E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, paratë e 2008 në qershor

• Agjencia e Kthimit të Pronave përcakton mënyrën e re të ndarjes së fondeve prej 5 milionë USD për vitin 2008.BLEDAR HOTINdryshe nga herët e tjera fondi i akorduar nga ana e qeverisë pritet të shpërndahet më herët, duke bërë edhe një shtim të procedurave për verifikimin pronës që do të kompensohet financiarisht. Sipas burimeve pranë AKKP-së, fondi prej 500 milionë lekësh synohet të shpërndahet brenda muajit qershor të këtij viti. Në fakt fondi i AKKP-së është 680 milionë lekë, por vetëm 500 milionë janë për pronarët, pjesa tjetër për shpenzimet dhe pagat e agjencisë. Ndërsa gjatë këtyre tre viteve fondi është shpërndarë në fund të muajit dhjetor. Projekti-vendimi i Agjencisë së Kthimit të Pronave është dërguar pranë Këshillit të Ministrave dhe brenda pak javësh pritet të merret një vendim për mënyrën e re të shpërndarjes së fondit. “Subjektet e shpronësuar, prona e të cilëve është e njohur e gjitha për kompensim dhe që nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, të kompensohen, sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit sipas viteve”, thuhet në pikën një të vendimit të AKKP-së. E njëjta procedurë si në vitin e kaluar pritet të përdoret edhe gjatë  këtij viti. Gjithashtu është përcaktuar se vlera e kompensimit të jetë deri në 200 m2 të sipërfaqes së përcaktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Ndërsa është vendosur që subjektet (ish-pronarët) që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Procesi i regjistrimit dhe pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon për 20 ditë. Ky është afati i përcaktuar nga AKKP-ja për të realizuar mbledhjen e informacionin të duhur. Verifikimi në terren i pronësNjë proces tjetër i përcaktuar nga AKKP-ja është verifikimi në terren i pronës dhe përcaktimi në hartë i pronës për ish-pronarët që kanë më shumë se 200 metër katrorë për t’u kompensuar. “AKKP-ja së bashku me zyrat rajonale: “Kryen verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës; Përgatit plan-vendosjen e pronës dhe cakton; në hartën e vlerës përcakton zonën ku ndodhet prona; në bashkëpunim me subjektin e shpronësuar cakton pjesën e pronës që kërkohet për t’u kompensuar, kur prona është mbi 200 m2, dhe i kërkon personit, që ka prokurën e përfaqësimit, të firmosë për pjesën që kompensohet”. Ndërsa për herë të parë personi, ish-pronari që nuk shpallet fitues ka të drejtën që t’i drejtohet gjykatës nëse nuk është dakord me vendimin e AKKP-së. “Agjencia bën vlerësimin ligjor të kompensimit; përgatit relacionin përkatës, si dhe  vendimin për kompensim ose jo të subjektit të shpronësuar. I dërgon subjektit te shpronësuar, Avokatit të Shtetit dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kopje të vendimeve të marra me qëllim për t‘i dhënë mundësi atyre të ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore (të drejtën e ankimit në gjykatë, regjistrimin e vendimit që ka pranuar kërkesën e subjektit të shpronësuar për kompensim)”, thuhet në këtë vendim.Harta e vlerës në shkallë vendiNdërsa katër ditë më parë qeveria miratoi hartën e çmimeve për gjashtë qarqe të vendit, duke e plotësuar të gjithë hartën e vlerës së trojeve në rang republike. Ndër këto vlera janë edhe çmimet për trojet për kryeqytetin, Tiranën. Këto çmime për Tiranën kanë pësuar ndryshime krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa AKKP-ja pritet të nisë edhe procesin e kompensimit financiar edhe për trojet bujqësore. Ky kompensim përfshin të gjitha fshatrat e Shqipërisë.Etapat e kompensimit  Kompensimi i parë është bërë në dhjetor të vitit 2005, si kompensim financiar i subjekteve me fondin 200.000.000 lekë vetëm për qytetin e Tiranës. Kompensimi ishte i pjesshëm, deri në 200 m2. Përzgjedhja e subjekteve përfitues u bë me short. Në vitin 2006 fondi për kompensim ishte 3 milionë USD, ndërsa në vitin 2007 mbi 5 milionë USD. Ndërsa për vitin 2008 fondi kompensimit kap vlerën e 5 milionë USD amerikanë. Në këto vite kompensimi është bërë mbi bazën e numrit të vendimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›