Trepça ’89 kërkon ta nisë me fitore

Sezoni i ri i Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll fillon sot, me dy ndeshjet e para. Nënkampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës, Trepça ’89 do ta presë në Mitrovicë, Besën e dobësuar.
Mitrovicasit shihen si favoritë në këtë duel në bazë të përforcimeve që kanë bërë, por edhe për faktin se luajnë në terren vendës. Trajneri Rafet Prekazi e ka ‘vajtuar’ largimin e Kastriot Rexhës, i cili së fundmi iu bashkua Vllaznisë së Shkodrës, por beson se mitrovicasit do të dalin mirë nga ky takim.
“Ne jemi gati, këtë e kemi vërtetuar edhe me Prishtinën në Superkupë. Por, duhet pranuar se Kastriot Rexha do të na mungojë shumë. Me largimin e tij, duhet ndërruar taktikën. Pres nga lojtarët që të angazhohen dhe ta fillojmë sezonin me fitore, ngase kjo është e rëndësishme. Por, më duhet ta pranoj se fillimi i sezonit gjithmonë është i vështirë. Besa, përkundër fakti se është dobësuar, e ka traditën dhe di të jetë e paparashikueshme”, ka thënë trajneri mitrovicas.
Në anën tjetër, pejanët kanë mbetur pa shumicën e futbollistëve të përbërjes së parë, të cilët i janë bashkuar Deçanit në Ligën e Parë. Sidoqoftë, kjo nuk e pengon trajnerin Miftar Rama që ta synojë një rezultat pozitiv në Mitrovicë.
“Kjo do të jetë një lojë shumë e fortë për ne. Na janë larguar katër lojtarë dhe Bajraktari e Zhara do të na mungojnë për shkak të kartonëve. Sidoqoftë, ne jemi përgatitur psikikisht dhe fizikisht dhe shkojmë në Mitrovicë për ta nxjerrë një rezultat pozitiv”, tha Rama, i cili e ka zëvendësuar trajnerin Valdet Shoshi.
Kjo nënkupton se ekipi bardhekuq, që përbëhet kryesisht nga lojtarë të rinj, do të ishte i kënaqur edhe me një barazim nga sfida me ‘Xehetarët’, të cilët sivjet e synojnë titullin e kampionit.
Në duelin tjetër, që zhvillohet po ashtu sot, Drenica do të përballet me debutuesin e Superligës, Hajvalia, e cila ka bërë disa përforcime të rëndësishme gjatë kësaj vere. Ndërkaq, ndeshjet e tjera të xhiros së parë do të zhvillohen të mërkurën dhe të enjten.
Raiffeisen Superliga
E martë
Drenica – Hajvalia
Trepça ’89 – Besa
Këto ndeshje fillojnë në ora 17:00