Përdhunoi nxënësen e klasës së shtatë, arrestohet
Policia e Fierit ka vënë në pranga një 23-vjeçar nga fshati Kreshman i komunës Cakran
FIER - Ushtron dhunë seksuale mbi një të mitur, 10 vjet më të re se ai, por përfundon në pranga në orët e vona të mbrëmjes së të hënës.
Një 23-vjeçar nga fshati Kreshman, komuna Cakran, është arrestuar për shkak se është denoncuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një nxënëse të klasës së shtatë. Burime nga policia bëjnë të ditur se i arrestuari e ka shoqëruar të miturën pasi kthehej nga shkolla, meqë ishin të njohur.
Por rrugës, teksa lëviznin një një vend ku nuk kalonin shumë njerëz, i riu ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me 13-vjeçaren. Më pas është larguar, duke e lënë të miturën në të njëjtin vend.
Kjo e fundit, e shtangur nga dhuna seksuale, ka mbetur palëvizur, ndërsa vonesa e saj ka shqetësuar prindërit. Të vënë në kërkim të vajzës së mitur, ata e kanë gjetur rrugës për në shtëpi në një gjendje jo të mirë psikologjike.
Në kontakt me prindërit 13-vjeçarja ka treguar për ngjarjen, duke identifikuar edhe dhunuesin e saj. Menjëherë më pas ata i janë drejtuar policisë ku kanë kryer denoncimin për të riun.
Ndërkohë vajza i është nënshtruar ekspertizës mjekësore dhe pas kësaj është prerë edhe fletë-arresti për 23-vjeçarin. I përballur me uniformat blu, ky i fundit ka mohuar çdo lloj kontakti me të miturën, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e "kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura nën 14 vjeç".