Për publicistikën dhe rreth Branko Merxhanit
“(…) Një epok’ e re po vjen. është e rëndë, ngarkuar me një tog problemesh të reja dhe me një varg shqetësimesh të padëgjuara deri sot. Detyra jote o Djalëri Shqiptare është të kuptosh rrahjet e orës t’epokës dhe të përgatitesh qysh tani të përballosh tingëllimet e pandiera e të panjohura të saj me mend e me trimëri”.
(“Problemat e djalërisë”, Branko Merxhani, “ABC...”, 1 mars 1936, viti I, nr. I, faqe 3)
Kështu shkruante në mesin e viteve ‘30 një nga figurat më interesante të asaj kohe, publicisti Branko Merxhani, i lindur në vitin 1894, një intelektual i formuar në shkollat e Stambollit dhe jo me prejardhje shqiptare, por “rus i bardhë”. Merxhani, bashkë me mikun e tij të ngushtë, Vangjo Nirvana, (pseudonim i Vangjel Koça), u përpoq të hartonte dhe t’i jepte jetë një fryme të re të të menduarit, të cilën shpejt do ta quante “neoshqiptarizmi”. Branko do të njihet si babai i kësaj nisme dhe njëkohësisht ai ravijëzoi edhe formulat e neoshqiptarizmit. Këto veprime zhvillohen në Shqipërinë e vitit 1928, kur Merxhani dhe Koça, në gazetën e tyre “Demokratia” dhe më pas në revistën “Lëvizja mendore” që e botonin në qytetin e Gjirokastrës, hodhën idenë e formulimit të mendësisë së re të zhvillimit të kulturës shqiptare. Në shkrimin e tij, Branko nënvijëzon: “E mbajtëm më këmbë katër a pesë vjet. ‘Lëvizja mendore’ ka qenë titulli i asaj reviste të përjavshme dhe mikroskopike që dilte vetëm me një faqe çdo të shtunë” (“Duke filluar nga puna...”, te “Përpjekja shqiptare”, tetor 1936, viti I, nr. I, faqe 1). Më poshtë Merxhani shënon: “ç’kërkonim ne brenda n’atë atmosferë të turbulltë t’asaj kohe? – Nga shteti asgjë. Vetëm kërkonim të lëkundnim pakëz mendjen e djemve të mësuar të këtij vendi, mendjen e shokëve t’anë dhe të ndiznim pak zjarr, pak gjallëri, pak dhimbje, dashuri, mendim, shqetësim në zemrat t’ona të ftohta. Disa vjet pas ngjarjeve të hidhura të ‘24-s (Kryengritja e Qershorit e kryesuar nga Fan Noli më 1924, shën. im N. K.) dhe vetëm pak kohë pas shpalljes së regjimit monarkik-konstitucional, që hapi periodën e qetësisë, guxuam të mendojmë ne, një grusht njerëzish, të futur thellë atje poshtë në ankimin e krahinës, se më së fundi po zbardhullonte një dit’ e re dhe filluam të ecim me çapa të ngadalshme brenda në natën e errët të fatit t’onë. Kërkonim të gjenim shtigjet që do të na shpinin një or’ e më parë, po me siguri të plotë, drejt përpjekjes s’agimit t’ëndërruar”. (Po aty, faqe 1-2).
Lëvizja e re neoshqiptare, motori dhe shpirti i së cilës ishte Branko, ligjëroi formula nacionalizmi me anën e revistës me të njëjtin titull “Neoshqiptarizmi”, e cila u botua në korrik 1930, por që fatkeqësisht pati vetëm një numër. Aty, Merxhani shprehte se: “Shqipëria është një qenie e kufizuar së jashtmi dhe e pakufishme së brendshmi”. Ajo çfarë kërkohej tani ishte krijimi dhe çimentimi i një identiteti unik shqiptar, një vetëdije shqiptare kjo që pretendohej se do ta nxirrte vendin nga errësira dhe padija.
Në fakt, ushqimi me dozat e përgatitjes së lëvizjes ‘neoshqiptarizmë’ duhen kërkuar nëpër Europë me zhvillimet që vërehen në këtë kohë. Kjo ideologji duhet parë brenda zhvillimeve të tjera ideologjike, që për bazë kishin nacionalizmin, si p.sh.: ‘hispanidad’, ideologji e Spanjës fashiste nën drejtimin e Francisco Franco-s, ‘hellenikoteta’, ideologji e zhvilluar sidomos në vitet 1936-‘40 nën kujdesin e gjeneralit Joannis Metaxa, ‘italianita’, ideologji e zhvilluar nga Benito Mussolini në vitet e Italisë fashiste etj.
Parimet dhe rryma intelektuale, madje më shumë filozofia nga binte erë gjeneza e kësaj lëvizje, u kundërshtua nga revista “Bota e Re”, e cila botohej në Korçë dhe ishte nën ndikimin e frymës komuniste dhe revolucionare të kohës. Edhe pse me rezervime drejt autorit dhe qëllimit të tij, “Bota e Re”, në një numër të saj (nr. 14, datë 30 tetor 1936, faqe 16-18), shprehej kështu: “Pas një heshtjeje të gjatë e të vajtuarshme, kryeqyteti po del (po paraqit veten-shën. im N. K.) përsëri në lëmin e lëvizjes kulturale me një revistë të një formule krejt të re. Ishte koha që të çdukej ky paradoks (...) Le të na lejohet të bëjmë këtu disa rezerva. Na duket se drejtori i “Përpjekjes shqiptare” gabon duke rrëmbyer përsëri flamurin e coptuar të neo-shqiptarizmës dhe komprometon gjithë punën e dobishme që mund të bënte në revistën e tij të sotme”. Pas përgjigjes që i jep Merxhani këtij shkrimi: “Unë jam demokrat, idealist dhe Tajari (Zavallani) më lufton. Unë dua një Shqipëri demokratike, si atë të Nolit, si atë të Turqisë së Mustafa Qemalit, por Tajari dhe shokët e tij më quajnë armik. Pse? Sepse unë sipas mendimit tim, kërkoj një zhvillim të shoqërisë ku të kenë vend edhe komunistët edhe të gjithë patriotët dhe antifashistët. Nuk më pëlqejnë polemikat që shpien ujë te mulliri i përçarjes, ashtu siç i pëlqen Zogut...”, e përdyjavshmja kulturore me drejtor–përgjegjës Gaqo Evangjelin, “Bota e Re”, në numrin e datës 15 janar 1937, shkruan: “ (...) Me fjalë të tjera drejtori i 'Përpjekjes shqiptare' ka për qëllim të formojë një shkollë fillosofike merxhaniane. Atje do të mësohet se kush është më i fortë në spekulime metafizike. Në ka intelektualë shqiptarë që kanë kohë për të humbur dhe kënaqen me zhurmën e përpjekjes së mendimeve abstrakte le të ngopen me problemacitetet e z. Branko.” (“Bota e Re”, vep. e cituar, faqe 5). Ndërkohë, një autor anonim, përgjigjet me vargjet: “Sa për fjalët që s’kuptoni/ Do t’u lutem mos përtoni/ Që të vini në Tiranë/ Fjalor kam Branko Merxhanë”. Me pak fjalë, ky është një detaj i tablosë së viteve ‘30 të shekullit të kaluar, në të cilën zhvilloi veprimtarinë e tij Merxhani.
Në vitin 1938 qeveria e atëhershme ndaloi botimin e “Përpjekjes shqiptare”. Kështu Branko Merxhani u detyrua të lërë Tiranën dhe të shkojë në Athinë. Aty, duke mos gjetur mjedis të botonte, mori rrugën drejt Stambollit, vendit ku kishte studiuar. Por, edhe në Turqi, nuk u ndie komod, në kushtet e nisjes së Luftës së Dytë Botërore. Merxhani ishte ndër brezin e ri që shkëlqyen në shtypin turk. Një penë e fortë dhe turqishtja e zotëruar në mënyrë të përkryer. Asnjëherë nuk devijoi nga pikëpamjet e tij liberalo-demokrate dhe qëndroi realist në pasqyrimin e ngjarjeve që ndodhën në Shqipërinë e pasçlirimit, duke mos përkrahur politikën e diktuar nga Tirana zyrtare. Punoi për shumë vjet në gazetat kryesore turke, “Tan” (Agimi), “Yeni Gazete” (Gazeta e Re), “Gunaydin” (Mirmëngjes) apo “Hurriyet” (Liria). Merxhani komentonte dhe përkthente artikuj rreth gjeopolitikës, ballkanologjisë dhe rolit të Turqisë në Ballkan.
Stili i trajtesave të shkruara nga Branko Merxhani është interesant dhe filozofik. Edhe pse në publicistikën e tij, disa herë është i rrëmbyer në shtjellimin e temave (edhe pse ato i sqaron), te Merxhani mbizotëron qetësia e mirëkuptimi, si dhe bashkëbisedimi që ai vendos me lexuesin, duke u bërë ftesë që të jenë pjesë e diskutimeve apo edhe duke u drejtuar pyetje, të cilat vënë në lëvizje psikologjinë e lexuesve. Slogani i tij “Politikë s‘ka! Vetëm kulturë!” të bën të mendosh se realisht shtresës intelektuale shqiptare, si dhe figurave të shquara të kulturës që për kohën po qëndronin në hije, duhet t’i rikthehen gjallërimit të jetës kulturore shqiptare, sepse motori i vërtetë lëvizës i jetës duhet të jetë kultura dhe jo politika, duke ia adresuar këtë të fundit një kaste të zgjedhur njerëzish.
Publicisti dhe gazetari Merxhani vdiq i vetëm më 1981 në shtëpinë e tij në rrethinat e Stambollit, ish-kryeqendrës së Perandorisë Osmane. Varri i tij sot nuk dihet.
Ndoshta në historinë tonë të letërsisë dhe gazetarisë, por edhe në atë të përgjithshme, Branko Merxhani do të mbetet ndër të vetmit personalitete me kombësi joshqiptare që ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e jetës kulturore dhe politike të këtij vendi, duke u shkrirë njëkohësisht e duke u bërë pjesë përbërëse e atij vendi që i shërbeu me dinjitet.
Për të mbyllur, nuk mendoj se mund të gjej ndonjë fjalë më të pjekur dhe më interesante sesa vetë ato që ka shkruar Merxhani – rusi i bardhë në shërbim të kulturës shqiptare – në numrin e parë të revistës që i dha emër, “Përpjekja shqiptare”: “Koha do ta tregojë në jemi njerëz...”, postulat ky i datuar që më 1936-n.
#