Perballjet mes Barcelones dhe Realit te Madridit
Përveç trofeve, një superyll synon gjithashtu rekorde. Këtë e bën instinktivisht edhe Lionel Mesi, uria e të cilit për të shënuar gola është tashmë legjendare. Numri 10 i Barcelonës ka shënuar 13 gola në portën e Realit të Madridit dhe i duhet vetëm një gol që të hyjë mes 5 më të mirëve të kësaj renditjeje. Rekordin e Barcelonës në ndeshjet “El Klasiko” e ka mitiku Sesar Rodrigez që realizoi 14 gola në vitet 40-50, ndërsa Leo nuk besohet ta ketë të vështirë që ta arrijë. Mesi është vetëm 2 gola larg 3 emrave të mëdhenj të Realit, si Pushkash, Gento e Raul Gonzales që kanë shënuar 15 herë në portën e Barçës. Raulit iu deshën nja 30 ndeshje për t’I shënuar 15 golat, ndërsa argjentinasi ka pasur nevojë vetëm për 17 të tilla, madje në dy të fundit nuk ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë. Në majë fare është një tjetër legjendë, Alfredo Di Stefano. Argjentinasi që u bë spanjoll dhe la fanelën katalanase për atë të Realit, ka realizuar 18 gola në ndeshjet “El Klasiko”. Duke qenë që Mesi është vetëm 24 vjeç, e ka mundësinë që të bëhet rekordmeni absolut. Në kampin e Realit, ndërkaq, njoftohet se Zhoze Murinjo e ka grumbulluar Pepen në skuadrën që udhëtoi drejt “Kamp Nou” për klasiken e dytë të Kupës. Fillimisht, u mendua se mbrojtësi portugez do të lihej jashtë, por ndodhi e kundërta. Ndërkaq, shumica e tifozëve madrilenë janë kundër daljes së tij në fushë në Barcelonë. Së fundi, gjyqtar i ndeshjes do të jetë Fernando Teisheira Vitienes, njeriu që gjykoi ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës mes këtyre dy skuadrave, një barazim 2-2 në Madrid, ku vendasit u ankuan se ai nuk akordoi një penallti ndaj Kristiano Ronaldos.