Humbi foshnjën në Gërdec, kërkon 10 mln lekë dëmshpërblim
PADIA
Një grua dhe bashkëshorti i saj, kanë depozituar një padi në Gjykatën e Tiranës, ndaj MEICO-s, SAC dhe Ministrisë së Mbrojtjes
Anisa Sogani ka qenë shtatzënë ndërsa nga shpërthimi ka pësuar dëmtime në trup duke humbur fëmijën
TIRANË- Shpërthimi i punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec, përveç vrasjes së 26 personave dhe plagosjen e më shumë se 300 të tjerëve, ka shkaktuar edhe dëme të rënda fizike në banorët për rreth këtij ish-reparti të tankeve.
Një nga familjet që ka pësuar dëmtime si pasojë e këtij shpërthimi është edhe çifti Adriatik e Anisa Sogani. Si fryt i martesës së tyre prisnin që për pak muaj të lindte fëmija i tyre i parë, ndërsa 20- vjeçarja Sogani ishte ende shtatzënë.
Shpërthimi i barutit dhe një sasie të madhe municionesh të lehta e të rënda mesditën e 15 marsit 2008 në ish-repartin e tankeve, fare pranë shtëpisë së tyre,i solli dëmtime të rënda fizike gruas 20- vjeçare Anisa Sogani dhe vdekjen e foshnjes.
Humbja e bebit që po rritej dhe thyerja e kockave të legenit ditën e shpërthimit, ka bërë që gjendja e saj të cilësohej e rëndë dhe me ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë ajo është transportuar për në Spitalin Ortopedik të Barit në Itali, ku është mjekuar për disa muaj.
Çifti Sogani, pas përmirësimit të lehtë të gjendjes shëndetësore të 20 vjeçares Anisa dhe pas dërgimit në gjyq të 29 të pandehurve për këtë tragjedi, ka vendosur të kërkojë dëmshpërblimin për dëmet pasurore dhe jo pasurore pranë togave të zeza me shumën 10 milionë lekë të reja.
Vetëm pak ditë më parë, çifti Sogani i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë, më një kërkesë padi kundër Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjes shtetërore MEICO dhe kompanisë amerikane të demontimit të municioneve SAC (Southern Ammunition company INC) si përgjegjës për dëmtimet e shkaktuara familjes së tyre.
Mësohet se kërkesë- padia e çiftit Sogani, ka si objekt "shpërblimin dhe kompensimin e dëmeve pasurore dhe jo pasurore të shkaktuar familjes Sogani, si pasojë e dëmtimit të shëndetit të paditëses Anisa Sogani dhe humbjen e fëmijës prej saj nga ngjarja e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në fshatin Gërdec me datën 15 mars 2008 në shumën 10 milionë lekë të reja".
Kjo shumë parash, sipas kërkesë së padisë, duhet të paguhet në përpjesëtim të drejtë nga Ministria e Mbrojtjes, ndërmarrja MEICO dhe kompania amerikane SAC-i, të cilët po kryenin demontimin e municioneve të rënda dhe të lehta në këtë punishte në fshatin Gërdec.
Sipas kërkesë padisë, 20- vjeçarja Anisa Sogani ditën e shpërthimit nga vala shtytëse është hedhur disa metra larg nga vendi ku qëndronte, duke thyer kockat e legenit dhe më pas, si pasojë e këtij dëmtimi ka humbur edhe foshnjën disa muajsh që po rritej në barkun e saj.
Mësohet se menjëherë pas shpërthimit, Anisa Sogani bashkë me tre persona të tjerë është dërguar menjëherë për në Itali, ku pas mjekimeve janë kthyer në Shqipëri.
Por, me kthimin e tyre në vend, ata kanë hasur vështirësi për t'u kthyer për kontrollet në Spitalin e Barit, pasi Ambasada Italiane në Tiranë nuk i kishte pajisur me viza.
Kjo mos pajisje, i ka bërë që të tre këta të dëmtuar t'i drejtohen për ndihmë Avokatit të Popullit, i cili me rekomandimin e tij ka bërë që Ministria e Jashtme t'i pajisë me viza për të vazhduar kontrollet e nevojshme.
Burime të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, theksuan se pas depozitimit të kësaj kërkesë padie, dosja përkatëse që mban numrin 7599 është hedhur në short elektronik dhe çështja pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Altin Shkurti.
----------------------------------------------------------------------------
Dy javë më parë, prokuroria dorëzoi dosjen e Gërdecit
Me dorëzimin e dosjes penale me 29 të pandehur pranë Gjykatës së Lartë nga grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme që hetoi për 12 muaj tragjedinë e Gërdecit, pranë kësaj gjykate janë depozituar edhe 18 padi civile nga familjarët e viktimave dhe një padi civile nga Avokatura e Shtetit.
Të gjitha këto padi, kanë si objekt dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i rreth 400 tonëve barut dhe një sasi e konsiderueshme municionesh të rënda e të lehta, në ish-repartin e tankeve të transformuar në një punishte demontimi. Si pasojë e këtij shpërthimi, sipas prokurorisë, kanë humbur jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë janë plagosur si dhe është shkaktuar një dëm material banesave për rreth kësaj punishte me një vlerë rreth 16 milionë euro.