E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, kushte për centralet e energjisë

12/12/2008  Mbledhja e 5-të e Komunitetit të Energjisë ngre detyra për vendet anëtare

Barbaso: Shqetësimi ynë kryesor zbatimi i standardeve të sigurisë publike

Ofrimi i sigurisë publike dhe standarde të rrepta për shëndetin. Këto janë kushtet që duhet të zbatojë Shqipëria paraprakisht, që në hartimin e një plani për të ndërtuar një central bërthamor, apo një impiant tjetër që prodhon energji. Nëse Shqipëria është drejt integrimit evropian duhet të zbatojë kushtet që ka vendosur Komisioni Evropian. Deklarata është bërë nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Fabricio Barbaso, gjatë konferencës për shtyp, pas mbledhjes së 5-të të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë.

Siguria

Zhvillimet e fundit të politikës së Bashkimit Evropian për energjetikën kanë të bëjnë me propozimin e një direktive të re për rritjen e sigurisë së këtyre impianteve. “Kur një vend përgatitet për të ndërtuar një central bërthamor duhet që të përmbushë standardet më të larta në fushën e shëndetit dhe të sigurisë publike. Vetëm një javë më parë Komisioni Evropian ka propozuar një direktivë të re, e cila propozon fuqizimin e parimeve për rritjen e sigurisë në lidhje me përgatitjen e ndërtimit të centraleve bërthamore. Duke qenë se prioriteti i politikës së jashtme të Shqipërisë është anëtarësimi në BE, atëherë ne do ta mirëprisnim nëse këto standarde do të zbatoheshin nga ky vend qysh në fillim të ndërmarrjes së një aktiviteti në fushën e energjisë bërthamore”, - u shpreh Barbaso. Sipas tij, duhet të miratohen dhe zbatohen me shpejtësi masa të tilla që synojnë uljen me 20% të çlirimit të gazrave karbonikë në atmosferë dhe 20% kursim të energjisë brenda vitit 2020. Po kështu, sipas tij, është e nevojshme edhe hartimi i raporteve të kontrollit për sistemet e ngrohjes dhe ftohjes në ndërtesa pasi ky zë konsumon 40% të energjisë.

Energjitë e rinovueshme

Shqipëria është duke rishikuar strategjinë lidhur me energjitë e rinovueshme. “Duhet pasur parasysh edhe fakti që mjaft vende të rajonit janë vende të pasura me burime të zhvillimit të energjive të rinovueshme, të cilat janë ende të pashfrytëzuara”, - tha Ruli. Sipas tij, kjo po bëhet me asistencën të huaj. “Prioritetet që janë mbajtur parasysh, përfshijnë çuarjen përpara të hapave në lidhje me zhvillimet në tregun e energjetikës të një dimensioni social, investimet dhe eficensën në lidhje me energjetikën, por edhe sigurinë e ofertës së energjisë”, - tha ministri Ruli. Sipas zotit Barbaso, rrjetet evropiane kërkojnë qindra miliard euro investime për të zëvendësuar infrastrukturën e shkuar në kohë dhe për tu përshtatur me kërkesat e reja për energji të rinovueshme. Ai vlerësoi përpjekjet që Shqipëria po bën për përafrimin e legjislacionit në këtë drejtim.

Energjia e erës

Gjatë dy viteve të fundit ERE ka dhënë leje për ndërtimin e 7 centraleve të mëdhenj me erë dhe një TEC me biomasë. Këto vepra së bashku llogaritet të kenë një fuqi të instaluar prej 1500 MW. Sipas projekteve të miratuara, llogaritet se në to do të investohen mbi 2 miliardë euro. Projektet përfundojnë në vitin 2011 dhe vetëm parku i Karaburunit në Vlorë, që është më i madhi pritet të jetë gati në 2014, duke dyfishuar prodhimin e energjisë në vend.

Energjia hidrike

Vendi ynë ka rreth 20 milionë kilovat/orë të pashfrytëzuara për rreth 400 hidrocentrale të përmasave të ndryshme, sipas të dhënave zyrtare të Qeverisë. Por alternativa e vetme e vendit aktualisht për plotësimin e nevojave për energji elektrike është rezerva ujore, pra prodhimi i energjisë nga hidrocentralet. Kërkesa shtesë për energji plotësohet me importimin e energjisë elektrike për të cilën harxhohen mesatarisht në vit rreth 200 milionë euro.

Energjia bërthamore

Qeveria shqiptare ka shprehur gatishmërinë e saj për ngritjen e një centrali bërthamor. Sipas zyrtarëve të lartë të shtetit, ky central nuk do të shërbejë vetëm për të përballuar nevojat që vendi ka për energji elektrike, por do të jetë edhe një burim importi për vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë. Aktualisht kanë nisur procedurat me Agjencinë ndërkombëtare Atomike për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm.

Vendimet

Tre ishin vendimet që u morën gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë. Një prej tyre ishte ngritja e një qendre të posaçme të ankandeve për rajonin për kapacitetet transmetuese të energjisë që do të ngrihet vitin e ardhshëm në Mal të Zi. Në takim u vendos ngritja e një grupi koordinimi rajonal për sigurimin e energjisë, rishikimi i strategjive kombëtare për të futur si pjesë energjitë e rinovueshme si edhe është miratuar një listë projektesh prioritare energjetike rajonale.

Mbledhja

Këto 6 muaj Shqipëria kishte presidencën e Komunitetit rajonal të Energjisë, që më 1 janar e merr Bosnjë Hercegovina. Në këtë komunitet janë 7 vende të rajonit. Gjatë mbledhjes së djeshme u bë një bilanc i prioriteteve të këtij komuniteti. Prioritet gjatë kryesimit së Presidencës nga Shqipëria kanë qenë zhvillimi i tregut të energjisë, marrja e masave për reduktimin e problemeve sociale si pasoja e reformave, investimet në nivel kombëtar si dhe sigurimi i burimeve të energjisë.

Nafta

Kryefjala e takimeve të mëvonshme do të jetë sektori i naftës. Një tjetër vendim ky i marrë gjatë takimit të djeshëm. Sipas zotit Barbaso, aktiviteti i komunitetit të energjisë do të zgjerohet pikërisht në këtë drejtim. “Ne informuam ministrat në takim për nisjen e negociatave për anëtarësimin në këtë komunitet me Ukrainën dhe me Republikën e Moldavisë, si dhe me Turqinë më vonë. Kjo do ta rrisë efektivitetin e komunitetit të energjisë”, - theksoi në fjalën e tij Barbaso.

Ministri i Ekonomisë thekson se po rishikohet strategjia

Ruli: Ja lista e projekteve shqiptare për energjinë

Një TEC me qymyr importi është në projekt për tu ngritur në vendin tonë. Sipas ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, ky është një prej projekteve që po shqyrton Qeveria, veç atyre që janë bërë publike në media për burimet alternative të energjisë. “Së pari, janë linjat e interkonjeksionit, ku ne kemi vënë si projekte parësore linjën me Kosovën, me Maqedoninë dhe atë më Italinë. Gjithashtu janë edhe projektet e mëdha të hidrocentraleve që janë në proces si ai i Skavicës dhe për fazën përmbyllëse të kontratës për kaskadën e Devollit. Por edhe projektet e prodhimit alternativ të energjisë që ne po shohim, siç është mundësia e ngritjes së një TEC-i të madh të teknologjisë moderne me qymyr importi”, - theksoi Ruli. Këto janë projekte me karakter kombëtar, sipas tij, por që kanë impakt jo vetëm në sektorin vendas energjetik, por edhe në atë ndërkombëtar dhe rajonal. “Në listën e madhe të projekteve unë do të sillja në vëmendje edhe dy kontratat që u nënshkruan me kompanitë italiane gjatë vizitës së Kryeministrit italian, njëra për një impiant degazifikimi dhe tjetra për një nga impiantet më të mëdha eolike prej 800 megavatësh në Shqipëri”, - tha Ruli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›