E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimet Alternative, përcaktohen kriteret e përzgjedhjes

TIRANË - Nga dënimet alternative që do të aplikohen gjatë muajt prill pritet të përfitojnë rreth 350 të dënuar.

Kjo shifër përbën kontingjentin e parë të të dënuarve që do të kenë mundësinë që të përzgjidhen për të kryer një dënim alternativ dhe jo burg në qeli.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pas ngritjes së Shërbimit të Provës të dënuarit do të aplikojnë vetë duke bërë një kërkesë që të jenë përfitues të masave alternative të përcaktuara me ligj.

Administrata e burgjeve do të vë në dispozicion të Shërbimit të Provës informacionin që kërkohet për të dënuarit. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Gazmend Dibra, ligji përcakton në mënyrë të qartë të dënuarit që janë më të privilegjuar për të përfituar nga masat alternative.

"Të moshuarit me probleme shëndetësore, të rinjtë që për disa arsye duhet të arsimohen si dhe të burgosurit që janë kryefamiljarë, që kanë marrë një dënim nën 2 vjet do të kenë mundësinë që të aplikojnë për të përfituar nga dënimet alternative".

Kështu përzgjedhja e të dënuarve do të kryhet në bazë të disa kritereve të veçanta që janë përcaktuar në rregulloren e institucionit që do të mbikëqyre dënimet alternative.

Lloj i veprës penale që ka kryer një i dënuar si dhe dënimi që ka marrë do të jenë kriteret kryesore që do të përcaktojnë nëse i dënuari që ka bërë kërkesë do të përfitojë nga dënimi alternativ apo jo.

Pra kjo nënkupton veprat jo të rënda penale si dhe dënimin e shkurtër që ka marrë një i dënuar, në rastin konkret nëse është dënuar nga nën 2 vjet.

Arsimimi do të jetë një tjetër kriter që do të merret parasysh nga administrata e Shërbimit të Provës. Në rastin e të dënuarve minorenë që dëshirojnë të ndjekin shkollën apo dhe në rastin e atyre personave që kanë një arsim të mesëm apo të lartë do të ketë më shumë hapësira që kjo kategori të dënuarish të përfitojnë nga dënimet alternative.

Në listën e kritereve janë përcaktuar dhe detyrimet familjarë që kanë të dënuarit. Kështu nga dënimet alternative do të përfitojnë edhe ata të dënuar që janë kryefamiljarë dhe duhet të kujdesen për gjendjen ekonomike të familjes.

Gjithashtu nga ky kriter pritet të përfitojnë dhe gratë që kanë fëmijë të vegjël. Edhe aftësitë profesionale që ka një i dënuar duke u nisur nga puna që ka bërë para burgut dhe gjatë qëndrimit në burg, do të kenë një rol në marrjen e vendimit për të përzgjedhur të dënuarit.

Kjo kategori të përzgjedhurish do të ketë mundësi të punësohet dhe në OJF të ndryshme apo biznese, në bazë të marrëveshjeve që do të nënshkruajë Ministria e Drejtësisë me këto organizata.

Edhe gjendja shëndetësore do të merret parasysh, kur konstatohet se një i dënuar që plotëson dhe kushtet e tjera, duhet që të të vazhdojë mjekim në qendër spitalore. Shërbimi i Provës iu është prezantuar tashmë të dënuarve dhe personat që vuajnë dënimin duhet të bëjnë vetë kërkesë që të përfitojnë nga dënimet alternative.

Llojet e masave alternative të përcaktuara me ligj janë: gjysëmliria, vënia në provë, qëndrimi në shtëpi si dhe puna e detyruar. Mbikëqyrja e dënimeve alternative do të jetë detyrë e Shërbimit të Provës, organ ky që është ngritur rishtas dhe që është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Kriteret mbi të cilat do të përzgjidhen të burgosurit që do të kryejnë dënimet alternative.
1- Figura e veprës penale(lloj i krimit që ka kryer i dënuari si dhe dënimi si dhe sa dënim ka marrë)
2- Rrezikshmëria e veprës penale( Sa rrezik paraqet në shoqëri vepra penale që ka kryer i dënuari)
3- Arsimimi( Të dënuarit që duan të ndjekin një shkollë)
4- Aftësitë profesionale
5- Gjendja Shëndetësore (Kur i dënuari ka nevojë të trajtohet në një spital)
6- Puna e zakonshme e të dënuarit
7- Detyrimet familjare(Kryefamiljarët dhe gratë me fëmijë)
8- Kushte të tjera

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›