E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungon gjaku, pacientët po marrin vetëm gjysmën e dozës



Emanuela Sako

Autoritetet shëndetësore kanë dhënë alarmin për mungesë të furnizimit të spitaleve me gjak. Drejtoresha e Bankës Kombëtare të Gjakut, Irena Qendro deklaroi se muaji gusht ka pasur më pak dhurime, krahasuar me muajt e tjerë. Gjatë këtij muaji janë bërë 50 dhurime, ndërsa gjatë muajve të tjerë janë bërë 300 deri në 400 dhurime. Situata është tepër problematike, pasi numri i kërkesave për gjak është më i madh gjatë sezonit të verës. Përveç të sëmurëve kronikë që duhet të trajtohen në vazhdimësi, gjatë sezonit të verës është edhe më tepër i nevojshëm furnizimi me gjak për shkak të shtimit të aksidenteve.
Pacientët
Drejtoresha Qendro bën të ditur se ata që po përballojnë pasojat e rënda janë të sëmurët kronikë, ku shumë prej të cilëve po trajtohen me gjysmën e sasisë së nevojshme që duhet të merrnin.
Mungesat për gjak kanë qenë të vazhdueshme gjatë gjithë kohës, pasi dhurimet nuk plotësojnë nevojat e duhura. Një pjesë e trajtimeve bëhen me dhurues, të cilët janë familjarë të pacientëve, të cilët janë të gatshëm të dhurojnë në çdo kohë. Ndërkohë që nuk ka rezerva për të përballuar situatën e krijuar.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë ende një masë konkrete për ta çliruar nga ngërçi situatën e krijuar edhe pse është në dijeni. Pak muaj më parë, Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, deklaroi se ka mungesë të sasive të gjakut për trajtimin e pacientëve të sëmurë dhe sidomos për rastet e aksidenteve. Ajo bëri të ditur se gjatë sezonit të verës ka shtim të aksidenteve dhe duhet të kryhet trajtimi i tyre me marrjen e gjakut. Ministrja ka apeluar që të dhurohet gjak për të gjitha rastet dhe sidomos gjatë sezonit të verës që nevojave për gjak i shtohen dhe rastet e aksidenteve.
Furnizimi
Furnizimi me gjak në vendin tonë është në nivelin 7 dhurues për 1 mijë banorë, ndërsa duhet të ishte 40 dhurime për 1 mijë banorë. Nga raporti i krijuar duket se kjo diferencë është tepër e vështirë për t’u thyer. Ndërkohë që pacientët në spitale po vuajnë pasojat e mungesës dhe janë në rrezik për jetën. i vetmi lehtësim për ta, është se së fundmi qeveria miratoi ligjin për mospagimin e gjakut. Kështu, pacientët nuk do të paguajnë për përpunimin e gjakut që duhet të marrin për të kuruar sëmundjet. Qeveria vendosi të bëjë këtë ndryshim në ligjin “Për shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë”, pasi pacientët që marrin gjak në mënyrë të vazhdueshme e kanë të pamundur të mbulojnë shpenzimet. Në bazë të ligjit gjaku njerëzor nuk mund të përdoret në shërbimin shëndetësor për qëllime fitimi. Prandaj shpenzimet për procedurat e kontrollit, të përpunimit dhe të shpërndarjes së gjakut e të përbërësve të tij, në asnjë rast, nuk përballohen nga pacienti. Këto shpenzime i mbulohen Shërbimit Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut nga institucionet shëndetësore, që e përfitojnë këtë shërbim. Ndërsa, kostoja për secilin nga shërbimet e përcaktuara vendoset me urdhër të ministrit të Shëndetësisë. pacientët do të mund të marrin një shërbim të kualifikuar, por pa nxjerrë para nga xhepat e tyre për ekzaminimet e gjakut të dhuruar. Po kështu, disa ndryshime janë bërë edhe në mënyrën e lëvrimit të fondeve për veprimtaritë promovuese dhe edukative në fushën e transfuzionit të gjakut.
Në bazë të vendimit të fundit, Ministri i Shëndetësisë përcakton kërkesat e bazës organizative e teknike të strukturave, si dhe të veprimtarive promovuese e edukative të shërbimit të transfuzionit. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut do të financojë, me fondet buxhetore, të dhëna për këtë qëllim, shpenzimet e promocionit të çdo organizate jofitimprurëse (OJF), që promovon dhurimin vullnetar të gjakut.

Situata gjatë muajve të fundit
Mungesa e gjakut është evidente në të gjithë spitalet e vendit, për shkak se numri i dhuruesve është shumë i vogël, ndërsa kërkesat janë gjithmonë më të mëdha. Sigurimi i gjakut nga ana e autoriteteve shëndetësore është vështirësuar së tepërmi dhe këto të fundit shpeshherë kanë apeluar për të dhuruar sa më tepër gjak nga qytetarët. Kështu, ligji për marrjen e gjakut parashikon se gjaku mund të sigurohet nëpërmjet importit apo në mënyrë vullnetare, por asnjë nga këto procedura nuk i plotëson nevojat e spitaleve për gjak. Për më tepër që importimi i gjakut, i cili parashikohet në ligj, është një procedurë që nuk është kryer deri tani. Specialistët theksojnë se numri i dhuruesve të gjakut vullnetar apo me pagesë ka rënë së tepërmi kohët e fundit. Ministria e Shëndetësisë, pak muaj më parë deklaroi se në rast krize do të bënte gati dokumentacionin e duhur për sigurimin e flakoneve nga vendet e certifikuara të Bashkimit Evropian. Kështu, pacientët do të vuajnë nga sëmundjet për mosfurnizimin e trupit me gjak pa një afat të pacaktuar. Ligji për importin e gjakut prej një viti ka hyrë në fuqi. Nismëtarët e tij në Kuvendin e Shqipërisë e cilësuan atëherë mjaft të vlefshëm sidomos për pacientët që vuajnë nga sëmundja e rëndë e gjakut, Talasemia. Sipas këtij ligji, importimi i gjakut do të bëhej në mënyrë të vazhdueshme në bazë të nevojave dhe do të zgjaste jetët e të sëmurëve. Talasemikët janë një nga kategoritë e pacientëve që e kanë të domosdoshme marrjen e gjakut. Deri më tani, mjekët thonë se ata po kurohen me doza tepër të ulëta, por e kanë të nevojshme furnizimin e herëpashershëm me gjak.

27 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›