Prifti: LSI do dalë e vetme në zgjedhje
• LSI paralajmëron daljen nga koalicioni opozitar nëse PS e PD nuk përfshijnë të gjitha partitë në kryerjen e reformës zgjedhore.Aristir LumeziNënkryetari i LSI-së, Prifti, akuzoi dje socialistët se po shkatërrojnë koalicionin, duke iu rikthyer marrëveshjeve të pista me kryeministrin dhe liderin e maxhorancës, Berisha. "Nëse Rama dhe Berisha duan të lajnë hesapet me njerëzit e forcave politike, ky nuk është problem i Shqipërisë, por është problem i tyre. Shqiptarët nuk duhet të paguajnë haraçin e kësaj politike", tha Prifti. Nënkryetari i LSI-së kërcënoi dje se në këto kushte kjo parti mund të dalë edhe vetëm në zgjedhjet e ardhshme, pasi nuk kërkon të bëhet pjesë e lojës PS-PD. "Nëse PS-ja ka zgjedhur në mënyrë të njëanshme që tryeza e opozitës të mos funksionojë më, atëherë ne do të nisim fushatën vetëm", tha Prifti. Madje, nënkryetari i LSI-së shprehet i sigurt se nëse ata dalin më vete në zgjedhjet e ardhshme, LSI ka të gjitha mundësitë të dalë forcë e parë e së majtës. PS-LSIDuket se çarja mes dy partive të majta ka nisur për shkak të qëndrimeve të ndryshme që dy partitë mbajnë për reformën zgjedhore, por dhe për reformën në drejtësi. Rikthimi te bashkëpunimi bipartizan PD-PS, ka injoruar tryezën e koalicionit të majtë opozitar. Dy partitë e mëdha parlamentare, PS dhe PD, kanë rënë dakord në një pakt të heshtur për sistemin proporcional dhe listat e mbyllura të kandidatëve. Kjo bie ndesh me pretendimet e partive të tjera parlamentare, të cilat nuk janë dakord me bërjen e listave nga kryetarët e partive. Vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta, dy ditë më parë, nga Fieri i bëri apel PS-së dhe PD-së që të bëjnë shumë kujdes me reformën zgjedhore. "Nuk do të lejojmë më asnjë sistem monstër dhe të përçudnuar, që guxon të luajë dhe të deformojë votën dhe vullnetin e shqiptarëve. Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë pronë e askujt, por vetëm e shqiptarëve dhe veçanërisht e rinisë së këtij populli", tha Meta. Sipas tij, listat e hapura për të cilat PD dhe PS kanë frikë, garantojnë konkurrencën në elektorat. "Askush nuk duhet të ketë frikë nga listat e hapura, pasi listat e hapura garantojnë konkurrencën. Vetëm përmes një sistemi me lista të hapura ka kuptim parimi 'një anëtar, një votë'", tha Meta. Duket se LSI nuk është pozicionuar me krahun e dy partive të mëdha, për të lehtësuar miratimin e draftit që këto parti kanë gati për reformën zgjedhore, por ka mbajtur pozicionin e saj të përcaktuar edhe më parë në krah të partive të tjera parlamentare, të cilat i janë drejtuar komisionit të posaçëm parlamentar të reformës me një kërkesë konkrete.TryezaTryeza e partive të koalicionit opozitar mbetet e bllokuar. Pas zgjedhjes së presidentit të vendit, Rama nuk e ka thirrur më atë duke kërkuar aleanca të reja me elektoratin shqiptar përtej partive politike. Këtë filozofi ai e ka shprehur edhe gjatë dialogut të tij nëpër Shqipëri. Edhe pse tryeza është kërkuar disa herë, për shkak të një vendimmarrje për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, tryeza është anashkaluar pas paktit me PD-në.AnëtarësimetLSI e ka marrë seriozisht daljen vetëm në zgjedhjet e ardhshme, nëse PS dhe PD nuk marrin parasysh në reformën zgjedhore edhe interesat e partive të tjera parlamentare. Në vazhdim të hapjes së saj në elektorat, LSI ka bërë dy ditë më parë 200 anëtarësime të reja në rrethin e Fierit dhe vazhdon edhe në rrethet e tjera. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009, pritet të kenë konfigurime të reja koalicionesh.KërkesaPartitë parlamentare, përveç PS-së dhe PD-së i janë drejtuar Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore me disa kërkesa, të cilat nuk janë marrë parasysh, pasi komisioni nuk është mbledhur asnjëherë që prej marrjes së mandatit të tretë t'i diskutojë ato. Ata kërkojnë sistem proporcional të personalizuar, lista të hapura të kandidatëve, përmes të cilave rritet transparenca në zgjedhje dhe prag elektoral jo më shumë se 2.5 për qind.