ISHP apel specialistëve: ”Kujdes me marrjen e mostrave për dyshimet me AH1N1!”
ISHP u ka bërë thirrje specialistëve në rrethe për të treguar më tepër kujdes në marrjen e mostrave. Sipas ISHP-së, kjo bëhet për shkak se personat që janë prekur nga virozat e stinës mund të jenë më të mundshëm për të qenë të prekur me virus. Për këtë arsye, ata u kanë bërë apel mjekëve dhe epidemiologëve që duhet të tregohen më të kujdesshëm ndaj kësaj kategorie. Pjesë e tyre janë të gjithë ata persona që janë prekur nga virozat e stinës, qoftë të rriturit dhe fëmijët. Nëpërmjet Buletinit Epidemiologji 9, ISHP-ja bën të ditur se numri i mostrave të marra tek fëmijët është i ulët. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25 - 44 vjeç. Vihet re sërish një numër më i vogël mostrash të marra në moshën pediatrike, moshë mjaft e rëndësishme duke pasur parasysh që dhe numri më i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet në këtë grup moshe. Tërheqim vëmendjen e pediatërve dhe epidemiologeve në të gjithë vendin, por sidomos Departamentit të Pediatrisë pranë QSUT-së që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e marrjes së mostrave”,- thuhet në Buletinin Epidemiologjik të ISHP-së. Ndërkohë që situata do të kalojë në një fazë më të madhe të mbikëqyrjes nga ana e specialistëve. Mbivendosja e gripit të derrit me gripin stinor do të jetë shumë i vështirë për tu kuruar, ndaj dhe qytetarët duhet të vaksinohen për gripin e zakonshëm në pritje të vaksinës së virusit A/H1N1. Specialistët shprehen se bluzat e bardha do ta rrisin gjendjen e tyre të gatishmërisë që në ditët e para të muajit shtator. Shkak për këtë është bërë paralajmërimi për një valë më të fortë të gripit të derrit nga specialistët e OBSH-së. Ndonëse gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës puna e mjekëve të familjes apo atyre infeksionistë që merren me trajtimin e të prekurve apo të dyshuarve me virusin A/H1N1, nuk ka reshtur sërish shtatori do t’i kalojë ata në një nivel tjetër më të lartë të survejancës. Deri tani rezultojnë të prekur nga virusi i gripit 20 persona, kurse 5 persona të tjerë dyshohen të jenë mbartës të këtij virusi. Për të gjithë këta persona pritet ardhja e rezultateve përfundimtare nga Laboratori i Virologjisë për Europën Juglindore në Bukuresht. Ndërkohë që çdo ditë në spitalet e vendit merren mostra të personave të dyshuar, mostrat e të cilëve analizohen në fillim në ISHP dhe nëse konfirmohet virusi atëherë mostrat nisen për në Rumani.
27 Gusht 2009