E Diel, 1 Nëntor 2026

Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara

Projektligji

Neni 13
Subjektet qiramarrëse të tokave bujqësore të pakultivuara
Subjekte të qiramarrjes së tokave bujqësore të pakultivuara janë personat fizikë e juridikë, vendas dhe të huaj, që shprehin interes, me shkrim, për këtë veprimtari, pranë komunës dhe /ose bashkisë përkatëse.
Shprehja e interesit përmban përshkrimin e veprimtarisë bujqësore që subjekti do të kryejë. Subjekti qiramarrës ka për detyrim ta përdorë tokën bujqësore në përputhje me praktikat e mira bujqësore dhe të shfrytëzimit të saj, sipas përcaktimeve të neneve 16, 17 dhe 18, të ligjit nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”.

Neni 14
Mënyrat e dhënies me qira tokave bujqësore të pakultivuara
Mënyrat e dhënies me qira tokave bujqësore të pakultivuara janë:
a) pa ankand, në rastin kur paraqitet një kërkesë e vetme;
b) me ankand, në rastin kur paraqitet më shumë se një kërkesë.

Neni 15
çmimi minimal i dhënies së tokës me qira
çmimi minimal, për dhënien me qira të tokës bujqësore të pakultivuar, të jetë 30% më i ulët se vlera e qirasë vjetore të tokave bujqësore, të përcaktuar në pikën 2, të vendimit nr.830, datë 28.12.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e llogaritjes së vlerës vjetore të qirasë së tokave bujqësore, pyjore, me bimë pyjore, livadheve dhe kullotave, pasuri shtetërore”.

Neni 16
Pagesa e qirasë
Qiramarrësi paguan vlerën e qirasë për çdo vit pranë komunës dhe/ose bashkisë. Pagesa e parë bëhet me nënshkrimin e kontratës, pagesat e tjera bëhen mbas çdo viti.

Neni 17
Përdorimi i të ardhurave të krijuara nga qiradhënia
Të ardhurat, që krijohen nga qiradhënia e tokave të pakultivuara, ndahen, si më poshtë vijon:
a) 80 për qind, në dobi të pronarit apo poseduesit të ligjshëm të tokës; nga shuma e së cilës komuna dhe/ose bashkia mban vlerën e taksës vjetore mbi tokën;
b) 20 për qind, në dobi të komunës dhe/ose bashkisë për mbulimin e shpenzimeve administrative që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
Rregullat për administrimin dhe shpërndarjen e këtyre të ardhurave përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›