E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon 39 vite burg për "pedofilët" anglezë

PRETENCA

Organi i akuzës i kërkoi dje Gjykatës së Tiranës dënimin e dy anglezëve të akuzuar për krime seksuale me të mitur në Shqipëri

Përfaqësuesja e akuzës kërkoi që vuajtja e dënimit nga të akuzuarit të kryhej në Shqipëri, e më pas ata të dëboheshin si të padëshiruar

TIRANË- "Dino Christodolu dhe Robin Arnold kanë abuzuar seksualisht me fëmijët endacakë që gjenin strehë në qendrën bamirëse "Fëmijët e tij" në kryeqytet". Në këtë përfundim ka arritur përfaqësuesja e akuzës, prokurorja Erida Lamka, pas shqyrtimit gjyqësor të dosjes penale në ngarkim të dy anglezëve të akuzuar për pedofili.

Prokurorja e çështjes, Lamka, në përfundim të fazës gjyqësore me leje të togave të zeza lexoi konkluzionet përfundimtare ndaj dy anglezëve, duke kërkuar dënimin e tyre në total me 39 vjet burg, dhe pas vuajtjes së dënimit të dëbohen nga Shqipëria, si persona "non grata".

Në fjalën e saj prokurorja Lamka, kërkoi nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Shefkije Demiraj, që të deklarojë fajtor të pandehurin Dino Christodolu për kryerjen e veprës penale të "marrëdhënieve homoseksuale me të mitur" në bashkëpunim ndaj dy të miturve dhe dënimin e tij me 22 vjet burg.

Ndërkohë, për të pandehurin Robin Arnold, prokurorja kërkoi dënimin e tij me 17 vjet burg, pasi kishte abuzuar vetëm me një fëmijë dhe me të tjerët kishte krijuar miqësi të ngushtë duke i trajtuar mirë.

Por, përveç masës së dënimit, prokurorja kërkoi nga Gjykata e Shkallës së Parë që dy të pandehurit t'i dënojë edhe me dëbimin e tyre nga Shqipëria, si persona "non grata". Sipas pretencës së prokurorisë, dy të pandehurit gjatë punës së tyre si vullnetarë në qendrën bamirëse "Fëmijët e tij" në kryeqytet të drejtuar nga administratori David Braun, kanë abuzuar me fëmijët që gjenin strehë për të banuar dhe ushqyer në atë qendër.

"I pandehuri Dino Christodolu ka abuzuar me dy të mitur të moshës 6 dhe 7 vjeç, në kohën kur këta të mitur jetonin dhe banonin në qendrën bamirëse "Fëmijët e tij" që ndodhej në rrugën "Dervish Hekali", në banesën private me nr. 32, për shkak të kushteve të këqija ekonomike pranë familjeve të tyre. Ndërkohë, i pandehuri Robin Arnold gjatë qëndrimit të tij në këtë qendër bamirëse ka abuzuar seksualisht me një të mitur të moshës 6 vjeç"-tha prokurorja.

Në vazhdim të fjalës së saj, prokurorja Lamka nënvizoi se të pandehurit, përveç abuzimit seksual, kanë përdorur edhe sende të forta për të kryer veprën penale, si pinca, e metoda të tjera sadiste.

Këto abuzime, sipas prokurorisë, janë kryer brenda ambienteve të kësaj qendre që ndodhej në rrugën "Dervish Hekali" në kryeqytet gjatë periudhës 2003-2005, kohë që dy të pandehurit ishin vullnetarë bamirës në këtë qendër.

Sipas prokurores "nga hetimi gjyqësor është provuar dhe faktuar me anë të dëshmitarëve dhe vetë viktimave si dhe nga provat shkresore e materiale se të pandehurit Dino Christodolu dhe Robin Arnold kanë konsumuar veprën penale të "marrëdhënieve homoseksuale me të mitur" në bashkëpunim"-thuhet në konkluzionet e prokurores Lamka.

Gjithashtu, në fjalën e saj prokurorja nënvizoi se dy të pandehurit duhet të izolohen në një burg të sigurisë së lartë, për shkak të rrezikshmërisë së kryerjes së kësaj vepre penale.

Të pandehurit Dino Christodoulou 45 vjeç dhe skocezi Robin James Arnold, 56 vjeç, janë ekstraduar nga Londra në maj të 2008 për tu gjykuar lidhur me abuzimet seksuale të kryera ndaj të miturve në shtëpinë e fondacionit "Fëmijët e tij" (His Children), në bashkëpunim me administratorin e kësaj qendre David Braën që tashmë është dënuar me 20 vite burg.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›