E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr në qeli, plagoset i dënuari për vrasje


FUSHË - KRUJË - Sherr brenda në qelinë e burgut mes pesë të dënuarve, ndërsa i përfshirë në të edhe polici i shërbimit, i cili ka tentuar që t'i ndajë.


Ngjarja ka ndodhur në burgun e sigurisë së lartë të Fushë-Krujës, ndërsa në infermieri ka përfunduar viktima e këtij sherri e pikërisht i burgosuri Sokol Jaku, i dënuar për vrasje. Mësohet se disa të dënuar janë zënë me njëri-tjetrin dhe shkak ka qenë një bombolë gazi.


Si rrjedhojë, Genti Shala e Gjergji Shkoza të dënuar për vjedhje, bashkë me dy të burgosur të tjerë kanë qëlluar të dënuarin Jaku. Polici i shërbimit ka ndërhyrë për të shuar gjakrat, por ka përfunduar i tërhequr zvarrë nga të përfshirët në grindje.

Pasojë e saj ka qenë që i dënuari Sokol Jaku ka përfunduar në infermierinë e spitalit të burgut me dy të çara në kokë. Disa ditë më parë, një tjetër grindje mes të dënuarve ndodhi në burgun e Fushë-Krujës.

---------------------------------------------------------------------------------------------

Vidhet për herë të tretë Xhamia Mbret


ELBASAN- Është vënë për herë të tretë në shënjestër të vjedhësve Zhamia Mbret, e ndodhur në zemër të lagjes "Kala" të qytetit të Elbasanit. Megjithëse shuma e marrë nga arka e dhurimeve nga besimtarët ka qenë e vogël, veprimi ka shqetësuar sërish drejtuesit e xhamisë dhe komunitetin mysliman në Elbasan.

Ky objekt këtë herë është vjedhur nga dera të cilën hajdutët e kanë hapur me forcë dhe më pas kanë dëmtuar arkën ku grumbulloheshin paratë e besimtarëve. Vjedhja mësohet se është bërë gjatë natës dhe nuk ka asnjë dëshmi për autorët.

Drejtuesit e xhamisë thonë se ata vetë nuk kanë më mundësi ta mbrojnë këtë objekt. Ata deklarojnë se vjedhja thyen edhe imazhin që kanë objektet e kultit dhe vlerën reale që kanë paratë e dhuruara.

Vetë ata bëjnë thirrje për të hequr dorë nga këto vese të këqija të cilat dëmtojnë jo vetëm xhaminë dhe atë çfarë përfaqëson ajo, por edhe vetë qytetin e Elbasanit. Xhamia Mbret është vjedhur tre herë, dy herë vetëm brenda këtij viti.

Mësohet se u mendua vendosja e një rojeje, por për shkak të pamundësisë për ta paguar, kjo nuk u realizua. Kjo xhami veç vlerës shpirtërore për besimtarët ka edhe një vlerë historike, pasi është xhamia e vetme ende në këmbë pas fortunës kundër fesë në komunizëm.

Ajo ka vetëm minarenë të dëmtuar nga tërmeti, ndërsa pjesa tjetër është e padëmtuar dhe është shpallur monument kulture. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

----------------------------------------------------------------------------------------------


Qëlluan me fishekë, nis hetimi për adoleshentët


VLORË - Prokuroria e Vlorës ka nisur një hetim ndaj dy adoleshentëve 15-vjeçarë, pasi kanë qëlluar me armë kallashnikov në oborrin e shkollës 9-vjeçare "4 Heronjtë". Teksa janë dëgjuar të shtënat, uniformat blu të mbërritura në vendngjarje kanë zbuluar se "autorë" ishin pikërisht dy 15-vjeçarë.


Ata i kanë deklaruar policisë se armën dhe fishekët i kishin gjetur dhe për disa ditë i kanë mbajtur duke i përdorur si lodra. Shkrepja e tyre në oborrin e shkollës ka çuar dhe në zbulimin nga blutë. Burime të policisë bëjnë të ditur se dy 15-vjeçarët do të hetohen në gjendje të lirë derisa të bëhet e ditur edhe nga janë siguruar armët në oborrin e shkollës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›