Reali i Madridit mendon Vengerin ne vend te Murinjos

Një vals tjetër trajnerësh mund të nisë dhe gjithçka sillet rreth një emri të vetëm, dhe ky emër është ai i Zhoze Murinjos. Zërat janë shtuar se portugezi do të largohet nga stoli i Realit të Madridit, ndërsa tabloidi britanik, “Daily Mail”, shkruan në mënyrë eksluzive se në “Bernabeu” po mendojnë edhe një herë për Arsen Vengerin. Vetë francezi nuk po kalon ditët më të mira tek Arsenali, ndërsa tifozët ka ndodhur që e kanë kritikuar. Edhe më e vështirë është gjendja e Murinjos tek Reali, ndërsa mediat spanjolle kanë shkruajtur që një ditë më parë se kandidatë për stolin madrilen janë Joakim Lëv dhe Rafa Benitez. Murinjo pati debate me dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, Sergio Ramosin dhe Iker Kasijasin, ndërsa tifozët e vërshëllyen në shumicë gjatë ndeshjes së fituar në “Bernabeu”, 4-1 ndaj Atletik të Bilbaos për kampionat. Ndërkaq, njëri nga drejtuesit më të lartë të Interit, Tronketi Provera, nuk lë dyshime për ndjenjat që ekzistojnë tek zikaltërit për ish-trajnerin e tyre. “Për çdo interist, Murinjo është i lidhur me shumë emocione, pra përse të mos kthehet këtu në të ardhmen? – tha ai, - ne jemi të kënaqur me gjendjen aktuale, por “jeta” e skuadrës është prioritet”. Po Guardiola? “Me Ranierin jemi shumë mirë, Guardiola nuk është një temë që diskutohet”, - u shpreh Tronketi-Provera. Murinjo fitoi 3 trofe në sezonin 2009-2010 me skuadrën milaneze duke triumfuar në Serinë A, në Ligën e Kampionëve dhe në finalen e Kupës së Italisë.