrimit të saj në një krizë ekonomike, duke çuar në recesion ekonomik global, por mbi të gjitha, veprimi i paprecedentë për dimensionet e saj në historinë e sektorit bankar lidhur me “shtetëzimet” masive të bankave private, kanë ngjallur një debat interesant jo vetëm mes ekonomistësh, por mbi të gjitha një debat filozofik lidhur me vetë qëndrueshmërinë e sistemit kapitalist. Globalkapitalizmi, siç e cilëson në artikullin e tij profesori i nderuar S. Pëllumbi (Panorama, 3 nëntor) gjendjen e sotme të ndërvarësive të ekonomive kombëtare me organizim kapitalist, ndodhet në një krizë të vërtetë të platformës filozofike në të cilën ajo mbështetet. Eshtë pra e nevojshme, që të punohet për një platformë të re filozofike dhe veprime politike që do të na çojnë drejt një kapitalizmi ndryshe, një kapitalizmi të denjë për qytetarin global të shekullit të njëzetenjëtë. Po çfarë e bën këtë krizë të veçantë në dallim nga krizat e tjera? Në një punim voluminoz (This Time Is Different: A Panoramic View Of Eight Centuries Of Financial Crisis) të Reinhart dhe Rogoff (Mars 2008), dy studiues të mirënjohur të Zyrës Kombëtare për Kërkime Ekonomike (NBER), një think tank mjaft prestigjioze, është bërë një dokumentim historik i të gjitha krizave financiare përgjatë tetë shekujve të fundit. Autorët kanë analizuar në veçanti episodet e krizave që datojnë që nga fillimi i viteve 1800 (luftërat napoleonike), krizat e viteve 1830-1850; kriza e viteve 1870-1880, krizën e madhe të viteve 1929 dhe që vazhdoi thuajse pandërprerë deri pas Luftës së Dytë Botërore, për të ardhur në kohët e sotme me krizën e fundit të viteve ‘80, dhe me episodet e shumta të krizave të viteve ‘90 dhe të krizës së ditëve të sotme, 2007-2008. Ajo që konkludojnë autorët është se kriza e ditëve të sotme vështirë se mund të cilësohet si diçka e ndryshme nga herët e tjera. Përgjatë historisë, konflagracionet globale, të filluara nga një vend, janë shndërruar në faktor të rëndësishëm që ka gjeneruar falimentime në shkallë të gjerë të ekonomive të vendeve të ndryshme të botës. Pikërisht kjo ka formësuar evoluimin e ekonomisë si një histori ciklesh ekonomike, ku periudhat rënëse marrin formën e krizave me nivele të ndryshme të ashpërsisë së tyre. Edhe këtë herë, vështirë se ka ndonjë argument për të thënë se këtë herë është ndryshe nga herët e tjera. A janë atëherë krizat, përfshi dhe krizën e ditëve të sotme, prova të dështimit të tregut dhe të filozofisë që ka në zemër të saj lirinë e forcave të tregut? Le të ndalemi pak më hollësisht tek kjo çështje e tregut dhe raporteve të saj me lirinë e individit dhe ndërhyrjen shtetërore, parë në këndvështrimin e teorisë ekonomike.
Teoria ekonomike, ose siç etiketohet rëndom, ekonomiksi, në të gjithë shfaqjet e tij moderne, përqendrohet tek tregu. Në një botë të cilën tregu është një aspekt sekondar i jetës, shkenca ekonomike në kuptimin që ne i japim sot asaj, nuk do të ekzistonte – shkruan Galbraith te “Historia e Ekonomisë”. Nga ana tjetër, vetë ekzistenca dhe zhvillimi i tregut, evolucioni i tij drejt përsosmërisë dhe perfeksionimit nuk do të mund të materializohej në kushtet e mungesës së lirisë së agjentëve - qytetarëve, bizneseve dhe grupeve të ndryshme të interesave – për të bërë zgjedhje të lira, të vullnetshme dhe të informuara. Kjo marrëdhënie apo ndërvarësi që krijohet midis këtyre tre komponentëve - ekonomiksit si shkencë, tregut dhe lirisë - është tashmë plotësisht e dallueshme po të hedhim një vështrim pas, në mungesën totale të zhvillimit të teorisë ekonomike në sistemin komunist.
Joseph Shumpeter na jep tek “Historia e analizës ekonomike”, - një vepër monumentale për gjakftohtësinë, kthjelltësinë, thellësinë e mendimit dhe ashpërsinë e kritikës së evolucionit të mendimit ekonomik dhe të personazheve që bënë epokë me veprat e tyre – një argument të plotë të ilustrimit të tezës që parashtrova më sipër. E gjithë teoria ekonomike bolshevike u përqendrua vetëm në validimin dhe interpretimin e teorisë marksiste dhe çdo ide shihej vetëm në kritere ideologjike për t’u kualifikuar si promarksiste ose reaksionare. Asgjë nuk na ka ofruar mendimi i shkollës ruse gjatë 70 viteve të sundimit komunist. Një prirje e tillë, madje ka deformuar jo pak herë edhe vetë teorinë marksiste. Vetë Marksi do të kishte pohuar se nuk e dinte nëse ishte edhe vetë një marksist!
Parë në optikën e mësipërme, tregu, liria dhe demokracia mund të konsiderohen si shtrati ku zhvillohet teoria ekonomike, si prekuizita pa të cilat nuk mund të ketë zhvillim të mendimit ekonomik shkencor, madje në të njëjtën masë që janë të rëndësishme për këtë të fundit, edhe vetë gjendja dhe funksionimi i ekonomisë në një epokë të dhënë historike.
Magjia dhe mrekullia e teorisë ekonomike që fillon tek Smithi qëndron pikërisht te zbulimi që ai i bëri tregut, fuqisë së tij. Fjala “zbulim” në këtë rast nuk do të thotë se tregu nuk kishte ekzistuar më parë. Por, siç ka thënë Prusti, të zbulosh gjëra të reja nuk do të thotë të vizitosh vende të reja, por t’i shikosh ato me një sy të ri. Dhe Smithi ishte i pari që lexoi qartazi dhe me thjeshtësi atë në të cilin njerëzit kishin jetuar prej kohësh, por pa qenë në gjendje të dallonin ligjësitë e funksionimit të tij dhe pushtetin e tregut mbi fatet e njerëzimit.
Që prej zbulimit të tij më shumë se dy shekuj e gjysmë më parë, tregu dhe liria janë rritur progresivisht dhe në një korrelacion pozitiv midis tyre. Por siç ndodh rëndom me histori suksesesh, jo rrallë ndodh që fenomenet të bëhen viktima të suksesit që ato vetë kanë krijuar. Në këtë logjikë, edhe tregu është bërë shpesh viktimë e suksesit të tij. Madje, ironia më e madhe qëndron pikërisht te fakti se triumfi i tij mbi sistemin e ekonomisë së centralizuar erdhi në momentin kur skepticizmi mbi tregun ishte në kulmin e vet. Kujtojmë për një moment panoramën trishtuese të botës kapitaliste të fundviteve ’80: një SHBA të kërcënuar për falimentim për shkak të borxheve rrënuese të Amerikës Latine, një Evropë Perëndimore të tronditur jo vetëm nga kriza ekonomike, por dhe nga terrorizmi ndërkombëtar; një treg financiar global që ndodhej në një krizë të thellë dhe të pandeshur deri atëherë në analet e historisë; një botë kapitaliste që dukej e tronditur në themelet e saj. Madje, analistët perëndimorë mund të vinin baste se kur pritej të ndodhte dhe Shembja e Madhe. Dhe Shembja e Madhe ndodhi, veçse ishte e kundërta e asaj që pritej. Triumfi i kapitalizmit në fund të viteve ‘80-të shënoi dhe “Fundin e Historisë” në kuptimin që na jep Fukayama, si një konkluzion se tregu është forma përfundimtare në kuptimin e organizimit të sistemit ekonomik dhe demokracia perëndimore si formë e organizimit politik dhe shoqëror. Por natyrisht që edhe vetë Fukajama nuk thotë se bota nuk do të ndeshet me kriza të tjera ekonomike, konflikte me baza etnike apo probleme të krijuara nga përhapja e terrorizmit ndërkombëtar. Por këto episode nuk do të jenë në gjendje të zhbëjnë konkluzionin themelor të “fundit të historisë”.
Eshtë e pamundur që në një shkrim të gjurmojmë historinë gati tre shekullore të evolucionit të tregut, lirisë së individit dhe shtetit. Isaiah Berlin e ka përmbledhur në një mënyrë shumë të fuqishme thelbin e qëndrimeve të shkollave dhe rrymave të ndryshme filozofike:
Secila shkollë i jep përgjigjet e veta problemeve të ndryshme. Liberalët besonin në fuqinë e pacak të arsimit dhe të moralitetit racional si mjete për të zhdukur mjerimin ekonomik dhe pabarazinë sociale. Socialistët, përkundrazi, besonin se pa përmbysjen rrënjësore në shpërndarjen dhe kontrollin e pasurisë, asnjë ndryshim i rëndësishëm dhe madje kurrfarë ndryshimi nuk mund të ndodhte në mendjet dhe zemrat e njerëzve. Konservatorët dhe socialistët besonin në fuqinë dhe ndikimin e institucioneve dhe i shohin ato si të domosdoshme për të mbrojtur shoqërinë prej kaosit, padrejtësive dhe mizorive të shkaktuara nga idealizmi i shfrenuar; anarkistët, radikalët dhe liberalët i shohin këto institucione si pengesa për realizimin e asaj shoqërie të lirë (dhe gjithashtu racionale, sipas pikëpamjes së shumicës prej tyre) që njeriu, në saj të vullnetit të tij, është në gjendje të konceptojë dhe të ndërtojë një shoqëri të lirë...” (Idetë filozofike të shekullit të njëzetë dhe katër ese për lirinë (fq. 82).
Ky gjurmim mund të dallohet po të përmendim shkollat më të fuqishme dhe korifenjtë e mendimit të kohës: Epoka smithiane kishte në qendër tregun, kejnsianizmi e rriti rolin e shtetit; monetarizmi e pranon rolin e shtetit (megjithëse shpeshherë ai është i dëmshëm) por i jep një rol parësor individit dhe tregut. Ndërsa sot, për shkak të epokës së turbulencave në të cilën po jetojmë, - siç e përcakton Greenspan, - ne jemi edhe më shumë eklektikë se më parë. I ashtuquajturi “Konsensusi i Uashingtonit” me trinomin e vet: liberalizim/derregullim/ stabilizim, i zgjeroi kufijtë e lirisë së tregut dhe të individit në dimensione të papara ndonjëherë në historinë e njerëzimit. E bashkë me to u rritën prosperiteti dhe mirëqenia e shoqërisë njerëzore. Kurrë ndonjëherë shoqëria njerëzore nuk ka qenë më e pasur dhe më e begatë se gjatë dy dekadave të fundit. Por në të njëjtën kohë, kurrë më parë në histori ngjarje që mund të ndodhnin mijëra kilometra larg nesh, e kanë ndikuar jetën tonë kaq shpejt dhe me kaq forcë, sa ç’po ndodh tani. Kjo është koha e “turbulencave” për të cilën flet Greenspan. Kjo i dha shtysë edhe të ashtuquajturit “post Washington Consensus” të përmbledhur mjeshtërisht në punimet e Dani Rodrik dhe Rikardo Hausman. Pra, teoritë përfaqësuese janë ngritur në mënyrë dialektike duke reflektuar prioritetet me të cilat është përballur shoqëria njerëzore në këto epoka.
Ky vështrim historik e filozofik i raporteve të tregut, lirisë, demokracisë, shtetit dhe teorisë ekonomike, na ndihmon të kuptojmë sfondin e zgjedhjes së politikave ekonomike për shoqërinë tonë në rrugën e saj drejt të ardhmes. Liria e individit, tregu dhe shteti duket se qëndrojnë sot në një marrëdhënie jo aq të lehtë e të rehatshme midis tyre. Nuk ka dyshim se në raportin midis një shteti të ekspertëve që mund të planifikojnë dhe të menaxhojnë gjithçka, apo një shteti të individëve “të lirë që të zgjedhin” – siç e cilëson nobelisti Fridman, preferenca është për të dytën. Por, nga ana tjetër, sa më shumë që rritet ekspozimi i shoqërisë përballë tregut, sa më shumë që tregu ndërkombëtarizohet, rriten si eksternalitetet ashtu dhe imperfeksionet (apo dështimet) e tij. Për rrjedhojë, ruajtja e stabilitetit dhe kohezionit social, kërkon përpunimin e instrumenteve dhe politikave të reagimit adekuat në mbrojtjen e grupeve shoqërore që ndikohen negativisht nga këto tendenca e prirje ndërkombëtare. Në këtë kuptim, politikat e ndjekura së fundmi nga lidershipi politik global mund të konsiderohen në thelbin e tyre si socialiste, por në analizë të fundit ato mbeten politika pragmatike. Nuk do të mund të justifikohej dhe përligjej një politikë tjetër, thjesht në emër të mbrojtjes së parimeve filozofike. Ndërkohë, shoqëria duhet të përgatitet të jetë në gjendje të reformojë sistemin në mënyrë që të balancohen interesat e shoqërisë dhe grupeve të tjera të interesave. Natyrisht që ka një literaturë në rritje në shpjegimin e komplikacioneve që krijohen në realitetet e sotme ekonomike, të tipit principal-agjent dhe të dëmtimit moral (moral hazard). Ka gjithashtu dhe një panel ndërkombëtar ekspertësh për të reformuar arkitekturën e sistemit financiar global, për ta bërë sistemin më imunitar dhe më akomodues ndaj krizave që natyrisht do të vazhdojnë të jenë prezent në skenën e ekonomisë botërore në mënyrë të përhershme.
Pikërisht kjo filozofi liberale ishte në thelb të lulëzimit të ekonomisë botërore përgjatë gjithë historisë së vet, por në veçanti gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Historia na dëshmon se sa më shumë është zgjeruar hapësira për sipërmarrjen private, aq më shumë është rritur edhe prosperiteti i shoqërisë njerëzore.
Sigurisht, të rëndësishme në jetë nuk janë vetëm rezultatet, por edhe proceset. Dhe proceset duhet të kenë një bazë të fortë etike. Mirëqenia është e rëndësishme, por po aq të rëndësishme janë edhe liria dhe drejtësia. Prandaj, alternativat e diskutuara në termat ekonomike duhet të mbështeten gjithashtu edhe me reflektimet etike. Fatkeqësisht në jetë nuk mund t’i kemi të gjitha. Ndoshta, siç e thotë Berlin, akoma duhet të zbulojmë në mendimin e shoqërisë sonë se sa shumë padrejtësi ajo është e gatshme të paguaj për të qenë më mirë ekonomikisht.
*Këshilltar i kryeministrit