Njeriu që studion gjestet e simbolet
Ferdinand Dervishi
Në pamjen e tij nuk ka asgjë të përbashkët me njeriun që flet me shenja. Që kripton me kast domethënien e mesazheve që do të përcjellë për të përmbushur një dëshirë personale, një mani apo një hobi për simbolikën. Aspak. Profesor Zyhdi Dervishi, njeriu që ka përmbyllur mes kapakëve të një libri 470 faqesh një studim të mirëfilltë shkencor me titull “Lente të ndërveprimit simbolik”, ka një tjetër meritë. Ka meritën e mbledhjes dhe përpunimit në katër vitet e fundit të një materiali voluminoz, i gjithë për komunikimin jo verbal, jo me anë të tingujve që njerëzit me kalimin e shekujve e kanë perfeksionuar në gjuhët standarde të folura, por me anë të një lloj tjetër veshmarrjeje, edhe më të vjetër se gjuha e folur, që është realizuar mes qenieve njerëzore përmes gjesteve, simboleve e shenjave të ndryshme. Që në faqet e para të librit autori u hap oreksin lexuesve duke u nxitur kërshërinë, kur vendos përballë dy personazhe të panjohur me njëri-tjetrin në një aeroport. Një grua në moshë mesatare dhe një burrë të veshur me seriozitet që i ngul vështrimin femrës. Ajo lëviz që të gjejë një tjetër pozicion dhe mashkulli lëviz gjithashtu dhe nuk e heq nga vëmendja. Pra të dy personat futen në ndërveprim me njëri-tjetrin dhe njëkohësisht me pjesën tjetër të pasagjerëve apo të personelit të aeroportit, të cilët mund të kenë vëzhguar lëvizjet e pazakonta të tyre. Dy protagonistët mund të bëjnë në mendje dhjetëra llogari duke ngritur hipoteza për të zbuluar kush, cilat qëllime fshihen pas secilit, ndërkohë që edhe turma e pranishme mundon veten. Por, në gjithë këtë histori nuk kemi asnjë fjalë të artikuluar. Gjithçka nis e vazhdon të flasë me gjuhën e shenjave, gjesteve, simboleve. Kjo është magjia që nis të sjellë në punimin e vet Profesori i njohur i fushës së sociologjisë, Zyhdi Dervishi. Një magji që mbart në faqet e shumta të punimit të tij sidomos gjithçka që i takon simbolikës shqiptare, qoftë e trashëguar në kohë, qoftë fare e re, e kushtëzuar nga zhvillimi i vrullshëm i shoqërisë. Profesori e nis me simbolikën e një flamuri kombëtar, me domethënien e nëpërkëmbjes së tij, uljes në gjysmë shtizë, djegies demonstrative, vënien në ballë të betejës, marrjen nga armiku etj. Por, sipas studimit të profesorit, simbolika është e pandarë nga çdo çast i jetës, shkurt nuk është e nevojshme që të këmbesh fjalë me dikë që të nisësh të kesh një opinion, pasi pikësëpari për të marrë një informacion, mjafton vetëm shfaqja apo pamja e tjetrit. Për shembull, sipas profesorit, në një masë të madhe njerëzit mund të gjykohen, apo ndahen në kategori të ndryshme sipas mënyrës së veshjes, prerjes së flokëve, formave të mustaqeve, ndërsa këto kohë të fundit edhe shqiptarët, për shembull, mund të dallohen edhe përmes modeleve të makinave që ngasin. Po kështu Profesor Zyhdi Dervishi ka mbledhur me kujdes simbolikën popullore të trashëguar edhe në kanunet e vjetra shqiptare, domethënien e kafes së hidhur dhe asaj të ëmbël, domethënien e dhënies së filxhanit të kafesë nën gju, atë që përcjell mënyra e pirjes duhanit dhe e rakisë, guna e veshur së prapthi, çarçafët e përgjakur të ditës së parë të martesës, fisheku në pajë etj., etj. Profesori i mirënjohur ka ndërfutur me mjeshtëri në studim edhe simbolikën botërore gjithashtu. Në faqet e punimit të tij mund të marrë përgjigje habia se përse një femre në Nepal nuk duhet t’i bësh një shenjë të rrumbullakët me gishta, se si në Indi nuk duhet të porosisësh në restorant nënprodukte të qumështit të lopës, se çdo të thotë kur Mafia pasi të vret, të nxjerr sytë dhe t’i vendos në grusht, etj. Shkurt kureshtja nuk të braktis pa kthyer edhe faqen e fundit të librit më të ri të Profesor Zyhdi Dervishit. Një punim specifik i imtësishëm, një konceptim dhe renditje shkencore e materialeve, që në çdo rast dhe çdo kohë, pashmangshmërisht, ka për ta vendosur këtë libër dhe vetë autorin në vendin e merituar të një vlerësimi të përmasave dhe standardeve që koha ka nisë të sjellë mes shqipshkruesve më të mirë.