“Përballuam me sukses një nga situatat më të rrezikshme hidrike”

Ministri Prifti hedh poshtë akuzat, kërkon ballafaqim mediatik me “ekspertët” e Edvinit Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka deklaruar se opozita nuk ka të drejtë ligjore e morale për t’i kërkuar atij dorëheqjen dhe se këtë mund të bëjnë vetëm kryeministri i vendit dhe kryetari i LSI-së. Ministri Prifti u shpreh gjatë një konference për shtyp, se është i gatshëm të dalë në një debat publik televiziv me çdo person të stafit të Edi Ramës për të bërë transparencë përpara çdo shqiptari për çdo gjë të ndodhur gjatë dy javëve të fundit. Në këtë drejtim, kreu i METE-s nënvizoi faktin se të gjithë zyrtarë me të lartë të vendit, por edhe të huaj, e kanë përgëzuar për menaxhimin e mirë që i bëri sistemit energjetik në këtë kohë me prurje të jashtëzakonshme. “Gjatë gjithë këtyre ditëve ju keni dëgjuar që edhe nga opozita ka pasur akuza të përditshme, kërkesa për dorëheqje për mua dhe për kryeministrin. Unë po them që të drejtë ligjore dhe të drejtë morale për të kërkuar dorëheqjen time nga detyra ka vetëm dy persona. Njëri quhet Sali Berisha, është kryeministër i vendit dhe vetëm ai ka të drejtë ligjore e morale të gjykojë punën time, se si e kam bërë dhe pastaj të kërkojë dorëheqje apo të falënderojë për punën, siç më ka falënderuar. Personi i dytë quhet Ilir Meta, që është kryetari i partisë sime. Duke qenë se jemi në një koalicion ai ka të drejtën morale të më kërkojë mua të largohem nga detyra nëse nuk përmbush përgjegjësitë dhe detyrimet e mia si ministër. Edhe ai person mua dhe të gjithë punonjësit i ka falënderuar për detyrën e bërë me sakrifica dhe gjithë përkushtim”. Më tej, ministri i Energjetikës ftoi kreun e opozitës që të zgjedhë një person nga stafi i tij për të dalë në një debat publik dhe nëse nuk e ka guximin ta bëjë këtë bën mirë të heshtë e të mos shpifë. “Zgjidh njeriun më të mirë që ke në stafin tënd, zgjidh atë që e ke ministër hije të energjetikës ose e ke ministër të ardhshëm të energjetikës nëse do të vish ndonjëherë në pushtet dhe unë e ftoj të dalë me mua në debat publik. Nëse nuk ke guximin të vësh përballë meje njeriun tënd më të mirë që të bësh transparencë përpara të gjithë shqiptarëve, atëherë pusho, mos shpif, mos trillo dhe mos ofendo ata njerëz të cilët kanë punuar me përkushtim 24 orë për t’i dhënë të gjithë shqiptarëve drita dhe për ta lehtësuar sa më shumë situatën e njerëzve që janë të përmbytur në zonën e Shkodrës dhe nën Shkodrës”, u shpreh ministri Prifti. Ai vuri në dukje se gjatë gjithë kësaj periudhe është përpjekur të jetë sa më pranë punonjësve të sektorit energjetik, për të dhënë sa më shumë informacion dhe për të bërë sa më shumë transparencë në këtë kohë. “U përballua situata me një sakrificë dhe një përkushtim të madh nga i gjithë sektori. Unë sot të gjithë punonjësve të sektorit energjetik në Shqipëri u kam dërguar një letër falënderimi, sepse kemi kaluar një situatë shumë të vështirë, e cila e godet një vend një herë në 100 vjet. U përballua me shumë sakrificë, por u përballua me shumë sukses. Nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë që ne të prodhonim 29 milionë kilovat/orë energji në ditë nga sistemi energjetik. Kjo ishte një thyerje rekordi. Nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë që ne të eksportonim 12 milion kilovat orë në ditë”, deklaroi me tej, ministri i Energjetikës, Dritan Prifti....