Hajdutët shembin murin, por nuk hapin dot kasafortën
Një pikë këmbimi valutor në rrethin e Lushnjës është bërë objekt grabitjeje në orët e para të mëngjesit të së hënës, por hajdutët nuk kanë mundur të marrin asgjë, pasi nuk kanë hapur dot kasafortën e blinduar ku mbaheshin paratë. Hajdutët mësohet se kanë hyrë në ambientet e pikës së këmbimit valutor nëpërmjet një dyqani që ndodhet ngjitur me të dhe në përfundim janë larguar me disa paketa cigaresh dhe pak para që kanë gjetur në këtë dyqan. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë Lushnjë tregojnë për gazetën "Shqip" se kjo ka qenë një tentativë e dështuar e disa personave ende të paidentifikuar që dyshohet të ketë qenë më shumë se dy. Ka qenë pronari i dyqanit, Xhelal Muça, ai që ka njoftuar policinë e Lushnjës. Ai ka pohuar se sapo kishte shkuar rreth orës 05:00 të mëngjesit të së martës për të hapur dyqanin, kishte parë një rrëmujë të vërtetë, si dhe një pjesë të shembur në murin lidhës të lokalit të tij me degën e pikës së transfertave të parave. Policia, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes ka gjetur në dyqan një shtyllë betoni, mbi të cilën ka fiksuar gjurmët e gishtave të disa personave, si dhe murin lidhës mes dy aktiviteteve të hapura në një madhësi sa mund të hynte lirshëm një njeri. Sipas policisë, personat kanë hyrë me anë të thyerjes në lokalin e shtetasit Muço dhe me anë të shtyllës së betonit kanë hapur murin lidhës mes tyre. Pasi kanë tentuar pa sukses të hapin kasafortën, grabitësit kanë marrë prej lokalit disa steka cigaresh dhe disa të holla që janë ndodhur nga xhiroja e mbrëmjes së kaluar. Sipas pronarit të lokalit, shuma e dëmit llogaritet në 100 mijë lekë. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.
Ma.Tr.
Ma.Tr.