E Diel, 1 Nëntor 2026

Leka Zogut i kthehen armët, por pa fishekë

• Qeveria pritet t’i hapë sot dritën jeshile familjes mbretërore për të marrë sërish armët të cilat iu konfiskuan në aeroportin e Rinasit në vitin 2002.ADI SHKEMBI Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka dërguar në qeveri një projektvendim “Për mënyrën e trajtimit të koleksionit të armëve të zjarrit të ish-familjes mbretërore”. Kështu në projektvendim thuhet se trashëgimtarët e familjes së Mbretit Zog kanë të drejtë të mbajnë në mjediset e vendbanimit të përhershëm, koleksionin privat të armëve (të lehta) të zjarrit. Por ajo që bie në sy është fakti se nuk do të kthehet municionet që kishte me vete familja mbretërore gjatë ardhjes në Tiranë. Por kalimi i armëve nga forcat e rendit te familja mbretërore nuk do të bëhet kaq thjeshtë, por përmes një inventarizimi të detajuar. “Koleksioni i armëve të zjarrit, përpara se t’u dorëzohet, të regjistrohet dhe më pas të mbahet, në vazhdimësi i inventarizuar në llogari të veçantë nga strukturat e Policisë së Shtetit”, thuhet në paragrafin e parë të pikës 2 të këtij projektvendimi. Përveç inventarit nga ana e policisë, në këto armë do të shikohet edhe aspekti i trashëgimisë kulturore. “Elemente të këtij koleksioni, të cilësuara nga komisioni i përhershëm i objekteve të trashëgimisë kulturore si objekte të kësaj trashëgimie, të regjistrohen dhe pajisen me pasaportë nga qendra kombëtare e inventarizimit të pasurive kulturore”, thuhet më tej në pikën 2 të projektvendimit. Më pas, ruajtja e koleksionit të armëve do të bëhet në një magazinë të posaçme, e cila duhet të sigurohet me roje të armatosura, në shërbim 24 orësh. Ky shërbim duhet të sigurohet edhe në vendin e ekspozimit të armëve, për sa kohë ato mbahen të ekspozuara. Kjo mënyrë ruajtje e armëve, detyron familjen mbretërore të kontraktojë një shoqëri sigurie për ruajtjen e tyre. “Trashëgimtarët e ish-familjes mbretërore, për ruajtjen dhe magazinimin e koleksionit, janë të detyruar të lidhin kontratë me një shoqëri të ruajtjes dhe sigurisë fizike, të licencuar”, theksohet në nenin 4 të projektvendimit, i cili do të shqyrtohet në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, lëvizja e koleksionit të armëve, janë mjediseve të ruajtjes së përhershme duhet të bëhet patjetër me leje të policisë. Ndërsa për lëvizjen e objekteve, të cilësuara si objekte të trashëgimisë kulturore, jashtë mjediseve të ruajtjes së përhershme, para lejes nga ana e policisë duhet marrë më parë leja nga ministri i Turizmit dhe Kulturës, Ylli Pango. MasatNë këtë projektvendim parashikohen gjithashtu edhe një sërë masash lidhur me ruajtjen dhe administrimin e këtij koleksioni armësh nga ana e familjes mbretërore. Në pikën gjashtë të projektvendimit thuhet se: “Për parandalimin e cenimit të rëndë të rendit dhe të sigurisë publike, apo në raste kur vërehet mosplotësimi i kushteve dhe i rregullave për ruajtjen dhe administrimin e sigurt të koleksionit, Policia e Shtetit e merr koleksionin në ruajtje të përkohshme deri në rregullimin e kushteve/të situatës”. Projektvendimi i paraqitur nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i jep të drejtë Policisë së Shtetit që nëpërmjet strukturave të saj ka të drejtë të kontrollojë në çdo kohë respektimin dhe zbatimin e rregullave, të përcaktuara në këtë vendim dhe në aktet e tjera nënligjore në fuqi. “Ngarkohet ministri i Brendshëm të nxjerrë udhëzime, ku të përcaktohen rregullat, për t’i bërë të paefektshme për qitje armët e këtij koleksioni dhe rregullat teknike, për dorëzimin e ruajtjen e tyre”, thuhet më tej në projektvendim. Ruajta e armëve me shoqëri të licencuarRuajtja e armëve, detyron familjen mbretërore të kontraktojë një shoqëri sigurie për ruajtjen e tyre. “Trashëgimtarët e ish-familjes mbretërore, për ruajtjen dhe magazinimin e koleksionit, janë të detyruar të lidhin kontratë me një shoqëri të ruajtjes dhe sigurisë fizike të licencuar”, theksohet në projektvendim. Enkelejd AlibeajMinistri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në letrën për dhënien e mendimit për këtë projektvendim thekson se, duhet të specifikohet lloji i kontratës që do të lidhet mes palëve për ruajtjen dhe magazinimin e koleksionit. Duke iu referuar ligjit për statusin e familjes mbretërore, Alibeaj thotë se duhet të përcaktohet në mënyrë eksplicite subjekti i cili do të mbulojë shpenzimet për sigurimin e koleksionit. Bujar NishaniNë relacionin e projektvendimit, ministri Nishani rrëzon propozimin e ministrit Alibeaj. "Në lidhje me sugjerimin e Ministrisë së Drejtësisë për përcaktimin e llojit të kontratës, nuk është marrë parasysh, sepse kontrata e lidhur me shoqërinë e ruajtjes dhe sigurisë fizike nuk është një kontratë sigurimi në bazë të nenit 1113 të Kodit Civil", thotë Nishani në relacion. Ylli PangoMinistri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango kërkon që në hartimin e këtij projektvendimi të merret parasysh ligji për trashëgiminë kulturore, sipas të cilit objektet e trashëgimisë kulturore në mënyrë të detyrueshme duhet të regjistrohen në qendrën kombëtare të inventarizimit dhe pasurive kulturore, e cila lëshon pasaportën e objektit në bazë të këtyre të dhënave. Policia sekuestroi në Rinas armët e ZogutPas 63 vitesh në mërgim, familja mbretërore u kthye në Shqipëri në vitin 2002. Ndërsa u takua me autoritete qeveritare dhe parlamentare në aeroportin e Tiranës, pretendenti për fronin mbretëror tha se nuk planifikon të angazhohet në politikë. Megjithatë, Leka Zogu gjithashtu kërkoi që vendi të zhvillojë një tjetër referendum në lidhje me formën e tij të qeverisjes. Ndërsa Zogu dhe familja e tij u drejtuan për në një vilë në kryeqytet, bagazhi i tyre u sekuestrua në aeroportin e Tiranës. Sipas njoftimeve të shtypit, policia shqiptare sekuestroi 11 arka që përmbanin armë dhe municione, përfshirë mortaja dhe granata dore. Në atë kohë Zogu tha se armët ishin pjesë e një koleksioni personal. Zogu dhe familja e tij u kthyen në Shqipëri me dokumente autorizimi të përkohshëm dhe në atë kohë iu nevojiteshin pasaporta të Republikës së Shqipërisë për të qëndruar në vend. Zogu ishte protagonist edhe i ngjarjeve të vitit 1997, kur pasi u ra dakord për të organizuar një referendum për mënyrën se si do të qeverisej vendi, Zogu mbështeti rikthimin e mbretërisë. Zogu, fitoi 30 për qind të votave. Por trashëgimtari i fronit nuk pranoi ta njihte rezultatin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›