Për periudhën janar/korrik primet e shkruara bruto u rritën me 18%
Primet e shkruara bruto u rritën me rreth 18.56 % gjatë periudhës janar-korrik 2009, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2008-tës. Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 444,574, duke shënuar një rritje prej rreth 24.73 % në krahasim me të njejtën periudhë të vitit 2008. Ekspertë të AMF-së thanë se rritja e numrit të kontratave gjatë vitit 2009 është shoqëruar me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet, të cilat arritën në rreth 4,774 milionë lekë. Por ajo që vlerësohet nga ekspertët mbetet fakti se tregu vazhdoi të jetë sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 91.38 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8.62 %. Primet e shkruara bruto të Sigurimit Vullnetar zënë 47.34 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 52.66 % të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve, e ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.
...