LSI: Mazhoranca ka dështuar me legalizimin
"Kryeministri dhe mazhoranca që ai drejton e ka komplet jashtë kontrollit situatën dhe procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave dhe atë të legalizimeve". Këtë deklaratë bëri dje sekretarja organizative e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Brizida Gjikondi. Sipas saj, Kryeministri Berisha pranoi publikisht dështimin total të procesit të legalizimeve. "Në mënyrë paradoksale, mbasi ligji dhe ndryshimet e tij antidemokratike kishin kaluar në komisionin përkatës, ai si mjeshtër i hipokrizisë u bënte thirrje deputetëve të tij që të konsultoheshin me ish-pronarët dhe grupet e interesit?!!", tha Gjikondi. Ajo vuri në dukje se siç bën përherë Kryeministri, arriti deri aty sa me papërgjegjshmërinë e tij dhe mosnjohjen juridike të shpikë sanksione penale dhe indirekt të stimulojë vëllavrasjen ndërmjet shqiptarëve "konkretisht, atyre që kanë ndërtuar objekte pa leje dhe atyre që ju janë zënë pronat, duke shmangur komplet përgjegjësitë e veta", këmbënguli Gjikondi. Aktualisht, sqaroi ajo, procesi i Kthimit dhe Kompensimit të ish-pronarëve ka hyrë në një kaos dhe kolaps total, po ashtu dhe ai i legalizimeve. "Kurrsesi mazhoranca në pushtet s‘mund t‘i zgjidhë këto fenomene të mbivendosura ndërmjet tyre dhe me të njëjtin akt ligjor", tha Gjikondi. Ndërsa në vlerësimin e LSI-së ka ardhur koha që Presidenti Topi, përtej deklaratave mediatike të mbikëqyrë realisht hartimin dhe zbatimin e një legjislacioni specifik dhe bashkëkohor për çështjet e pronave dhe legalizimeve.