E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humb kontrollin e maunës, vdes 22-vjeçari

06/02/2009  Plagoset dhe shoferi

SARANDË - Maunia me targa të Beratit, që ishte duke transportuar një ngarkesë me xham në drejtim të Sarandës, ka dalë nga rruga dhe vetëm rastësisht ajo nuk ka përfunduar përmes masivit pyjor, në liqenin e Hidrocentralit të Bistricës mbi burimet e Syrit të Kaltër. Burimet policore nga komisariati i Delvinës thanë se pesha e ngarkesës ka sjellë rrëshqitjen e automjetit në anën e djathtë të rrugës për në Sarandë. Si pasojë ka gjetur vdekjen 22-vjeçari Fotjon Aliaj, punëtori i ngarkim-shkarkimit të maunës së transportit. Burimet spitalore thanë se drejtuesi i automjetit, Ciriljon Guri, 43-vjeçari nga Berati, ka pësuar dëmtime të ndryshme. I shoqëruar nga patrulla e policisë, Guri ka kryer ekzaminime në radiologjinë e spitalit të Sarandës, nga të cilat ka rezultuar me thyerje të disa brinjëve, me nxjerrje të shpatullës dhe dëmtime në parakrah. Ndërkohë, kufoma e viktimës Fotjon Aliaj është transportuar në morgun e spitalit “Petro Nako” të Sarandës. Burimet spitalore thanë se ai ka gjetur vdekjen pas dëmtimeve të rënda që ka marrë në pjesën e kokës, si pasojë e aksidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›