Goditi e kanosi kreun e ALUIZNI-t, arrestohet
Ishte shpallur në kërkim nga ana e policisë, pasi kishte goditur në krye të detyrës kreun e zyrës së legalizimeve të Prefekturës së Elbasanit, Ditor Musaj. Sipas burimeve zyrtare të policisë, rreth orës 08:10, të së hënës, nga ana e Komisariatit të Policisë Elbasan është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i 37-vjeçarit Hysen Peza, lindur dhe banues në lagjen "Qemal Stafa" Elbasan. Sipas të njëjtave burimeve, Peza më datën 27 shtator të këtij viti ka goditur e kanosur për shkak të detyrës 61-vjeçarin Ditor Musaj, lindur në Lushnjë dhe banues në lagjen "Brigada 17 Sulmuese" Elbasan. Ndërkohë, nga burime jozyrtare, konflikti kishte lindur në zyrën e kreut të Legalizimeve që drejtohet nga Musaj për shkak të procedurave të vonuara të një prone për të cilën Peza priste prej shumë kohësh legalizimin. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale "Goditje për shkak të detyrës" dhe "Kanosje për shkak të detyrës".
Be.Dy.
Be.Dy.