Kreu i komunës Frakull: Pse u bashkova me LSI-në
• Kryetari i komunës Frakull në Fier, Viktor Cervenaku, deklaroi se LSI është parti e së ardhmes.Në një prononcim për mediat, menjëherë pas takimit në komunën e tij me kreun e LSI-së, Ilir Meta, ku u zyrtarizua kalimi i tij te kjo forcë politike, me marrjen e teserës, Cervenaku i bëri thirrje dhe anëtarëve të tjerë të PSD-së që t'i bashkëngjiten Lëvizjes Socialiste për Integrim. "Partia Socialdemokrate është një limon i shtrydhur në politikë dhe nuk mund të japë më shumë se çka dhënë për shqiptarët në këta 17 vjet. Unë u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të PSD të bashkohen me LSI, si forca më progresiste e të majtës shqiptare", është shprehur Cervenaku. Në një takim me qindra të rinj në komunën e Frakullit, Ilir Meta ka shpërndarë 200 tesera të reja. Kryetari i kësaj komune, i cili i përkiste Partisë Socialdemokrate, Viktor Cervenaku, kaloi tek LSI, duke lënë teserën e PSD-së. Ndërsa Ilir Meta pas këtij akti u shpreh se, "LSI do të jetë gjithnjë e hapur për të pritur të gjithë ata që duan të japin kontributin e tyre për zhvillimin e këtij vendi, për integrimin evropian të tij". Mësohet se në ditët në vazhdim do të ketë edhe lëvizje të tjera të anëtarësisë së partive të majta drejt LSI-së, e cila ka ndezur motorët për t'u përgatitur për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009.