E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, dënohet për pedofili 61-vjeçari

VENDIMI/ Gjykata e Vlorës ka vendosur dënimin me 7 vjet heqje lirie për shtetasin Ksenofon Janku

Ish-roja i TEC-it të vjetër u deklarua fajtor se tentoi të kryente marrëdhënie homoseksuale me një 7-vjeçar

VLORË - Tentoi të kryejë marrëdhënie homoseksuale me djalin e shokut të tij, por është vënë në pranga dhe dje ka marrë dënimin me 7 vjet heqje lirie. Gjykata e Shkallës së Parë të Vlorës e deklaroi fajtor 61-vjeçarin Ksenofon Janku, duke e pranuar akuzën e ngritur ndaj tij për “kryerje të marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të mitur”, e mbetur në tentativë. Nga ana e përfaqësueses së prokurorisë u kërkua tetë vjet burg për të moshuarin, por nga togat e zeza u dha vendimi për dënimin e tij me 7 vjet heqje lirie.

Ngjarja

Gjithçka ka filluar 7 muaj më parë, kohë në të cilën 61-vjeçari Ksenofon Janku punonte si rojë private te TEC-i i vjetër në Vlorë. Mësohet se njëri prej kolegëve të tij të punës kishte një djalë 7-vjeçar, i cili një pasdite kishte dalë për të blerë diçka. Rrugës në kthim, ai është ndeshur me kolegun e të atit, i cili e ka ftuar që të luante pranë objektit ku shërbente si rojë. Pas kësaj, i mituri është marrë forcërisht dhe ndaj tij është tentuar që të kryheshin veprime të turpshme. Por, kundërshtimi i fortë i fëmijës dhe të qarat e tij janë dëgjuar nga një kalimtar, banor i zonës, i cili qëlloi rastësisht aty pranë. Menjëherë ai ka shkuar në vendngjarje dhe ia ka marrë 61-vjeçarit nga duart të miturin. Pas dërgimit në shtëpi të 7-vjeçarit, prindërit e tij nuk kanë ngurruar që t’i drejtohen policisë për të bërë denoncimin ndaj Jankut.

Gjyqi

Pas marrjes së denoncimit policia vuri në pranga 61-vjeçarin dhe pas mbledhjes së dëshmive dhe provave, dosja e tij i është paraqitur Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës. I pandehuri është vetëdeklaruar gjatë gjithë procesit gjyqësor i pafajshëm për akuzën e ngritur ndaj tij, duke e quajtur të pavërtetë ngjarjen e përshkruar nga përfaqësuesja e prokurorisë. Por, provat e paraqitura para togave të zeza e kanë bindur trupin gjykues se 61-vjeçari Ksenofon Janku ishte fajtor për akuzën e ngritur ndaj tij, si rrjedhojë në vendimin e djeshëm ai është deklaruar fajtor dhe është dënuar për “kryerje të marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të mitur”, mbetur në tentativë, me shtatë vjet heqje lirie. Çështja pritet që të kalojë edhe në Gjykatën e Apelit nga ana e mbrojtësve ligjorë të 61-vjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›