Shijak, 70- vjeçari masakrohet me 5 thika
Dëshir Metalla është gjendur i vdekur në banesën e Zydi Xhafës. Policia: Dyshojmë se vrasja u krye pas një sherri banal
DURRËS- Një 70-vjeçar nga Shijaku është vrarë pasditen e djeshme në qytezën e Shijakut me pesë thika. Trupi pa jetë i Dëshir Metallës është gjendur në katin e parë të një banese që ndodhej pas xhamisë. Sipas policisë, banesa është e 68- vjeçarit Zydi Xhafa, dhe pikërisht ky i fundit është i dyshuari kryesor për krimin.
Personat që kanë konstatuar vrasjen kanë njoftuar menjëherë policinë. Sipas tyre, i moshuari ndodhej i shtrirë në një pellg gjaku.
Ekspertët e policisë kanë pohuar se ai ishte goditur nga pesë goditje thike, tre prej të cilave kanë qenë vdekjeprurëse. Goditjet kishin qenë të thella, tre prej te cilave ne pjesën e qafës nga ku nga hemorragjia i është shkaktuar dhe vdekja. Dy goditje të tjera, sipas ekspertëve mjeko- ligjorë, janë marrë në pjesën e parakrahut si dhe në shputën e dorës.
Duke rindërtuar skenën e krimit, hetuesit kanë pohuar se këto goditje janë marrë në momentin që viktima ka tentuar që të vetëmbrohet para sulmit te papritur që i ka marre jetën. Policia ka gjetur dhe sekuestruar ne vend ngjarje edhe thikën me të cilën është realizuar vrasja. Ajo ishte hedhur vetëm pak centimetra larg trupit të viktimës.
Hetuesit kanë shoqëruar për në komisariat të zotin e shtëpisë ku u gjend i masakruari me thikë. Por sipas hetuesve, ai ishte në gjendje tejet të dehur dhe komunikimi me të ishte i pamundur. Hetuesit kanë vendosur që të mbajnë 68 -vjeçarin Zydi Xhafa në komisariat deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Sipas policisë, dyshimet kryesore të kësaj vrasjeje bien mbi Xhafën.
Ata mendojnë se të dy kanë qenë duke pirë së bashku dhe se pasi kanë konsumuar sasi të mëdha alkooli kanë nisur që të grinden. Tashmë priten analizat laboratorike dhe marrja në pyetje e fqinjëve rreth ndonjë konflikti të vjetër që mund të jetë bërë edhe shkak i rindezjes së konfliktit që i mori jetën 70 -vjeçarit në prag të Vitit të Ri.