E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet tavani, plagoset mësuesja

 

KURBIN/ ROLAND NIKOLLI

Nxënësit e klasës së katërt në Shullaz të Kurbinit janë tmerruar, kur fare papritur mësueses, që po u shpjegonte mësimin i ra tavani në kokë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:30. Nexhmie Ahmeti është dëmtuar rëndë, pasi masivi i suvasë iu rrëzua përsipër, duke i shkaktuar dëme serioze në kokë, por edhe në trup. Copat e tavanit prekën edhe disa fëmijë, që ishin ulur në bankat e para, por për fat të mirë, asnjëri prej tyre nuk pësoi lëndime. Kjo ngjarje mbërtheu për minuta të tëra në panik 26 nxënësit e fillores. Klasa u mbush me mjegull, ndërsa fëmijët mezi mundën të dallonin mësuesen e rrëzuar dhe të gjakosur. Ulërimat e nxënësve tërhoqën vëmendjen e arsimtarëve të tjerë, që japin mësim në godinën njëkatëshe. Ata i dhanë ndihmën e parë të plagosurës. Sipas policisë së Kurbinit, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë, Nexhmie Ahmeti, ishte duke shpjeguar mësimin në turnin e pasdites, kur ajo është plagosur. “Një sipërfaqe mbi 8 metra katrorë e tavanit është shembur, duke rënë mbi kokën e mësueses, e cila është plagosur rëndë”, bënë të ditur burimet policore. Mësues të tjerë të shkollës 9-vjeçare pohuan, se copat e tavanit kanë kapur edhe disa nxënës, midis të cilëve edhe fëmija i mësueses që u plagos. Por fatmirësisht nuk është dashur ndërhyrja e mjekëve për ta. Ata përjetuan panik në momentin e ngjarjes, sidomos kur panë mësuesen të përgjakur. Megjithë goditjen e marrë, Ahmeti iu ka kërkuar nxënësve të vraponin jashtë. Në tentativë për t’u larguar edhe vetë, ajo është ndihmuar prej kolegëve të saj, të cilët e nxorën me shpejtësi nga klasa, pasi nga momenti në moment mund të shembej ndonjë pjesë tjetër e tavanit. Banorë dhe kolegë të saj e dërguan fillimisht mësuesen e plagosur në spitalin e Laçit, por bluzat e bardha konstatuan se plagët e saj ishin të rënda. Pasi i dhanë ndihmën e parë, mjekët e dërguan me urgjencë në spitalin ushtarak të Tiranës për një trajtim më të specializuar. Në vendin e ngjarjes mësohet se mbërritën ekspertë nga policia dhe prokuroria e Laçit, drejtori i Drejtorisë Arsimore, Pashk Syziu dhe kryetari i komunës Milot, Vlash Gega. Kreu i arsimit, Syziu u shpreh për godinën se “ishte në projektet e para për ndërhyrje në këtë shkollë të Kurbinit”. Ai shtoi se duke filluar që nesër (sot) mësimi do të vijojë sërish në këtë shkollë. Nxënësit që u ndodhën në klasën, ku u shënua ngjarja rrëfyen momentin, kur mësuesja e tyre u godit nga masivi i tavanit. Ndonëse ende në panik, nxënësja A.M., pohoi se “E pamë veten midis mjegullës e gjakut që i rridhte mësueses. Kujtuam se i gjithë tavani do të shembej. Filluam të ulërinim nga frika dhe kërkuam ndihmë. Megjithëse e përgjakur, mësuesja arriti të na thoshte të dilnim shumë shpejt nga klasa. Kemi frikë të futemi sërish në shkollë”, tha nxënësja e klasës së katërt, e cila pohoi se vetë ishte ulur diku nga bankat e mesit. Shkolla nëntëvje-çare e Shullazit me rreth 400 nxënës, punon në dy turne. Një pjesë e nxënësve udhëtojnë nga fshati Dilbnishtë për të zhvilluar mësim, pavarësisht se një muaj më parë, një fondacion zviceran ngriti një shkollë në këtë fshat. Por për shkak të numrit të kufizuar të fëmijëve, ata vijojnë të shkojnë në Shullaz.

Kryekomunari: Shpëtuan nxënësit

Kreu i komunës së Milotit, Vlash Gega pohoi se: “Kjo shkollë është rikonstruktuar 15 vjet më parë. Sipas tij, në klasën ku ndodhi ngjarja, nuk kishte pasur më parë ndonjë shenjë plasaritjeje në tavanin e saj. “Masivi i suvasë ndodhi papritur pa u vënë re ndonjë shenjë e mëparshme”, u shpreh Gega. “Ne e kemi pasur në projektet tona për të kryer edhe ndërhyrje sa më parë të ishte e mundur, por mungesa e buxhetit ka bërë, që të mos përfshihet në rikonstruksion”, vijoi më tej kreu i komunës. Sipas tij, muret e shkollës janë në gjendje të mirë, ndërsa problematike janë vetëm dyert dhe dritaret, si dhe suvatimet të cilat duhen rikonstruktuar. “Jam njoftuar dhe menjëherë jam nisur për tek shkolla ku ndodhi ky incident. Është plagosur vetëm mësuesja, por për fat të mirë, nxënësit përveç panikut, shpëtuan pa plagë”, u shpreh Gega në lidhje me ngjarjen e djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›