Digjet natën shkolla e fshatit, 360 nxënës pa mësim
Digjet shkolla 9-vjeçare e fshatit Rrëmenj në Pogradec, pezullohet mësimi për 360 nxënës. Zjarri mendohet të ketë rënë rreth orës 02.00 të mëngjesit, por sinjalizimi është dhënë me vonesë, vetëm kur disa banorë të zonës kanë vënë re se nga shkolla dilnin flakë dhe tym. Në orët e para të mëngjesit janë njoftuar mjetet zjarrfikëse dhe policia, të cilat kanë mundur të shuajnë zjarrin që kishte shkaktuar tashmë dëme të shumta. Mjetet zjarrfikëse kanë mundur të shpëtojnë vetëm një pjesë të shkollës, ndërkohë që nga përhapja e shpejtë e flakëve është dëmtuar një pjesë e konsiderueshme e ndërtesës së vjetër. Të paktën katër klasa janë dëmtuar rëndë, ndërsa është djegur baza materiale, regjistrat, dokumente, libra, fletore dhe zyra e drejtorisë së shkollës. Ekspertët që kanë shkuar në vendin e ngjarjes deklarojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar si pasojë e një sobe që është lënë e ndezur në katin e dytë të godinës. Sipas policisë, ka qenë një shkëndijë që ka rënë në dyshemenë prej dërrase ajo që ka shkaktuar përhapjen e menjëhershme të flakëve në katin e dytë dhe më tej duke depërtuar edhe në ambientet e tjera të shkollës. Kjo situatë ka bërë që të pezullohet mësimi, ndërkohë që nxënësit e shkollës 9-vjeçare të Rrëmenjit do të zhvendosen në një tjetër shkollë për të mos bllokuar vijimin e procesit mësimor. Drejtori i shkollës, Eqerem Baçi, tha se nxënësit do të zhvendosen në shkollën e fshatit Starovë deri në rregullimin e ambienteve, pasi godina aktuale është e rrezikshme për nxënësit, pasi ekziston mundësia e shembjes së mureve.
#