E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet me respekt në banesën e fundit, babai i Fatos Nanos

Tiranë - Respekti për Thanas Nanon, të atin e ish-kryeministrit Fatos Nano, që u nda dje nga jeta në moshën 92-vjeçare, ka vazhduar gjatë ditës së sotme në hollin e Televizionit Publik Shqiptar. 

 Këtu rreth orës 13:30 mbërriti arkivoli i shoqëruar nga familjarët e tij, ku binin në sy i biri, Fatosi, njëra nga motrat, i biri i Fatosit si dhe bashkëshortja e tij, Xhoana. Të parët që i kanë shtrënguar dorën Fatos Nanos dhe të afërmve të tjerë të familjes, duke shprehur ngushëllimet e rastit, kanë qenë drejtuesit e Televizionit Publik, ku Thanas Nano ka punuar për rreth 20 vite. Një çast pas tyre Fatos Nanon e kanë ngushëlluar shoqëria e të atit, njerëz në moshë të thyer. Më të shumtë kanë qenë sidomos miqtë e vjetër dhe të rinj të Nanos, si dhe anëtarë të ish-stafit të tij kryeministror. E veçanta ishte se njerëzit në këtë ceremoni nuk ishin rreshtuar sipas vlerës që kanë apo kishin pasur dikur. Kështu përkrah ish-ministrave të ndryshëm shihje edhe njerëz fare të zakonshëm. Po kështu ishin të pranishëm edhe një numër jo i pakët artistësh me emër deri edhe ish-drejtues të lartë të policisë. Ndër politikanët e parë i pranishëm ishte edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga Gramoz Ruçi. Ai ka shtrënguar duart me Nanon, por kjo ka zgjatuar vetëm një moment. Ish-kryeministri u ka kushtuar të gjithëve vetëm pak sekonda kohë. Ceremonia e varrimit është zhvilluar në orën 16:00, ndërsa dy orë më pas, ish-kryeministri Nano ka pritur të gjithë pjesëmarrësit në ceremoninë e varrimit në një drekë të organizuar te restorant “Piaca” në qendër të Tiranës. Thanas Nano lindi në Nokovë të Gjirokastrës, më 23 mars 1916 dhe jetoi 92 vjet. Ish-partizan, menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë ai u angazhua me ndërtimin dhe funksionimin për herë të parë të Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH). Më pas, për një periudhë 20-vjeçare ai ishte drejtues i radios dhe më tej edhe i televizionit të vetëm shqiptar. Gjithashtu ai ka qenë për një periudhë kohore edhe shef i Zyrës së Informacionit në Kryeministri në kohën kur kryeministër ishte Mehmet Shehu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›