Berisha: Mesazhi i 20 shkurtit, konsolidimi i demokracisë
• Kryeministri Sali Berisha, ka përkujtuar dje 20 shkurtin e vitit 1991, ditë në të cilën u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha, në qendër të Tiranës.Në një deklaratë për shtyp kreu i qeverisë u shpreh se “Mesazhi i madh i 20 shkurtit, për ne shqiptarët, është ndërtimi dhe konsolidimi i lirisë dhe demokracisë në vendin tonë, mbështetja me të gjitha mjetet e përpjekjeve të vendeve të lira për përmbysjen e regjimeve totalitare kudo në botë”. Sipas Kryeministrit Berisha, pas një greve legjendare të urisë të studentëve të Universitetit të Tiranës 17 vjet më parë dhe demonstratave më të fuqishme, u përmbys në sheshin qendror të Tiranës busti i diktatorit më mizor që kombi shqiptar kishte njohur në tërë historinë e tij. “Enver Hoxha dhe regjimi i tij, me luftën e egër të klasave, mbushjen e vendit me burgje, hiperkolektivizimin total, varfërinë dhe mjerimin që mbolli, izolimin më të thellë dhe bunkerizimin e vendit, tjetërsoi Shqipërinë dhe shqiptarët. Për të gjitha këto, Konferenca e Bashkimit Demokratik Evropian, e mbledhur në Paris, në pranverë të vitit 1991, do ta cilësonte atë si Hitleri i pasluftës në Evropë”, vijoi më tej kreu i qeverisë.