Festivali i fundvitit rikthen natën e “të rinjve”
Alma Mile
Këtë vit do të jetë në vigjilje të Krishtlindjes, duke i shtuar atmosferës së festës tradicionale dhe atë të këngës. Festivali i Këngës në Radio-Televizionin Publik Shqiptar, mbush 48 vjeç këtë vit. Përgatitjet kanë nisur me kohë dhe tanimë mund të zbulojmë edhe disa prej elementëve të strukturës së sivjetshme. Mes disa kandidaturave, Këshilli drejtues i RTSH-së ka miratuar platformën e regjisorit e muzikantit Osman Mula dhe drejtorit artistik Selim Ishmaku. Nga të dhënat e deritanishme duket paksa si rikthim në kohë. Mësohet se edicioni i këtij viti do të shtrihet në katër net, në vigjilje të festave të fundvitit, si dikur nga 23 deri në 27 dhjetor. Festivalit i rikthehet nata e të rinjve. Do të jenë 18 këngëtarë të rinj, të cilët do të kenë mundësi të garojnë përgjatë natës së parë të festivalit dhe vetëm njëri prej tyre do të jetë fituesi. Ai do të futet automatikisht në natën finale, duke pretenduar kështu edhe për çmimin e madh. Por nga eksperienca e viteve të fundit, ka rezultuar se, kanë qenë pikërisht këngëtarët e rinj ata që kanë fituar çmimet e para, duke filluar që me Anjeza Shahinin, tek Luiz Ejlli, Olta Boka e Kejsi Tola. Të gjithë e kishin prekur për herë të parë skenën e festivalit (veç Ejllit) e gjithsesi fituan. Sot ata janë këngëtarë shumë popullorë, por a mund të quhen “big”? Kështu që kufiri mes “të rinjve” dhe “bigëve” është shumë i papërcaktuar. Në bazë të platformës regjisoriale, nata e dytë do t’i kushtohet këngëtarëve “big”, siç quhen së fundmi. Mendohet se edhe në këtë natë do të jenë 18 konkurrentë. Nata e tretë do të ketë pak a shumë të njëjtën strukturë, si nata e dytë e festivalit të kaluar. Këngëtarët “big” do të jenë të shoqëruar nga të tjerë emra të muzikës shqiptare, duke kthyer disi nostalgjinë e viteve të shkuara. Do të jenë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova. Do të jenë figura që zënë një vend të nderuar në historinë e muzikës shqiptare, që ndoshta janë tërhequr disi nga aktiviteti muzikor, ose nga festivalet e fundvitit. Gjatë natës finale do të ngjiten në skenë 19 konkurrentë, pra të gjithë këngëtarët “big” dhe fituesi i të rinjve. Mësohet se këtë vit Orkestra e Radio Televizionit do të jetë e gjitha “live”, duke mënjanuar kështu një nga problemet më të mëdha të këtij festivali. Edhe pse interpretimi “live” mbahet si “arma” më e fortë e këtij aktiviteti (krahasuar me festivalet simotra), prej vitesh vetëm një pjesë e saj ka qenë efektive, ndërsa tjetra ka qenë figurante në skenë. Këtë vit, premtohet që jo vetëm që e gjithë orkestra do të luajë drejtpërdrejtë, jo vetëm harqet, por edhe frymorët, etj., por do të ketë edhe katër “back vokale”, që do të shoqërojnë këngëtarët konkurrentë. Çdo këngë do të jetë e shoqëruar me performanca skenike. Çdo njëra prej tyre do të jetë e shoqëruar me imazhe të veçanta, që lidhen drejtpërdrejtë me mesazhin e këngës, do të shoqërohen me efekte të ndriçimit dhe koreografisë. Për koreografinë do të kujdeset koreografi Julian Bulku, i cili këtë vit u kujdes për paraqitjen skenike të përfaqësuese shqiptare në Festivalin Evropian, Kejsi Tola. Një rëndësi të veçantë në këtë aktivitet ka skenografia, e cila i është besuar një skenografi të huaj. Bëhet fjalë për skenografin italian Karlo Cane, i cili do të ideojë skenën e këtij viti. Nata finale, siç edhe është kthyer në traditë, rezervon edhe surpriza, të ftuar specialë etj., të cilët është ende herët për t’i zbuluar. Por mendohet që të jenë jo vetëm nga fusha e muzikës, por edhe njerëz të shquar nga fusha të tjera shoqërore. Por surpriza më e madhe do të jetë fituesi i festivalit, i cili na përfaqëson për të shtatën herë në Festivalin Evropian. Shumë shpejt redaksia e muzikës pranë RTSH-së e drejtuar nga drejtori artistik i festivalit Selim Ishmaku do të shpallë edhe emrat e këngëtarëve dhe krijuesve pjesëmarrës në këtë edicion.
Organizatorët
Drejtore e festivalit: Zamira Koleci
Drejtor artistik: Selim Ishmaku
Regjisor: Osman Mula
Skenarist: Pandi Laço
Drejtor fotografie: Franco Ferrari
Koreograf: Julian Bulku
Skenografia: Karlo Cane
Kostoja
Mbi 31 milionë lekë do të kushtojë edicioni i 48-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Me këtë shumë do të mbulohen të gjitha shpenzimet për realizimin e festivalit, duke filluar që me pagesat e organizatorëve, orkestrantëve, krijuesve, këngëtarëve, teknikëve, të ftuarve, apo materialeve të nevojshme për realizimin e skenografisë, apo për kostumografinë.