E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenis britaniku Andi Marrej arriti ne gjysmefinale

Ëndrra japoneze ishte e destinuar të përfundonte në çerekfinale. Kei Nishikori u eleminua nga britaniku Andi Marrej pas 3 seteve të thjeshtë në Australian Open, duke mos arritur ta thyente rekordin. Nishikori u bë i pari japonez që arrinte në 8 më të mirët në Melburn në 80 vitet e fundit, por marshimi i tij u ndal këtu, në fushën qendrore “Rod Lejvër Arena”.
Marrej i fitoi lehtë setet me rezultatin 6-3, 6-3 e 6-1 dhe tani do të synojë të kapërcejë edhe gjysmëfinalen për të provuar fitoren e titullit.
Ndeshja zgjati 2 orë e 12 minuta dhe u luajt në një mot tepër të nxehtë në verën australiane. Britaniku nuk pati nevojë të luante shkëlqyeshëm për të fituar dy setet e parë me rezultatin e njëjtë 6-3, ndërsa në të tretin e rriti shumë nivelin e tenisit të tij duke humbur vetëm një lojë.
Tek femrat, ndeshjet e fundit çerekfinale u luajtën më herët sesa Marrej të dilte në fushë. Çekja Petra Kvitova nuk e pati edhe aq të lehtë ndaj italianes Sara Errani, por përfundimisht arriti të fitonte 2-0 me sete me rezultatin 6-4, 6-4. Kvitova u ndodh në humbje 1-4 në setin e dytë dhe ndeshja u duk se do të vendosej nga një set final, por tenistja çeke ia doli të përmbyste rezultatin.
Kvitova do të luajë në gjysmëfinale ndaj ruses Maria Sharapova, e cila mundi patrioten e saj Jekaterina Makarova. Sharapova, fituese në Melburn në vitin 2008, fitoi më lehtë sesa mendohej. Ajo fitoi setin e parë 6-2 dhe të dytin 6-3. Makarova kishte eleminuar më parë pesë herë kampionen australiane, Serena Uilliams.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›