E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcaktohet paketa e re me shtatë lloje të ndryshme shërbimesh

12/12/2008  Shërbimet shëndetësore në poliklinika

Përcaktohet paketa e re shërbimeve shëndetësore që do të ofrohet gjatë vitit të ardhshëm në qendrat e kujdesit parësor. Kjo do të mundësojë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që do t’u ofrohen pacientëve nga mjekët e familjes dhe ata specialistë. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Elvana Hana ka pohuar ditën e djeshme se është në proces hartimi i paketës sipas shtatë shërbimeve bazë që do të ofrohen në qendra. “Paketa përmban shërbimin e urgjencës, shëndetin e fëmijës, shëndetin e të rriturit, kujdesi për gruan dhe shëndeti riprodhues, shëndeti i moshës së tretë, shëndeti mendor, edukimi shëndetësor dhe promocioni i shëndetit”. Ndërkohë janë hartuar dhe udhëzuesit e parë klinik për shërbimet bazë, në mënyrë që për çdo sëmundje të ketë një trajtim dhe ndjekje të vazhdueshme nëpërmjet dokumentimit të ecurisë së saj hap pas hapi. Në këtë mënyrë, çdo mjek i familjes do të ketë një bazë të caktuar për kurimin dhe diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshe që paraqiten në popullatë, veçanërisht të atyre kronike, të cilat zënë dhe peshën më të madhe të përhapjes. Ndërkohë lidhur me ecurinë e treguesve të reformës në shërbimin parësor Hana ka pohuar se këta tregues janë në rritje, madje edhe më shumë sesa planifikimet e bëra. “Për vitin 2007, pra në vitin e parë të reformës, treguesit e performancës në shkallë vendi ishin mesatarisht 40 për qind, ndërsa për 9-mujorin e parë të këtij vit ky tregues arriti në 75 për qind, shifër kjo mjaft e ndjeshme. Ndërsa bonusi prej 5 për qind shtesë për cilësinë e shërbimit, i cili shpërndahet çdo 3 muaj, është arritur në masën 60 për qind nga qendrat shëndetësore”, - ka përfunduar Hana.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›