E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditet nga rrufeja, vdes blegtori 46-vjeçar

Një 46-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e goditjes së rrufesë. Ai është përcjellë me urgjencë në spitalin civil të Lushnjës nga familjarët që e kanë gjetur në çastet e fundit të jetës, por çdo përpjekje e tyre dhe e mjekëve ka qenë e dështuar, pasi babai i 3 fëmijëve kishte ndërruar jetë menjëherë pas goditjes së rrufesë. Ngjarja është shënuar gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të hënës në fshatin Krutje të rrethit të Lushnjës. Hamdi Dafi, 46 vjeç, kishte qenë në banesë në kohën kur nisi shiu dhe moti i keq me vetëtima. Ai ka dalë nga banesa dhe ka shkuar pranë kasolles së lopëve për t‘i sistemuar ato dhe për të mos i lënë në shi. Në tentativë për të mbrojtur gjënë e gjallë, ai është goditur nga rrufeja, duke rënë përtokë pa ndjenja. Vonesa e tij ka alarmuar familjarët, të cilët kanë shkuar dhe e kanë gjetur pa shenja jete. Ata e kanë dërguar me urgjencë në spitalin civil të Lushnjës, por pa rezultat. Mjekët e spitalit kanë pohuar se ndërhyrja ka qenë e kotë, pasi 46-vjeçari kishte ndërruar jetë menjëherë pas goditjes së rrufesë. Kujtojmë se vitin e kaluar dy persona kanë gjetur vdekjen nga rrufetë.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›