E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një skemë të re financimi për universitetet

Romeo Gurakuqi 

Reforma në arsimin e lartë,  filluar me ligjin mbi arsimin e lartë dhe aktet e tjera nënligjore, nuk do të mund të konsiderohet e plotësuar, në stadin aktual, pa një riorganizim të ri të sistemit të mbështetjes financiare shtetërore për këtë sistem dhe pa reforma të mëtejshme ndërlidhëse në sistemin parauniversitar. Këto reforma duhet të kryhen si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë financiar.Ndërtimi i një skeme të re është një nismë e rëndësishme që thërret vëmendjen e të gjithëve, për ndryshimin e gjendjes, për ndryshimin e sistemit të financimit të arsimit dhe përputhshmërinë më të madhe të burimeve të akorduara shtetërore, me realitetin dhe nevojat e reja. Kjo sepse sistemi aktual arsimor do të vazhdojë të jetë i pakuruar plotësisht në skemën aktuale, e nuk do t’i shërbejë më shoqërisë sonë, në qoftë se reformimi nuk do të jetë shumëdimensional. Në qoftë se do të vazhdohet me skemën aktuale, nuk do të mund të krijohet dot një sistem efikas, një sistem konkurrencial, një sistem i përshtatur mirë nevojave të shoqërisë, një sistem jo formal (megjithë përpjekjet e mëdha e serioze të bëra nga MASH), por i përshtatur sfidave të shoqërisë dhe interesit përparues të publikut. Vazhdimi i skemave aktuale të financimit do të thotë që rruga e nisur me kuadrin e ri ligjor të mos jetë funksionale, ose e thënë ndryshe, ndërtesës së re të mos i vendosen ushqyesit energjetikë materialë. Në këtë mënyrë, ne edhe më tutje, do të jemi një vend i parëndësishëm në fushën e edukimit, sistemi universitar shtetëror do të vazhdojë krizën e vet të papërputhshmërisë dhe formalizmit, sistemi universitar privat do të jetojë me zigzage, vende-vende edhe piramidale, do të jetë edhe mjaft i ndëshkuar nga pseudouniversitetet private, si dhe nga presioni absurd i universiteteve shtetërore periferike dhe qendrore të degraduara dhe nga presioni i individëve që “përfaqësojnë” shtetin. Duhet thënë se disa universitete private janë vërtetë për t‘u lavdëruar dhe kanë krijuar një autoritet të jashtëzakonshëm në publik, ndërsa disa të tjera po i dëmtojnë me imazhin e tyre formal.
Ndërtimi i një skeme të re financiare përbën një operacion shumë kompleks, që duhet të ndërtohet me shumë kujdes profesional nga specialistë të arsimit dhe të financës. Kjo skemë duhet të artikulohet në një spektër shumë më të gjerë, gjë që kërkon përqendrim, përkushtim dhe saktësim që duhet të bëhet në kohë. Pa këtë skemë, ligji i arsimit të lartë nuk do të mund ta kryejë me efikasitet dot funksionin për të cilin është ndërtuar.
Disa konstatime dhe disa zgjidhje për reformimin e financimit të arsimit të larë:
 1. Shteti, kujdesin për arsimin e ka ndër përgjegjësitë e veta, dhe kujdesi i shtetit për arsimin në përgjithësi dhe atë universitar në veçanti, është në të mirë të kryerjes së funksionit të tij alokativ ndaj shërbimeve dhe të ardhurave. Realiteti shqiptar i vitit 2008 është një realitet krejtësisht i ndryshëm nga realiteti i Shqipërisë, kur janë ndërtuar dhe vënë në funksionim skemat aktuale alokuese të fondeve të arsimit të lartë. Këto skema, nuk mund t’i përshtaten kuadrit të ri ligjor dhe institucional të arsimit të lartë të vitit 2008 dhe perspektivave të një vendi të hapur tashmë ndaj tregut të lirë.
2. Sistemi universitar nuk është i shkëputur nga sistemi  parauniversitar. Kësisoj reforma në këtë nivel nuk mund të shkëputet dot nga krijimi i disa kushteve minimale zhvillimore dhe përgatitore në këtë nivel parauniversitar. Skema do të duhet të parashikojë paragrafë të caktuar për orientimin e një pjese të studentëve që kryejnë shkollat e mesme në shkollat parauniversitare teknike. Vëmendja në këtë drejtim do të duhet të përqendrohet në furnizimin e degëve të studimit universitar që shoqëria ka nevojë, me kuadro cilësorë në një masë të rëndësishme. Njëkohësisht skema duhet të ketë parasysh kujdesin shtetëror për rindërtimin e gjimnazeve të klasit të parë dhe shkollave të mesme pedagogjike dhe teknike shembullore, gjë që kërkon një alokim fondesh të rëndësishme të buxhetit të shtetit në këtë drejtim.
3. Skema e re e shpërndarjes së fondeve të buxhetit shtetëror për arsimin e lartë duhet të qartësojë se shteti financon: 1. Studentin; 2. burimet njerëzore pedagogjike dhe shkencore 3.; infrastrukturën universitare pedagogjike dhe kërkimore; 4. kërkimin shkencor. Jo pa qellim kam vendosur një renditje të skemës financuese, e cila aktualisht mendoj se nuk e ka këtë pozicion. Duhet të kihet parasysh se shteti nuk mund të vazhdojë edhe më tutje të financojë universitete jo bashkëkohore, degë që nuk i shërbejnë tregut të sotëm shqiptar dhe struktura të demoduara dhe formale.
Shteti nuk mund të vazhdojë të financojë me forma barazimtariste studentët shqiptarë, pa marrë parasysh: a. nevojat e shoqërisë për studime të orientuara; b. pa marrë parasysh mbështetjen e studentëve cilësorë; c. studentëve nga shtresat e margjinalizuara etj. Por nga ana tjetër, financimi shtetëror nuk mund të reduktohet i orientuar vetëm nga studenti. Universitetet publike normalisht që do të mbështeten edhe më tutje nga shteti, por ato në të njëjtën kohë do të duhet të shndërrohen në organizma konkurrenciale të një Shqipërie që po përpiqet të ndryshojë njëmendësisht e të integrohet në Evropë. Universitetet tona duhet të synojnë të shndërrohen në organizata vetëfinancuese, që stimulojnë cilësinë e shërbimit (mësimdhënien bashkëkohore, kërkimin shkencor dhe kualifikimin efikas të kuadrit, përmirësimin e infrastrukturës). Ata duhet të shndërrohen në organizata konkurruese në treg, jo të privilegjuara, ndërsa  universiteteve private duhet t‘u mundësohet hapja e rrugëve që të përthithin të gjitha kategoritë e studentëve që vijnë nga sistemi i arsimit të mesëm, dhe jo vetëm mbetjet e universiteteve shtetërore, apo një pakicë studentësh që kanë vlerësuar me të drejtë mundësinë përparimtare që kanë hapur disa universitete private elitë.
4. Duhet të stimulohen universitetet private, por në ç’kuptim dhe si? Ato duhet të kthehen në institucione private në shërbim dhe interes të publikut, dhe do të duhet të konsiderohen të tilla dhe jo të lihen jashtë sferës së interesit të shtetit. Është e nevojshme që mbështetja e këtij sektori të jetë e menduar mirë, ashtu sikurse edhe zgjerimi i mëtejshëm i këtij sektori të mos lihet jashtë kontrollit. Momentalisht unë mendoj se, procesi i zgjerimit të mëtejshëm duhet të vihet në kontroll. Çdo universitet i ri duhet të lejohet vetëm mbas garancive të forta financiare të bllokuara në bankë dhe garancive akademike dhe programore. Unë mendoj se, kuadri i sotëm ligjor është i pamjaftueshëm për ta përshtatur shërbimin e universiteteve private nevojave të shoqërisë. Ky kuadër ligjor nuk arrin të kontrollojë; a. procesin e krijimin në skema financiare të pabazuara të sistemit privat; b. nuk shmang tronditjet që mund të sjellë çdo krizë që shoqëron normalisht një shoqëri tregtare (përderisa ato universitete kanë të njëjtin kuadër funksionimi); c. përderisa shteti nuk u garanton studentëve, që studiojnë në këto institute, mbrojtjen e kurseve të tyre të studimit nga tronditjet individuale të institucionit dhe profesorëve në këto institucione qëndrueshmërinë e punësimit bazuar në të njëjtët parametra matës së punës pedagogjike dhe kërkimit shkencor.
Ndaj në mënyrë emergjente shteti duhet të parandalojë që funksionimi i brendshëm i universiteteve private të ndërtohet mbi skemat e një SHPK-je, por mbi skemat e çdo institucioni të mirëfilltë arsimor dhe kërkimor shkencor. D.m.th., funksionimi i brendshëm duhet t’i nënshtrohet normave të menaxhimit pedagogjiko-shkencor, Kodit të Punës së RSH-së. Në këto universitete kontrolluesit e paketës financiare nuk mund të imponojnë zgjidhjen e problemeve të mirëfillta universitare, nuk mund të përcaktojnë orientimet e teknicienëve të arsimit të lartë, por e kundërta: ata do të duhet t’u përgjigjen kërkesave të teknicienëve drejtues dhe nevoja të misionit, për të cilin është themeluar institucioni i arsimit të lartë dhe interesave të publikut. Skema e administrimit financiar duhet të bazohet mbi skemat e organizatave, instituteve që të ardhurat e brendshme i riciklojnë në funksion të përmirësimit të shërbimeve të brendshme, dhe jo qëllimeve të biznesit e larg qoftë, të pastrimit të parave. Për këtë duhet që me një ligj të veçantë të gjendet një skemë e përshtatshme ligjore, që të ndajë funksionin jofitimprurës nga ai fitimprurës, bazuar në shembujt analogë të vendeve demokratike perëndimore. Por njëkohësisht, procesi i shndërrimit të universitetit nga SHPK në një organizma jofitimprurës, ose siç njihen në praktikën anglo–saksone  “charity”, nuk duhet të kryhet menjëherë, por përmes një periudhe tranzitore që u jep mundësi këtyre organizatave të shlyejnë detyrimet ndaj të tretëve, detyrime që kanë të bëjnë me kreditë e ndryshme të marra nga bankat dhe individët (le të themi një periudhë 3-vjeçare moratoriumi).
      5. Shteti është rregullator dhe interesohet para së gjithash për ente publike dhe fondet e tij nuk mund të zhvendosen në ndihmë të privatëve. Privatëve duhet t’u jepet liria dhe mundësia për të konkurruar në treg, dhe duhet t’u hiqet  diskriminimi. Kjo po. Në këtë drejtim hapi i parë do të ishte defiskalizimi i universiteteve jopublike. Ky është një proces i domosdoshëm, por do të duhet të shoqërohet paralelisht me shndërrimin e tyre në organizata jofitimprurëse në shërbim të publikut, që vjelin të ardhura për të rritur shërbimin e brendshëm dhe pagimin më të mirë të stafit dhe ndërtimin më të mirë të infrastrukturës.
6. Për sa i përket financimit të zërit: student - është e nevojshme të kalohet nga një financim barazimtarist, në një skemë të re që po përkufizohet në debate të ndryshme “skema e financimit aktiv”. Shoqëria shqiptare e vitit 2008 duhet të vendosë pazgjidhshmërisht theksin në dy përparësi; a. në nevojën që paraqesin fëmijët e saj studentë dhe; b. në meritat që paraqesin fëmijët e vet studentë. Për këtë është e nevojshme që shteti të ketë të qartë se shoqëria, bazuar në kriteret e lartpërmendura të nevojës dhe aftësisë, ashtu në mënyrë të vetvetishme është e ndarë në tre kategori studentësh:
a. Studentët që vijnë nga shtresat e varfra të shoqërisë, e cila sipas një përllogaritjeje paraprake përbën nga 30-40 % të popullsisë, dhe ndaj të cilës shteti e ka detyrë të padiskutueshme financimin e plotë me bursë (tarifë shkollimi plus shpenzime jetese) gjatë gjithë periudhës normale të studimit.
b. Kategoria e dytë përbëhet nga studentë e shkëlqyer (me fillesë nga gjimnazet e ekselencës), që në vlerë mesatare ky numër shkon si rregull nga 5-10 % e totalit të studentëve. Për këto studentë shoqëria duhet të kujdeset që për financimin e plotë të studimeve në universitete dhe degë prioritare.
Ndërsa “elita e elitës” duhet domosdoshmërish të financohet nga fondi i ekselencës (fokusi i financimit të këtij fondi do të duhet të ndryshojë) për të vazhduar studimet në një liste universitetesh të shquara, të listuara nga MASH: (Oxford, Cambridge, LSE, Kings College, KF-UNIGRAZ, Stanford University, Harward University, Penn State University, etj.).
c. Kategoria e tretë nuk bën pjesë në asnjë prej këtyre kategorive, është një kategori normale, jo ekselente dhe jo e varfër e shoqërisë. Ajo kategori e zgjedh vetë degën apo universitetin, paguan koston e edukimit dhe mban përgjegjësinë vetë për rezultatet. Shoqëria nuk ka asnjë arsye të financojë edukimin e tyre. Ata i kanë mundësitë vetë për një gjë të tillë. Llogaritet që pjesa që mbetet bën pjesë në këtë grupim për sa i përket përqindjes. Ata duke paguar për arsimimin e tyre do të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e totalit të parave, që vihen në dispozicion nga shoqëria, (përmes parasë publike e drejtpërdrejtë nga individët). Kështu, duke realizuar të gjithë objektivat sociale apo të interesit publik, ne gjithashtu do të kemi vënë në dispozicion të arsimit shumë më tepër para. Kjo përbën bazën për një ngitje cilësore të ofertës universitare.
E gjithë kjo ndarje na imponon ne të dalim tek ideja e “ÇEKUT TE STUDIMEVE”: Shteti me një procedure të veçantë verifikuese, për të cilën do të duhet të mendohet në detaje, duhet të përcaktojë madhësinë e “Çekut të Studimeve” që duhet të japë kategorive të sipërshënuara dhe studentët të vendosin vetë se ku do ta harxhojnë atë, në një universitet shtetëror, publik, apo në një universitet privat në shërbim të publikut. Në këto kushte sistemi universitar vendoset në kushte konkurrence në një treg për të fituar studentët.
7. Ka disa degë, të cilat në vite dukshëm shfaqen të papreferura nga maturantët. Por ato i duhen shoqërisë dhe nevojave të vendit. Koncepti ‘disiplina studimi për të cilat nuk ka treg’ në fakt, më duket se i jep një funksion shumë pa zemër dhe krejt kapitalist dimensionit alokativ të shtetit, kështu që ky term do të duhet të zëvendësohet: ‘fusha studimore për të cilat shoqëria ka nevoja urgjente, të mëdha dhe në të cilat kërkesa është e ulët’. Këtu unë përshij si prioritare mësuesinë e ciklit të parë, të Matematikes, të Fizikes, të Kimisë, Biologjisë, si dhe përgatitjen e specialistëve të fushave të shkencave humanitare dhe albanologjike.
8. Ka disa degë të tjera, të cilat mbeten prej vitesh të preferuara për maturantët por për to “koncepti degët dhe disiplinat me treg” duhet ndryshuar në: “Disiplinat për të cilat shoqëria ka nevojë për përmirësimin e cilësisë dhe në të cilat ka ofertë të madhe në treg, por cilësi të dobët shërbimi”. ‘Degët e mbingopura’, para së gjithash jurisprudenca duhet të reformohet tërësisht në programet shkollore, në cilësinë e kuadrit dhe në mbylljen e numrit të studentëve. Përthithja e kuadrit përkatës të përgatitur në universitetet e mirënjohura perëndimore dhe eliminimi nga mësimdhënia e kuadrit të paspecializuar të jurisprudencës diktatoriale dhe asaj të përgatitur në shkollat e sforcuara të korrespondencës të periudhën postdiktatoriale, përbën një domosdoshmëri dhe emergjencë për të kapërcyer krizën jo vetëm në sistemin e edukimit në drejtësi, por edhe krizën që po kalon sistemi i drejtësisë.
9. Së fund për këtë radhë: Skema do të duhet të propozojë përveç financimit shtetëror të studimeve që shoqëria ka nevojë, edhe rroga shumë të mëdha dhe të diferencuara për mësuesit e matematikës, fizikës dhe kimisë, për t’i bërë tërheqëse këto degë në universitete, si dhe rroga shumë të larta për mësuesit e gjimnazeve të ekselencës në disa qytete kryesore, mësues të rekrutuar mbi bazën cilësisë së shërbimit të kualifikuar që ofrojnë.
Lajmi i ardhur nga Kosova mbi mungesën e akreditimit të universiteteve private, në fakt do të duhet lexuar jo me gëzimin dritëshkurtër të dikujt për vlerësimin në bllok të ngjashëm në Shqipëri, por si një shembull që pasqyrimin e parë do ta ketë në nevojën për një akreditim të kujdesshëm, serioz dhe të bazuar në përmasën e padallimtë të shtetit ligjor, të të gjithë sistemit universitar shqiptar.
*Prof Dr. Romeo Gurakuqi
është anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›