Reshjet, Çorovoda 3 ditë pa ujë të pijshëm
Mosmarrëveshjet mes institucioneve të pushtetit lokal mësohet të jenë shkak për problemet me ujësjellësin
Banorët shprehen se problem më të madh përbën mungesa e ujit për larje, çka sjell mungesë të higjienës
ÇOROVODË - Reshjet e dendura të shirave kanë krijuar një situatë kaotike në furnizimin me ujë të pijshëm të 8 mijë banorëve të qytetit të Çorovodës. Lumi i Tomorricës, i cili kalon në Dëvri, përshkon kanionet e Gradecit dhe nëpërmjet përroit të Guakut derdhet në Osum, ka dalë nga shtrati dhe nëpërmjet prurjeve të gurëve ka dëmtuar tubacionin kryesor të Ujësjellësit të Guakut, që furnizon qytetin. Që prej 3 ditësh situata është kaotike dhe Shtabi i Emergjencave Civile pranë Bashkisë po punon për të mbajtur situatën nën kontroll.
Sipas banorëve, furnizimi në ditët e para u bë me mjete të vetë banorëve, duke shfrytëzuar burimet pranë lumit Osum, por sipas tyre problemi qëndron tek mungesa e ujit për larje edhe në banjat familjare, çka mund të sjellë pasoja të tjera higjienike.
Edhe pse Çorovoda që prej tre ditësh është vënë në siklet dhe banorët i sheh më bidona në duar, organet vendore vetëm sa mundohen të zbusin sadopak nevojat e tyre për ujë. Specialisti i Emergjencave Civile në Prefekturën e Beratit, Halim Koxhaj, në një prononcim për gazetën "Shekulli" sqaron: "Është e vërtetë që në qytetin e Çorovodës për shkak të reshjeve të shiut është dëmtuar tubacioni kryesor i ujësjellësit që furnizon qytetin me ujë të pijshëm.
Ky është një problem që përsëritet çdo vit, sa herë që përroi i Guakut del nga shtrati. Ajo që kemi në dorë ne si sektor emergjence në Prefekturë ka të bëjë me ndihmë e zgjidhje emergjente të problemit, çka jemi duke e bërë me mjaft përkushtim.
Mund të them se në qytet aktualisht furnizojnë popullsinë me ujë 5 autobotë, 3 të Ministrisë së Mbrojtjes dhe 2 të shërbimit zjarrfikës. Jemi në pritje të stabilizimit të nivelit të ujërave për të ndërhyrë në tubacion e për të furnizuar qytetin normalisht. Kjo do të varet edhe nga moti, që do të thotë se një përkeqësim i situatës metereologjike do të zgjaste krizën e ujit".
Sipas Koxhajt, edhe pse situata po menaxhohet me kujdes, zgjidhja përfundimtare do të ishte betonizimi i tubacionit, me qëllim që rrjeti të mos dëmtohet nga goditja e gurëve që sjell përroi.
Mësohet se fondet për këtë investim janë çelur, por lëvrimi i tyre nuk është bërë për shkak të mosmarrëveshjeve midis institucioneve të pushtetit lokal. E deri sa ky investim do të zvarritet, Çorovoda do të mbetet pa ujë, sa herë të bien shira të rrëmbyeshëm.