“Pakti me Berishën ka prapavijë me interesa financiare”
• Deputeti socialist Petro Koçi përshëndeti dje pozicionimin e Ilir Metës kundër pazareve të kreut socialist Rama me Kryeministrin Berisha.Aristir Lumezi"Pozicionimi i ri i Ilir Metës ndaj çiftit politik Rama-Berisha përbën një zhvillim me shumë interes për të majtën dhe Lëvizjen Institucionale Socialiste. E majta ka nevojë për përfaqësim luajal dhe jo për demagogji dhe marketing fals", tha dje Koçi, duke vënë shenjën e barazisë mes shqetësimeve që shpreh kreu i LSI-së dhe atyre që ka shprehur prej kohësh Lëvizja që drejtohet prej tij. Sipas tij, pakti mes Ramës dhe Berishës për reformat integruese ka një prapavijë interesash eko-nomike. "Politika e re e çiftit Rama-Berisha përbën një manovër të sponsorizuar të së djathtës ekonomike dhe një marrëveshje për ndarje të zonave të influencës dhe fitimeve financiare", tha Koçi. Deputeti socialist i kërkon kreut të LSI-së të vazhdojë të mbajë qëndrim parimor për këto çështje dhe bashkëpunim me të gjitha forcat e së majtës. "Shpresoj që Ilir Meta, i cili natyrisht është më socialist se Rama, t'i qëndrojë këtij pozicionimi të ri, duke kërkuar ndërkohë edhe bashkëpunim me faktorë të tjerë progresistë të së majtës", tha Koçi. Deklarata e Koçit është një ofertë e hapur, që tregon se shumë shpejt mund të kemi një bashkëpunim mes LSI-së dhe përkrahësve të Lëvizjes për Politikë Institucionale brenda PS-së. Por deputeti socialist shprehet mjaft kritik edhe ndaj mënyrës se si Partia Socialiste po bën opozitë. Sipas tij, "paktet e hapura demagogjike, që fshehin ato me sfonde të errëta financiare dhe abuzive, nuk mund të injorojnë realitetin e rëndë ekonomik të lënë vite pas me të cilin po përballen sot shqiptarët. Reforma zgjedhore dhe ajo e drejtësisë janë vetëm maja e ajsbergut të mirëkuptimit dhe lojës së përbashkët Rama-Berisha". "Ç'vlerë kanë për shqiptarët evidentimet e problemeve, të cilat ata i dinë dhe i përjetojnë, kur PS-ja është e paaftë të marrë sot në dorën stafetën e reagimit demokratik popullor kundër ngritjes së pashembullt të çmimeve ushqimore, të energjisë elektrike, të taksave, të keqqeverisjes qendrore etj.", u shpreh Koçi. Sipas tij, "kjo heshtje aspak rastësore dhe aspak për interesat integruese, kërkon një vetëdije qytetare nga forcat progresiste brenda PS-së dhe simpatizantëve të saj". Në fakt, Pakti i propozuar nga kryetari socialist Edi Rama për reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi ka rikthyer bashkëpunimin bipartizan në Parlament, PS-PD.Madhi: Bashkëpunojmë me PS-PD për reformënKryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, tha dje se kjo forcë politike vazhdon të mbajë të njëjtin vullnet dhe gatishmëri për të bashkëpunuar me dy partitë e mëdha në vend për reformën zgjedhore. Duke rikonfirmuar edhe një herë qëndrimin e PR-së për reformën zgjedhore, Madhi vuri në dukje se "PR e ka përcaktuar vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe me partitë e mëdha, pasi janë gjetur zgjidhje për katër nga çështjet që kanë përbërë edhe vërejtjet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR". Duke u ndalur te çështja e sistemit zgjedhor, Madhi u shpreh se "PR nuk shkel parimet dhe kërkesat e saj dhe qëndron e vendosur deri në fund për të respektuar të drejtën e konkurrimit për çdo kandidat që do të marrë pjesë në votim".Oketa: Nuk ka marrëveshje PD-PS për reformën zgjedhoreZëvendëskryeministri Gazmend Oketa tha dje se dy partitë e mëdha, PD e PS nuk kanë asnjë marrëveshje mes tyre lidhur me reformën zgjedhore. Në një prononcim për mediat, numri dy i qeverisë theksoi se komisioni i posaçëm parlamentar do të vendosë lidhur me propozimet që do të vijnë për reformën zgjedhore. "Nuk ka asnjë marrëveshje mes dy partive kryesore politike, PD-së dhe PS-së për reformën zgjedhore. Përderisa është ngritur një komision i posaçëm është ai që do të vendosë për këtë reformë, duke i përcjellë Kuvendit propozime konkrete", u shpreh dje zëvendëskryeministri Gazmend Oketa. Sipas numrit dy të qeverisë, "edhe për reformën zgjedhore shpresoj për një konsensus sa më të gjerë, i cili do të kënaqë pjesën më të madhe të partive politike. Normalisht do të ishte shumë e vështirë të kënaqeshin interesat e të gjitha partive, por objektivi kryesor i PD-së dhe maxhorancës është arritja e një konsensusi sa më të gjerë dhe një sistem elektoral që do të pasqyronte realisht votën e qytetarëve dhe nuk do të sillte një produkt të deformuar. Një sistem i tillë do t'i jepte vendit një garanci dhe stabilitet politik, duke lehtësuar hapat drejt integrimit". Lidhur me pretendimet e partive të vogla në kuadër të reformimit të ligjit elektoral, numri dy i qeverisë u shpreh se është e vështirë të gjesh një sistem zgjedhor perfekt, ku të gjitha palët të jenë të kënaqura. "Ky do të ishte rasti ideal dhe do të uroja që të ndodhte, por reforma ka edhe procese të tjera si infrastruktura zgjedhore, që janë pajisja e qytetarëve me karta identiteti, regjistri elektronik i Gjendjes Civile, listat elektronike etj., për të cilat qeveria po punon intensivisht. Tashmë jemi informuar që në mes të këtij viti përfundon regjistri i Gjendjes Civile, ndërsa në fund të shkurtit hapet tenderi i pajisjes me karta identiteti", theksoi më tej zv.kryeministri Oketa. a.sh