E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perdedaj, i lumtur për debutimin

Fanol Perdedaj ndihet i lumtur për debutimin që bëri në Bundesligë, në fanellën e Herthës. Mesfushori shqiptar thotë se do ta japë gjithmonë maksimumin, kur t’i jepet rasti. 20-vjeçari e lëvdoi trajnerin Otto Rehhagel, për të cilin thotë se është zbavitës dhe se është kënaqësi të punosh me të.

Fanol Perdedaj ndihet i lumtur që debutoi në Bundesligë në fanellën e Hertha Berlinit. Edhe pse pak kush e priste, futbollisti shqiptar luajti 90 minuta të shtunën, në fitoren 1:0 ndaj Werder Bremenit. Dhe, mesfushori shqiptar nuk e zhgënjeu trajnerin Otto Rehhagel, duke bërë paraqitje pozitive.

“Ishte një ndjenjë mjaft ngazëlluese. Fillimi ishte emocionues, por kur vazhdon loja, entuziazmi kalon. Jam mjaft i lumtur për paraqitjen time të parë dhe për fitoren”, deklaroi 20 vjeçari, për uebfaqen zyrtare të klubit, herthabsc.de.

Ai tregon se ka mësuar se do të luajë, vetëm pak kohë para ndeshjes. “Trajneri më tha: Ti do të luash nga fillimi. Ai e di mirë mënyrën time të lojës”, shtoi ai.

Pas ndeshjes, ish selektori i Greqisë, me të cilën ishte shpallur kampion i Evropës, e ka lavdëruar Perdedajn në konferencë për shtyp. Për këtë, ai ndihet mirë. “Ndihem i privilegjuar që trajneri ka thënë kështu për mua. Por, kush më njeh, e di se unë nuk pushoj së punuari. Do të vazhdoj ta jap më të mirën”, vijoi Perdedaj, i cili e lavdëroi trajnerin gjerman.

“Është vërtetë zbavitës. Kënaqemi në fushë gjatë ushtrimeve. Ndër të tjera, është trajner i zgjuar, që të jep shumë këshilla. Është kënaqësi të punosh me të, jam i lumtur që ai është këtu”, thotë futbollisti shqiptar, të cilin në Gjermani e krahasojnë me mesfushorin e Milanit, Gennaro Gattuso.

Perdedaj shton se fitorja ndaj Werder Bremenit ishte mjaft e rëndësishme, pas shumë ndeshjesh pa fitore. Në fund, ai thotë se do ta bëjë më të mirën në stërvitje, për ta vënë trajnerin në vështirësi, rreth zgjedhjes së formacionit bazë, duke nisur nga ndeshja e ardhshme me Kolnin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›