E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për të mbyllur listat qenkan zënë?

• Gëzim PodgoricaNuk më duket shumë e besueshme, por deri sa kështu deklarohen, jam i detyruar ta pranoj se i gjithë moskuptimi i reformës zgjedhore paskan qenë listat e hapura apo të mbyllura. Debati politik për këtë problem, tani më shumë se në asnjë term tjetër po fokusohet pikërisht këtu, duke pranuar pothuaj me konsensus sistemin proporcional dhe duke e lënë pragun aty ku ishte. Shtyrje e afatit të punës së komisionit, mbledhje pa fund,  debate e deklarata, protagonizëm mediatik për të arritur në konkluzionin e listave të mbyllura. Duket se kjo lodhje kaq e gjatë për këtë gjetje nuk justifikohet e të bindë për seriozitetin e punës së këtij komisioni me kaq shumë vëmendje publike dhe rëndësi kruciale, por produkti i punës e paska pasur të nevojshme një dimension me sa duket të tillë!! Kjo ofertë interesante është pëlqyer menjëherë nga dy liderët kryesorë, të cilëve të besuarit e tyre ua kanë sjellë si qershia mbi tortë. Me prirje të njëjtë për pushtet dhe me demonstrim shumë të përafërt në mjaft pika, atyre po u ofrohet mundësia ligjore për të shkruar e vulosur vetë çdo gjë, dhe të pabindurit të rrinë kaq urtë brenda vathës, sa çfarë nuk e kishin parashikuar as ata vetë. Me këtë sistem të ri zgjedhor, çdo rebelim do të thotë të shkosh më e pakta në fund të listës, aty ku e ke të garantuar humbjen dhe shuarjen politike. Pak më gjatë taniShqipëria e lodhur nga betejat e ndezura elektorale ka nevojë vërtet për një sistem zgjedhor, ku të garantohet vota dhe të shmanget klientelizmi politik, ku niveli i përfaqësimit në  parlament të rritet dhe të kemi një cilësi tjetër parlamentare, një elitë politike të vërtetë, veçanërisht ndryshe nga çfarë ofron ky i tanishmi. Po gjithashtu të kemi edhe një stinë elektorale të qetë, jo siç e bëri Kosova, se është vështirë ta arrijmë, por të paktën afërsisht si ajo. Në vështrimin e parë dhe duke dëgjuar K. Islamin, duket se sistemi proporcional rajonal e me lista të mbyllura e mundëson një gjë të tillë, më shumë se sistemi proporcional rajonal me lista të hapura. Sistemi i parë më shumë se çdo gjë ka shanset për të mundësuar një qetësi elektorale dhe një prirje të munguar për të manipuluar votat. Këto dy bonuse nuk janë pak, po të vështrojmë se çfarë pasojash ka sjellë manipulimi i votës dhe tensionet sociale që lindin gjatë fushatave, çfarë përplasjesh deri edhe me armë kemi përjetuar dhe mbi të gjitha kostoja e lartë që paguhet pas fushatës, për të shpërblyer anëtarët e shtabeve elektorale në administratën publike, ose përmes ofertash të tjera. Por, edhe  listat e hapura, nuk është se e kanë përcaktuese një gjë të tillë. Në një zonë me mbi 250.000 banorë, ku 10 kandidatë janë të njërit subjekt politik, është jo aq prezent si mundësia e manipulimit, ashtu edhe e ngritjes së tensioneve sociale. Natyrisht ka klientelizëm, por ama ka edhe një mundësi që ndërmjet kandidatëve të njërit subjekt politik, të përzgjedhë votuesi dhe jo t’i imponohen atij. Lista e mbyllur i shmang çdo mundësi votuesit shqiptar të zgjedhë dhe ai është i detyruar të votojë subjektin politik dhe listën e ofruar, pa qenë në gjendje të ndërhyjë në se kjo nuk përputhet me bindjet e tij. Lista e hapur i jep përparësi zgjedhësit, ndërkohë që lista e mbyllur i jep përparësi të zgjedhurve preferencialë që janë në krye të kenë të garantuar zgjedhjen, pavarësisht në se do apo s’do elektorati t’i përfaqësojë. Personazhe të ndryshëm politikë, të certifikuar humbës në përballjet elektorale, u garantohet kësisoj mundësia për t’u zgjedhur, pasi ata nuk përballen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zgjedhësit, por “fshihen” pas siglës së partisë. Klientelizmi që përpiqet t’i largohet bazës, që në rastin e proporcionalit është shumë i kushtueshëm për t’u realizuar, kalon në klientelizmin pranë kryetarit të partisë. Pranë tij janë të gjitha opsionet dhe mundësitë për t’u zgjedhur, pasi ai ka mekanizmat për të vënë në krye të listës kur fiton.  Sistemi i listës së mbyllur fortifikon fronin e liderëve të partive, veçanërisht të partive të mëdha, pasi i jep liderit pozita monopoliste. Ne e dimë shumë mirë dhe jemi dëshmitarë të demokracisë reale që është sot brenda subjekteve tona politike, të alternativës së mendimit ndryshe dhe të fatit të atyre që e shprehin dhe e përfaqësojnë atë, të jetëgjatësisë të disidencave politike. Në kushtet kur liderëve u besohet edhe përpilimi i listës, i radhës së emrave, saktësisht i emërimit të deputetëve, atyre u është dhënë aq pushtet, sa ata e kanë fare të lehtë të jenë jo vetëm “arrogantë”, por të asgjësojnë krejt lehtësisht të gjithë kundërshtarët brenda partisë dhe të asfiksojnë ato korridore demokratike, që edhe ashtu të ngushta mund të ekzistojnë, duke shmangur konkurrencën brenda subjektit dhe e reduktuar atë thjesht vetëm me “kundërshtarin” e krahut tjetër. Pozitat monopoliste të kryetarit forcohen, pasi deputetët nuk zgjidhen përmes konkurrimit politik, por përmes shijeve dhe raporteve që kanë me drejtuesin e partisë, i cili cakton edhe radhën. Lista e hapur është një garë e barabartë për të gjithë kandidatët e nominuar nga partia, të cilët gjithashtu kanë kaluar nga “sita” politike e kryetarit, por që një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk kanë jo vetëm garancinë se fitojnë, por u mungojnë aksionet e nevojshme publike dhe politike për të marrë votat e duhura. Të gjithë ata që i druhen ballafaqimit elektoral  dhe kanë garancinë se janë “shpirtrat binjakë” të kryetarit, stimulojnë listat e mbyllura ku duhet të investohen vetëm përpara liderit të tyre dhe aspak përpara atyre që u japin votën. Shembulli i Kosovës me lista të hapura, tregoi se mjaft ministra të kabinetit Çeku, pavarësisht se ishin vënë në krye të listës për t’u konsideruar preferencialë, u ndëshkuan nga zgjedhësit duke marrë një numër të vogël votash, çfarë i ka lënë jashtë Parlamentit. Gjykimi publik rezultoi më i saktë se gjykimi brenda forumeve partiake ku ata ishin prezentë dhe të çimentuar prej kohësh, dhe i mënjanoi nga e drejta e përfaqësimit të pamerituar. Sfidës së vërtetë elektorale në rastin e listave të hapura nuk mund t’i ikin kështu as të rekrutuarit e rinj, që herë pas here konsiderohen si prurje të domosdoshme dhe që i japin shansin partisë për ndryshim. Këta të rekrutuar, që në shumicën e rasteve janë njerëzit e bindur të lidershipit dhe të besuarit e tij, dhe fare pak rinovimi i vërtetë dhe alternativa politike, në cilindo pozicion të listës së hapur të vendosen, nuk mund të arrijnë të fitojnë. Klientelizmi më i dëmshëm është ai që bëhet rreth kryetarit të partisë, se klientelizmi në bazë, pasi lideri i fortë sjell pasoja që rëndojnë mbi jetën politike, dhe jo dy ose tre deputetë që kanë shfrytëzuar mundësi të ndryshme për të kaluar pragun dhe qenë prezent në Parlament. Në se do të shkojmë drejt listës së mbyllur, duhet të pranojmë se shkojmë drejt dështimit teorik dhe praktik të të gjitha tendencave për ndryshim në parti, të modernizimit të tyre dhe instalim real të demokracisë. Pushteti i pakufizuar që marrin liderët, për të vënë edhe radhën e emrave ku paracaktohen pak a shumë fituesit dhe humbësit brenda partisë, jep një goditje për demokracinë brenda partive, në emër gjoja të një zgjedhje më elitare parlamentare dhe të një fushate më të qetë. Lista e mbyllur bën gjithashtu që fushata të identifikohet me emrin e liderit dhe të krijohet kësisoj edhe kulti i tij, i cili reflektohet nesër edhe në administrimin e pushtetit.Lista e mbyllur jep një goditje edhe për partitë e vogla. Në se pranojmë kushtin e proporcionalit, ku realisht jepet shansi që të kemi një vullnet më përfaqësues dhe jo një vullnet të deformuar, siç është rasti i Dushkut, atëherë duhet menduar që Kuvendi të ketë një shprehje më të detajuar të realitetit shoqëror. Përvoja na ka treguar se mjaft parti politike janë stimuluar nga ligji zgjedhor që kemi aktualisht dhe kanë një prezencë të pamerituar dhe artificiale. Për t’u provuar në ringun politik, ligji proporcional është një mundësi që u jepet jo vetëm atyre, po mbi të gjitha zgjedhësve, të cilët kërkojnë subjektin që përfaqëson, por kjo mundësi nuk ka pse t’i ngushtohet në mënyrë asgjësuese. Lista e mbyllur, që “garanton” vetëm tre-katër fitues, çmobilizon të gjithë kandidatët e tjerë dhe kësisoj e gjithë partia humbet, ndërkohë që me listën e hapur kemi një motivim të të gjithë kandidatëve, të cilët rrjedhimisht i sjellin votën partisë. Shqipëria ka ende nevojë që dy polet kryesore, PS dhe PD, të kenë pushtet të kontrolluar brenda kampeve respektive, të jenë të detyruara të bëjnë marrëveshje jashtë vullnetit të liderëve të tyre dhe politika të ecë mbi bazën e kompromiseve dhe jo të  imponimit të kartonëve të vetëm një partie. Kështu kemi edhe një vendimmarrje qeverisëse bazuar mbi negocimet e vazhdueshme politike që ruajnë qëndrueshmërinë e shumicës dhe jo atë që imponohet nga ajo e një lideri të vetëm me pushtet absolut, ku është shumë afër mundësia për të shkuar drejt sjelljeve arrogante që kufizojnë ndjeshëm liritë politike. Rastet i kemi prezent, ndaj ky eksperiment në emër të një detante elektorale, do të kishte pasoja shumëplanëshe në mjaft drejtime.Lista e hapur jep shanse si për individët brenda një subjekti politik, ashtu edhe për partitë, e kundërta, mbyll shtigjet për të dy palët dhe hap rrugën e abuzimit politik dhe të krijimit të liderit të fortë. Deputetët e gustos së liderit janë gjithnjë më të rrezikshëm se deputetët e shijes së publikut, prandaj nuk është as demokratike dhe as në kohën e duhur që të kufizojmë të drejtën e publikut dhe të zgjerojmë fuqinë dhe të drejtën e liderit, aq më shumë që përvoja pluraliste nuk arriti dot të shmangë shijen e hidhur të asaj diktatoriale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›