E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simbolika, si Enveri vuri Hrushovin nën statujën e Stalinit

 

Zyhdi Dervishi

... Politikanët dhe diplomatët i përdorin dendur përparësitë e komunikimit joverbal, për të shprehur orientime politike të padokumentuara zyrtarisht dhe sidomos për të përcjellë mesazhe politike me dy ose me më shumë kuptime, mesazhe të paqarta për politika që pritet të kristalizohen në rrjedhën e kohës etj. Për t’i konkretizuar këto ide, mjafton t’i ilustrojmë me përshkrimin e hollësishëm të një situate politike komplekse të shtetit shqiptar në fund të viteve ‘50 të shekullit XX. Më 20 maj 1959 shtypi në Republikën Popullore të Shqipërisë njoftoi për vizitën miqësore dhe zyrtare të një delegacioni të zgjeruar e të nivelit më të lartë të Partisë Komuniste dhe të Qeverisë së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, i kryesuar nga sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik, Nikita Sergejeviç Hrushov. Mediat shqiptare të asaj kohe, veçanërisht shtypi i kushtoi vëmendje të veçantë kësaj vizite të gjatë, trembëdhjetë ditore (25 maj – 6 qershor 1959). Nga 20 maji deri më 5 qershor gazetat mbushën faqe të tëra me materiale të ndryshme rreth kësaj vizite. Për shembull, “Zëri i Popullit”, organi më i rëndësishëm i shtypit politik shqiptar të atyre viteve, i rezervonte kësaj vizite 2 deri 3 faqe çdo ditë (nga 4 faqe që kishte gjithsej gazeta). Në adresë të Nikita Hrushovit shtypi emetoi një inflacion të paparë lëvdatash e karakterizimesh superlative, si “miku më i madh dhe më i shtrenjtë i popullit tonë”, “miku ynë më i shtrenjtë dhe më i dashur” etj. Ndërsa vizita e tij karakterizohej si “një ngjarje e shënuar në historinë e popullit tonë”, si “një festë e madhe popullore dhe një kontribut shumë i çmuar në çelikosjen e miqësisë së përjetshme që bashkon popullin shqiptar me mikun e tij të shtrenjtë – Bashkimin e madh Sovjetik” etj. (“Zëri i Popullit”, 20.5.1959, f. 1). Strukturat partiako-shtetërore të propagandës së shtetit shqiptar vunë në lëvizje gjithë mekanizmat, jo vetëm të publicistikës, por edhe të krijimtarisë artistike, folklorike e të kultivuar, për të glorifikuar sa më shumë vizitën e kreut të partisë e të shtetit sovjetik. Në rubrikën “Populli i këndon kësaj ngjarjeje të shënuar” u botuan shumë krijime folklorike. Një poezi popullore, me gjuhë lakonike e karakterizoi vizitën e delegacionit sovjetik si të paparë në historinë e vendit tonë të vogël dhe Nikita Hrushovin si udhëheqës të shkëlqyer:
Kurrë s’ka parë historia
Që të vijë në Shqipëri
Një udhëheqës kaq i ndritur
Si Hrushovi dhe shokët e tij.
(Gazeta “Zëri i Popullit”, 22.5.1959, f.2).
... Delegacioni sovjetik vizitoi qytetet kryesore të Shqipërisë nga Shkodra deri në Butrint, i shoqëruar nga drejtuesit kryesorë të partisë dhe të shtetit shqiptar. Në çdo qytet ku shkoi delegacioni sovjetik u organizuan mitingje masive. Në fjalimet që mbanin në mitingje udhëheqësit shqiptarë dhe udhëheqësit sovjetikë hidhnin parulla për miqësinë e pathyeshme shqiptaro-sovjetike, për kauzën e përbashkët të popullit shqiptar me popujt sovjetikë, për të ardhmen e përbashkët komuniste të popullit shqiptar me popujt sovjetike etj. Mitingjet përgjithësisht i karakterizonte një nivel i lartë entuziazmi popullor i nxitur nga strukturat partiake e shtetërore të regjimit socialist totalitar.
Koha e vizitës
Vizita e delegacionit sovjetik të kryesuar nga Nikita Hrushovi në Shqipëri nuk mund të mos përcillej me interesim të veçantë nga politikanët e diplomatët e shteteve perëndimore që ndikonin më shumë në politikën botërore të atyre viteve, së paku për tri arsye kryesore:
Së pari, pozita gjeografike e Shqipërisë dhe rëndësia e saj e veçantë strategjike, si skaji perëndimor i kampit të atëhershëm të vendeve socialiste.
Së dyti, viti 1959 karakterizohej nga një intensitet i lartë e në ngritje i të ashtuquajturës lufta e ftohtë ndërmjet shteteve demokratike perëndimore dhe bllokut të vendeve ish-socialiste të kryesuara nga Bashkimi Sovjetik. Në sfondin e një lufte të tillë pozita strategjike e Shqipërisë rilevohej me rëndësi të veçantë.
Së treti, në këtë kohë ishte në rend të ditës instalimi i bazave ushtarake, veçanërisht në pellgun e Mesdheut. Që në mitingun e parë të organizuar në Shqipëri, Nikita Hrushovi deklaroi fare hapur: “Në qoftë se qeveritë e Italisë dhe të Greqisë i lejojnë amerikanët të krijojnë baza për lëshimin e raketave në territorin e tyre, atëherë ndoshta edhe ne do të detyrohemi të merremi vesh me Qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë, që të krijohet edhe këtu diçka kundër tyre. Amerikanët po vendosin në Itali raketa me rreze të mesme veprimi. Por në qoftë se edhe në Shqipëri vendosen raketa me rreze të mesme veprimi ose bile edhe raketa me rreze të shkurtër veprimi, ato mund të arrijnë gjithë Italinë. Kështu që këtu do të mjaftonin raketat me rreze të shkurtër veprimi” (Gazeta “Zëri i Popullit”, 26.5.1959, f.3). Kësisoj, kreu i ish-bashkimit Sovjetik braktisi publikisht gjuhën politike e diplomatike dhe, jo vetëm foli drejtpërdrejt me terminologji ushtarake, por edhe me shkallën më të lartë të ashpërsisë.
Nga ana tjetër, në fjalimet e shpeshta nëpër mitingje udhëheqësit e shtetit shqiptar dhe të atij sovjetik përpiqeshin të krijonin imazhin se ndërmjet dy shteteve nuk kishte asnjë divergjencë të çfarëdollojtë. Pas frazave përshëndetëse, që në paragrafin e parë të fjalimit në mitingun e parë, Nikita Hrushovi theksoi: “Marrëdhëniet që janë krijuar midis popullit shqiptar dhe popullit sovjetik, midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë së Punës së Shqipërisë janë shumë të mira. Ne me ju nuk kemi pasur kurrë dhe s’kemi divergjenca si në çështjet e brendshme të secilit vend, ashtu edhe në çështjet e politikës ndërkombëtare” (Gazeta “Zëri i Popullit”, 26.5.1959, f.1).
Leximi i komunikimit verbal
Nga shqyrtimi analitik i komunikimit verbal, me gojë dhe me shkrim, ndërmjet palës shqiptare dhe palës sovjetike gjatë kësaj vizite përvijohen këto përfundime kryesore: 1) Marrëdhëniet ndërmjet shtetit shqiptar dhe shtetit sovjetik ishin shumë të mira, pa të krisura, pa kurrfarë kontradiktash; 2) të dy palët premtonin ndërsjelltas se miqësia vëllazërore do të ishte e përjetshme deri në ndërtimin e shoqërisë komuniste, e cila në ato vite përfytyrohej se do të arrihej në një të ardhme goxha të largët; 3) të dy partitë në pushtet, të dy shtetet angazhoheshin se do të rrisnin përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin e ndërsjellë në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike e politike, kulturore e ushtarake; 4) Bashkimi Sovjetik ishte dhe do të mbetej aleati kryesor strategjik më i fuqishëm i shtetit shqiptar të orientimit socialist etj. Ndërkohë që lufta e ftohtë ishte e acaruar dhe projektohej instalimi i bazave ushtarake, shtetet demokratike të Perëndimit nuk mund të mos shqetësoheshin nga përfundime të tilla rreth marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike.
Analiza e simbolikës
... Ndërkohë, politikanët, diplomatët me përvojë të pasur profesionale të vendeve perëndimore lexonin e dekodonin me vëmendje edhe mesazhet që përcilleshin nga një varg modele sjelljesh joverbale, që shoqëronin vizitën e delegacionit partiak e shtetëror sovjetik në Shqipëri. Përmes komunikimit joverbal përcilleshin mesazhe të tjera, deri krejt të kundërta në krahasim me ato që përcilleshin me fjalën e folur dhe të shkruar. Në vijim po parashtrojmë disa prej këtyre mesazheve.
I pari. Mitingu i parë u organizua në sheshin përpara kombinatit të tekstileve “Stalin”. Në vitin 1959 Tirana ishte një qytet i vogël me rreth 125 mijë banorë (Drejtoria e Statistikës, 1965:’69; përllogaritje e autorit), i mbledhur kryesisht brenda unazës së vjetër dhe Kombinati i Tekstileve nuk ishte në periferi të kryeqytetit, por jashtë periferisë. Simbolikisht kjo do të thoshte se marrëdhëniet e shumanshme shqiptaro-sovjetike nuk përbënin dhe, për më tepër, nuk do të përbënin më hallkën qendrore të tërësisë së marrëdhënieve të shtetit shqiptar me shtetet e tjerë, por kishin kaluar ose do të kalonin së shpejti në zona periferike ose jashtëperiferike.
I dyti. Mitingu i parë masiv u organizua në sheshin para kombinatit të tekstileve “Stalin”, ku qëndronte hijerëndë monumenti i Stalinit, i veshur me rroba ushtarake. Nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Nikita Hrushovit, udhëheqja e lartë e partisë dhe e shtetit sovjetik e kishte anatemuar politikisht e moralisht Stalinin. Në raportin që mbajti në Kongresin e XX të Partisë Komuniste (Bolshevike) të Bashkimit Sovjetik në shkurt 1956 “Mbi kultin e individit të Stalinit dhe pasojat e tij” (të ashtuquajtur sekret, por që u botua pas pak ditësh në shtypin e vendeve perëndimore që ishte më ndikues në politikën ndërkombëtare), Nikita S. Hrushovi kishte ngritur një mal me akuza të rënda dhe karakterizimesh negative kundër Stalinit, si “asgjësues moral e fizik” i kuadrove më të rëndësishëm të partisë, të shtetit e të ushtrisë, duke nëpërkëmbur ligjshmërinë, si drejtues kryesorë që “kaloi nga pozitat e luftës ideologjike në rrugën e shtypjes administrative, në rrugën e represionit në masë, në rrugën e terrorit... të zbatimit të metodave të terrorit kundrejt mijëra njerëzve”, si ideatori dhe realizuesi i “arbitraritetit brutal” në organet drejtuese të partisë e të shtetit dhe sidomos në ato të shërbimeve sekrete, si frymëzuesi i “torturave të egra çnjerëzore... dhe i shkeljeve kriminale të ligjshmërisë” veçanërisht gjatë proceseve hetimore, si “kryekomandanti i ushtrisë sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore që ndërhynte drejtpërdrejt në rrjedhën e operacioneve dhe jepte urdhra, të cilat shpeshherë nuk merrnin parasysh situatën reale në sektorin përkatës të frontit dhe që nuk mund të mos shkaktonin viktima kolosale njerëzish”, si shkaktari kryesor i përkeqësimit të situatës në shtetin sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore, pasi “Stalini u bë më tekanjoz, më i pezmatuar, më brutal, filloi t’i zhvillohej dyshimi, shumë punëtorë në sytë e tij bëheshin armiq” dhe i nënshtroheshin dënimeve të rënda, deri edhe ekzekutoheshin (Hrushov, N. S., 1996:16, 39, 18, 19-20, 32-33, 48, 55, 57). Sipas këtij raporti të Nikita S. Hrushovit dhe vendimit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik “Mbi kapërcimin e kultit të individit dhe të pasojave të tij”, të 30 qershorit 1956, Josif V. Stalini shpallej si personi që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, mbante përgjegjësi për burgimin, torturimin dhe ekzekutimin e qindra, mijëra e miliona nënshtetasve sovjetikë para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kësisoj Nikita S. Hrushovi dhe pasuesit e tij e kishin shpallur publikisht Josif V. Stalinin si armikun më problematik të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të popujve sovjetikë.
Ndërkohë, në ish-bashkimin Sovjetik kishte marrë përmasa histerie lëvizja për të hequr e shkatërruar bustet dhe monumentet e Stalinit, për t’u hequr emrin e Stalinit ndërmarrjeve ekonomike e kooperativave bujqësore, institucioneve socialkulturore e qyteteve dhe për t’i ripagëzuar ata me emra të tjerë, të mëparshëm ose të rinj. Veprime të tilla përcilleshin sistematikisht nga mjetet kryesore të komunikimit masiv në gjithë botën, veçanërisht në vendet perëndimore. Ndërkohë në Shqipëri udhëheqja e partisë-shtet porosiste skulptorët më të mirë të përgatisnin monumente e statuja për Stalinin. Rreth një vit pasi udhëheqja hrushoviane kishte dënuar kultin e individit të Stalinit, në vitin 1957 u vendos një monument i Stalinit në qendër të qytetit të Kuçovës, që në atë kohë quhet qyteti “Stalin”. Një riplikë e këtij monumenti me dorë të shtrirë përpara u vendos edhe në sheshin para kombinatit të tekstileve “Stalin” në Tiranë (Kuqali, A., 1988:82-83). Siç duket edhe në fotografinë e mëposhtme, të përgatitur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe të botuar në gazetën “Pionieri” të datës 3 qershor 1959 (f. 2). Nikita Hrushovi dhe delegacioni që ai kryesonte kaluan në rivistë para monumentit të Stalinit, nën hijen e shtrirë të dorës së tij të djathtë.
Edhe diçiturën e kësaj fotografie e kemi botuar si faksimile, pa i ndryshuar asgjë. Ta kalojë Nikita Hrushovin (në foto personi me pardesy të bardhë) në rivistë para “gjeneralisimo” Stalinit në bronz, ta vije atë të mbante fjalimin e parë para publikut shqiptar në hijen e monumentit të Stalinit të shpallur si armik prej tij, përveçse ishte një provokim i hapur, dëshmonte simbolikisht edhe për vijën politike që ndiqte dhe do të ndiqte më pas udhëheqja e partisë dhe e shtetit shqiptar. Deri në vitin 1990 drejtuesit e Partisë së Punës dhe të shtetit shqiptar, ndoqën me ngurtësi, siç ishte i ngurtë monumenti i Stalinit, një politikë staliniste dogmatike në të gjithë fushat e veprimtarisë ekonomike e politike, shoqërore e kulturore.
I treti. Politikanët dhe diplomatët e vendeve perëndimore, veçanërisht të atyre fqinje, si dekodues profesionistë të kuptimit të modeleve të sjelljeve joverbale, merrnin mesazhin se politika e udhëheqjes së Partisë së Punës dhe të shtetit shqiptar sa më shumë ecte në binarët e dogmatizmit stalinist, aq më shumë largohej nga realpolitika hrushoviane. ...Politika prohrushoviane e regjimit të Tiranës mund ta shndërronte territorin e Shqipërisë në një bazë raketash me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi (siç u përmend më lart) që mund të mbulonin në mënyrë të plotë ose të pjesshme pothuajse të gjithë vendet e pellgut të Mesdheut. Instalimi i bazave sovjetike të raketave në tokën shqiptare do të kishte një kosto të lartë politike, ekonomike ushtarake dhe psikologjike për shoqëritë e këtyre vendeve, do të modifikonte në një masë të konsiderueshme mjaft aspekte të marrëdhënieve politike e ushtarake në një rrafsh më të gjerë.
I katërti. Më 28 maj 1959 delegacioni sovjetik vizitoi Shkodrën. Këtë ditë mbërriti në Tiranë për vizitë një delegacion ushtarak kinez i zgjeruar, i kryesuar nga mareshali Pin De Huai, i cili në atë kohë ishte anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës, Zëvendëskryetar i Këshillit të Shtetit dhe Ministër i Mbrojtjes Kombëtare të Republikës Popullore të Kinës. Ndërkohë që delegacioni sovjetik vizitonte qytetet periferike, delegacioni kinez e zhvillonte veprimtarinë e tij kryesisht në kryeqytet. Presidiumi i Kuvendit Popullor dekoroi mareshalin Pin De Huai me Urdhrin e Skënderbeut të Klasit të Parë dhe anëtarët e tjerë të delegacionit kinez me urdhra e medalje të ndryshme (gazeta “Zëri i Popullit”, 2.6.1959, f. 1,4). Gjithashtu, ndërkohë që delegacioni sovjetik lëvizte në linjë partie kryesisht jashtë kryeqytetit, delegacioni kinez funksiononte në linjë shtetërore, pothuajse gjithnjë brenda kryeqendrës së Shqipërisë. Ndër të tjera, simbolikisht kjo do të thoshte se për të ardhmen, së paku të afërt, në qendër të interesave të shtetit shqiptar nuk do të ishin më si më parë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, por më Republikën Popullore të Kinës. Historia e 20 viteve të mëvonshme të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me Republikën Popullore të Kinës, rrodhi sipas një projektimi të tillë të shprehur simbolikisht.
I pesti. Pasi vizitoi disa qytete kryesore të Shqipërisë si Shkodra, Durrësi, Korça, Elbasani etj., më 30 maj delegacioni sovjetik u nderua me mitingun në sheshin “Skënderbej”, në qendër të kryeqytetit. Sipas njoftimeve të shtypit në këtë miting morën pjesë mbi 100 mijë vetë. Në miting mbajtën fjalime Enver Hoxha dhe Nikita Hrushovi (Gazeta “Zëri i Popullit”, 31.5.1959, f.1, 2, 3). Simbolikisht ky miting i përforconte pozitat e delegacionit sovjetik në sytë e opinionit të gjerë të njerëzve dhe sidomos në sytë e politikanëve dhe diplomatëve të vendeve perëndimore. Por, si të thuash, një dritë e tillë jeshile, u shua shpejt, sepse të nesërmen delegacioni sovjetik u “arratis” ose më saktësisht e “arratisën” nëpërmjet protokollit përsëri në qytetet e krahinat periferike të Republikës së Shqipërisë. Kësisoj, ndonëse i nivelit më të lartë, delegacioni sovjetik i filloi vizitat në periferi të Shqipërisë dhe i përfundoi në periferi. Një ecuri e tillë simbolikisht përcillte mesazhin se në marrëdhëniet e shumanshme shqiptaro-sovjetike gjithnjë e më shumë po bëheshin mbizotëruese forcat centrifugale, të cilat brenda më pak se dy vitesh do të shkëpusnin për shumë vite marrëdhënie të tilla...
Në kundërshtim me mesazhet kryesore që përcillte repertori i komunikimit verbal publik, me gojë e me shkrim i kësaj vizite të gjatë, tërësia e elementeve qendrore të komunikimit joverbal përmbanin projeksionin e linjave kryesore të politikës së shtetit shqiptar për afro dy dhjetëvjeçarë pas përfundimit të kësaj vizite...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›