Arrestohet kirurgu i onkologjikut
Dashamir Biçaku
Arrestohet me akuzën e korrupsionit shefi i Kirurgjisë në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Agim Karaj, 55 vjeç, ka rënë në prangat e agjentëve të sektorit antikorrupsion pas një hetimi disa mujor ndaj tij, ku u provua dyshimi se ai merrte ryshfet nga pacientët. Kirurgu i onkologjikut akuzohet për korrupsion dhe mitmarrje të personave që kryejnë funksione publike. Arrestimi ndodhi dje në afërsi të një bar-restoranti të njohur në “Rrugën e Dibrës” rreth orës 17:30, kur një fugon policie ndaloi mjekun dhe i komunikoi vendimin e arrestit. Menjëherë ai është futur në fugon dhe më pas është dërguar në ambientet e zyrës së tij në spital, pasi hetuesit do të ushtronin kontroll aty. Pas kontrollit në zyrën e të arrestuarit, hetuesit kanë marrë mjekun dhe më pas janë nisur në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku edhe i kanë komunikuar ndalimin në kushtet e flagrancës. Mjeku mësohet se ka qenë prej disa javësh nën vëzhgimin e agjentëve dhe oficerëve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Burimet zyrtare pohojnë se kirurgu, shefi i këtij pavijoni në Spitalin Onkologjik, është një nga mjekët më të mirë të këtij shërbimi. Hetuesit thanë se edhe specialistët e kësaj fushe kanë qenë të paktë, ndaj te kirurgu i arrestuar duket se ka pasur një dyndje pacientësh. Sipas burimeve të policisë, Agim Karaj kryente një numër të konsiderueshëm operacionesh në ditë, ndërsa për një ndërhyrje dyshohet se ai merrte së paku 50 mijë lekë të reja, deri në shuma që shkonin në 1 mijë euro. Pas ndalimit nga policia, atij i është kryer një kontroll në banesë, ku hetuesit kërkuan prova dhe sende në interes të dosjes penale. Gjatë kontrollit të kryer në zyrën e tij në spitalin civil, motra dhe vëllai i mjekut kanë qenë të pranishëm. Reagimi i tyre ka qenë tepër i ashpër, duke mos u pajtuar me veprimet e efektivave të policisë. “Një person që i ngjante shumë, vëllai i mjekut, godiste murin me pëllëmbë, - tha një dëshmitar për gazetën “Panorama”. E motra iu drejtua efektivëve të policisë duke iu ulëritur “çfarë policësh jeni që kryeni veprime të tilla arbitrare”. Gjithsesi uniformat blu kanë vijuar duke kryer veprimet në lidhje me këtë çështje. Policia tha se hetuesit kanë siguruar gjatë kohës së ndjekjes së mjekut, regjistrime filmike dhe kanë marrë dëshmi nga persona konkretë që kanë pasur probleme shëndetësore që janë trajtuar nga kirurgu Karaj. Ai është marrë në pyetje dje në mbrëmje dhe ka pohuar se ka vepruar gjithmonë duke ndihmuar pacientët.