Përcillet për në banesën e fundit mjeku Fatmir Thaçi
Dje u përcoll për në banesën e fundit mjeku radiolog, Fatmir Thaçi, i cili u vra të premten në ambientet e Spitalit të Durrësit me tre plumba në kokë nga Ali Lorja, tashmë i arrestuar. Për nder të mjekut u zhvilluan homazhe në ambientet e Spitalit të Durrësit, ku familjarët e të ndjerit u ngushëlluan nga dhjetëra mjekë kolegë të Thaçit, të cilët kanë qenë jo pak të shokuar nga vrasja e tij. Kolegët, të cilët një ditë më parë ishin pushtuar nga paniku pasi gjithçka ndodhi vetëm pak hapa larg tyre, ditën e sotme kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të Fatmir Thaçit. Bashkëshortja dhe dy vajzat e mjekut të ndjerë kanë pritur ngushëllime jo vetëm nga të afërm dhe kolegë të Thaçit, por edhe nga personalitete të larta të shtetit, si dhe nga qindra qytetarë të thjeshtë. Mjeku radiolog u vra ditën e premte në zyrën e tij nga Ali Lorja, i cili pak minuta më pas u vetëdorëzua në polici duke deklaruar se “viktima” e tij ishte përgjegjës për vetëvrasjen e bashkëshortes Liljana Lorja dy muaj më parë.
Denoncohen për mitmarrje, policia arreston tre mjekë
Policia ka arrestuar dje tre mjekë të akuzuar nga qytetarët për mitmarrje. Denoncimi erdhi përmes linjës telefonike falas 199, të denoncuara nga qytetarët. Rastet e reja u përkasin qendrave kryesore mjekësore. Të arrestuarit janë: një mjek specialist, 54-vjeçar, një mjek internist, të cilët në mënyrë të koordinuar i kanë kërkuar 400 euro një pacienti për një ndërhyrje kirurgjikale. Policia, pas organizimit të këtij aksioni, ka vënë në pranga mjekun internist, tek i cili janë gjetur paratë e marra. Në rastin e dytë është arrestuar një 45-vjeçare e punësuar në Spitalin Ushtarak. Ajo u ndalua pasi një pacienti i kishte marrë 50 euro për të ndikuar te mjeku specialist për të kryer një ndërhyrje mjekësore te një pacient 19-vjeçar nga Kratova. Katër ditë më parë, Policia e Tiranës arrestoi dje tre mjekë dhe dy infermiere të Materniteti Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”. Nga të dhënat paraprake të Policisë së Shtetit akuzat janë për veprën penale të korrupsionit pasiv. Të pesë personat akuzohen se u kanë marrë para nën dorë pacientëve për shërbimin mjekësor të ushtruar ndaj tyre. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë mësohet se efektivat blu kanë ekzekutuar vendimet e marra disa orë më parë nga Gjykata e Tiranës. Po të njëjtat burime sqaruan se gjyqtari i gatshëm, pasi ka mësuar kërkesën e prokurorit, kishte vendosur arrest shtëpie për tre mjekët dhe dy infermieret e maternitetit “Koço Gliozheni”. Bluzat e bardha akuzohen për ryshfet dhe mitmarrje, ndërsa ishin në hetim nga policia prej tetë muajsh.
5 Tetor 2009