E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, studentët bojkot mësimit: Ndryshoni rregulloren e re

 

VLORE - Studentët e Vlorës bojkotojnë sërish mësimin. Në pritje të plotësimit të kërkesave të tyre, ata vijojnë të kundërshtojnë rregulloren e re të universitetit. Në takimin e djeshëm me zv/rektorin, Engjëll Lika, 300 studentë i kërkuan të mos eksperimentohet në universitetin e tyre kjo rregullore. Mësohet se në takimin e djeshëm, ata kanë rënë dakord në ndryshimin e orarit, si dhe anulimin e mësimit ditëve të shtuna. Por me gjithë këmbënguljen, zv/rektori rrëzoi kërkesën për leksionet fakultative. Rregullorja e re parashikon, që orari mësimor të zgjasë nga ora 08:00-20:00. Ndërkohë studentët kërkojnë mësimin me turne, pasi njërën pjesë të ditës e duan të lirë. Kjo për shkak se shumë prej tyre, krahas shkollës punojnë. Rregullorja parashikon gjithashtu, që të gjithë ata që kanë lëndë të mbartura t’i ndjekin ato me frekuentim. Edhe kjo pikë kundërshtohet. Fryma e krijuar tek studentët dhe kundërshtia e hapur e rregullores së Universitetit të Vlorës, e ka shtyrë zv/rektorin, Lika, të aludojë se ata janë të nxitur nga pedagogët e tyre për të protestuar. Konflikti mes rektorit dhe dekanes së Eko-nomikut, bëri që Lika të aludojë, duke pyetur studentët për shkakun se pse numri më i madh i protestuesve vjen nga ky fakultet.        q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›