E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkohen 18 vjet burg për Damiano Toshin

I dënuar dy herë me burgim të përjetshëm për vrasjen e basketbollistëve korçarë, Sokol Jahollari dhe Rafael Riza, tashmë ai rrezikon një tjetër dënim prej 18 vitesh burg. Dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë lexuar konkluzionet përfundimtare të akuzës në procesin ndaj Damiano Toshit, i akuzuar për "Trafikim të femrave për prostitucion", "Keqtrajtim" etj. Prokurori ka kërkuar deklarimin fajtor të 25-vjeçarit dhe dënimin e tij me 18 vjet burg. Ngjarja për të cilën ai po gjykohet ka lidhje me trafikimin e një vajze të mitur në Greqi dhe më pas në Belgjikë, ku ajo është shfrytëzuar, duke u detyruar të punojë si prostitutë. Hetimi kishte nisur kohë më parë, ndërsa pjesa më e madhe e procesit gjyqësor u zhvillua pa praninë e të pandehurit, i cili ishte fshehur në Gjermani për t‘i shpëtuar drejtësisë. Në këtë periudhë Toshi ka kryer edhe vrasjen e basketbollistëve korçarë, një ngjarje që pati një jehonë të madhe në opinionin publik. Më pas ai ishte larguar në drejtim të Greqisë e më pas në Gjermani. Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, autoritetet gjermane arritën ta prangosnin atë dhe më pas u krye ekstradimi në Shqipëri. Në seancën e ardhshme pritet fjala e fundit e mbrojtjes dhe më pas gjykata do të japë vendimin përfundimtar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›