Afrim Hasani para vrasjes kërkoi ndihmë për emigrim
HASANI
I arrestuari për vrasjen e dy policëve rrugorë të Kukësit pritet të shkojë brenda javës në gjyq, për një proces të pëshpejtuar
Krimet e Rënda, kanë zbardhur dinamikën e veprimeve të Hasanit, para krimit ndaj efektivëve blu dhe përplasjen e parë me ta
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, zbardh ngjarjen e vrasjes së dy policëve dhe brenda javës do të dërgojë për gjykim pranë togave të zeza, dosjen penale në ngarkim të të pandehurit Afrim Hasani.
Ndërkaq sipas hetimit të kryer prej tyre, përpara krimit të rëndë ndaj policëve Dobrushi dhe Hila, ai i kishte kërkuar miqve të tij të holla për t'u larguar nga Shqipëria pasi ndaj tij kishte nisur një hetim për shkatërrim si dhe goditje dhe fyerje të efektivëve blu.
Të gjitha veprimet e Afrim Hasanit para dhe pas vrasjes, sipas hetuesve, janë zbardhur tërësisht dhe kërkesa për gjykim pritet të shkojë në Gjykatë këtë javë. Sipas akuzës, i pandehuri do të gjykohet për katër vepra penale, atë të "vrasjes në rrethana cilësuese" më shumë se njëherë; "Shkatërrimit të pronës"; "kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik" dhe "Goditjes për shkak të detyrës".
Kjo e fundit, sipas prokurorisë, është konsumuar nga i pandehuri Hasani shtatë ditë para vrasjes së dyfishtë ndaj efektivëve të policisë Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila. "Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i pandehuri Afrim Hasani me datë 17 mars 2009 është përleshur fizikisht me dy policët, Dobrushi e Hila.
Ky konfrontim, ka ndodhur në qendër të fshatit Shënmri të Kukësit, pas urdhrit të policëve për ndalimin e tij. Kjo pasi vetëm pak metra nga vendi i shërbimit të dy policëve, i pandehuri kishte dëmtuar një lokal duke thyer xhamat dhe tavolinat e tij.
Gjatë tentimit të ndalimit të tij për të sqaruar denoncimin e pronares së lokalit me inicialet L.B., i pandehuri Hasani përveç kundërshtimit, ka qëlluar me grushta policët Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila dhe më pas është larguar",-thuhet nga burime të Prokurorisë.
Pas këtij konfikti fizik, Hasani është larguar pa u prangosur, ndërsa janë shoqëruar në Komisariat dy shokët e tij me të cilët po udhëtonte me makinën e tipit "Benz" drejt fshatit të të pandehurit, Petkaj të Kukësit.
Në Komisariat dy efektivët e policisë Dobrushi e Hila, kanë kallëzuar të pandehurin Hasani për akuzën e "kundërshtimit të punonjësve të policisë së rendit publik" dhe "Goditjes për shkak të detyrës", ndërsa dy shokët e Hasanit, janë lënë të lirë. Pas kësaj Afrim Hasani, ka marrë dijeni për kallëzimin ndaj tij, blutë e Kukësit, kanë zbarkuar të nesërmen në shtëpinë e tij për kontroll banese dhe shoqërimin e të pandehurit.
Por ai nuk ndodhej në shtëpi, për t'iu shmangur arrestimit. Pas kontrollit, mësohet se i pandehuri me anë të njohurve të tij, iu ka kërkuar policëve të vrarë të tërheqin kallëzimin dhe të mbyllnin konfliktin, ndërsa policët nuk kanë pranaur të tërheqin kallëzimin.
"Mesditën e 24 marsit vetëm pak orë para vrasjes së dy policëve, i pandehuri Hasani ka qëlluar në drejtim të makinës së shokut të tij dhe më pas në mbrëmje ka hyrë në lokalin ku dy efektivët e policisë po prisnin të merrnin shërbimin, ku janë qëlluar me breshëri automatiku duke gjetur vdekjen e menjëhershme, Hila me një plumb në kokë dhe Dobrushi me pesë plumba, një në kokë dhe katër në trup,"- thanë burimet e prokurorisë.
Sipas tyre, i pandehuri ka tentuar të arratiset para vrasjes së dy policëve, por mungesa e mjeteve materiale ka bërë që ai të qëndrojë në fshatin e tij, duke kryer më pas edhe krimin.
Pas vrasjes, sipas akuzës, i pandehuri i ka kërkuar të holla një shokut të tij në Finlandë për tu larguar, por në pamundësi të tërheqjes së parave që do t'i niste ai, kishte menduar vetëvrasjen. Pas ndërmjetësimit të motrës dhe të vjehrrit të tij, Afrim Hasani ka pranuar të dorëzohet.
Sipas prokurorisë, akt-ekspertimi balistik dhe teknikë i armës së sekuestruar në momentin e arrestimit ka treguar se me armën "Kallashnikov" është kryer vrasja e policëve dhe goditja ndaj makinës së shokut të tij.
Në përfundim të hetimeve, i pandehuri do të përgjigjet edhe për "shkatërrimin e pronës" së lokalit të shtetases me inicialet L.B. të cilës ia ka thyer disa xhama dhe karrige e tavolina i arrestuari.