Ishte me sida, dëbohet nga Çekia dentisti shqiptar
DËBIMI/ Policia çeke pretendoi se dëbimi i shqiptarit 25-vjeçar kishte të bënte me faktin se i kishte skaduar viza
Përfaqësues të shoqatave të doktorëve thanë se dentistit shqiptar i lejohej të ushtronte profesionin e tij
PRAGË - Policia çeke për të huajt ka vendosur të dëbojë për gjashtë muaj nga Republika Çeke një dentist shqiptar, pasi ky i fundit rezulton të jetë i infektuar nga virusi HIV. Vendimi është marrë pas zbulimit se shqiptari 25-vjeçar punonte në një klinikë dentare në kryeqytetin e vendit.
Dentisti pritet që të largohet nga shteti çek Brenda datës 24 prill, vendim që u mor menjëherë pasi u zbulua vendndodhja dhe sëmundja e tij. Nga ana tjetër, burimet zyrtare të policisë çeke shprehen se shkak për dëbimin është skadimi i vizës që në muajin nëntor të dentistit shqiptar.
Zëdhënësja e policisë çeke, Katerina Rendlova, u shpreh se është vendosur "dëbimi i një dentisti shqiptar i cili rezulton të jetë sieropozitiv dhe ka punuar në një qendër mjekësore në Pragë, për shkak se ka qëndruar mbi gjashtë muaj ilegalisht në këtë shtet". Sipas saj, dentisti u ndalua në klinikën e tij më 20 mars.
Pas një kontrolli të mëtejshëm, u raportua se burri ishte i infektuar me virusin HIV, dhe megjithatë ai kryente të gjitha funksionet e një dentisti profesionist.
"Fakti i të qenit i infektuar me virusin HIV nuk e pengon automatikisht një person që të punojë si doktor",- u shprehën përfaqësues të dentistëve çekë dhe të shoqatave të doktorëve, ndërkohë që policia vazhdon të hetojë nëse ka raste kur ai nuk ka zbatuar ligjin, duke vënë në rrezik jetën e të tjerëve.
"Dentisti shqiptar sieropozitiv mund ta ushtrojë projesionin e tij nëse ai zbaton të gjitha kushtet e nevojshme të mbrojtjes dhe inspektorët e shëndetit zbuluan se ai nuk kishte bërë asnjë gabim në këtë drejtim",- u shpreh për mediat Zdenka Jagrova, përfaqësuese e Inspektoriatit Shëndetësor të Pragës. Në asnjë prej dhomave ku punonte doktori shqiptar nuk u gjet asgjë e parregullt.
"Është zbuluar se ai nuk ka neglizhuar në asgjë. Ka përdorur të gjitha mjetet mbrojtëse në punë, siç janë dorashkat", u shpreh Jagrova. Ajo tha se shqiptarit nuk i ishte ndaluar që të punonte si dentist.
"Atij i janë ndaluar disa aktivitete, duke përfshirë edhe kontaktin seksual, gjatë të cilit shëndeti i njerëzve të tjerë do të vihej në rrezik. Por atij nuk i është ndaluar të punojë në zyrën e një dentisti",- tha Jagrova.
Pas hetimeve policia zbuloi se dentisti shqiptar po qëndronte në Republikën Çeke ilegalisht, pasi viza e tij kishte skaduar në nëntor. Ndërkaq, policia çeke për të huajt u shpreh se ai ishte urdhëruar nga autoritetet shëndetësore që të mos e ushtronte profesionin e tij, pasi ishte sieropozitiv.
Zëdhënësja e policisë për të huajt, Jana Dudova, tha se "për më tepër, i huaji po qëndronte ilegalisht në Çeki, pasi viza e tij kishte skaduar". Sipas saj, në tetor, zyra shëndetësore në Pragë e kishte urdhëruar shqiptarin të mos ushtronte profesionin e tij për shkak se pas analizave të gjakut ai rezultoi të ishte me sidë.
Por Jiri Pekarek, ish-kreu i shoqatës së dentistëve çekë, u shpreh se të qenët me virusin HIV nuk ishte një arsye në vetvete që e pengonte një doktor të ushtronte profesionin e tij. "I huaji duhet të ketë thyer rregullat shëndetësore duke rrezikuar jetën e pacientëve të tij, - tha Pekarek.
- Çdo doktor duhet të mendojë sikur si ai ashtu edhe pacienti mund të jenë të infektuar, kështu që duhet të përdorë mjetet mbrojtëse, si dorashkat, maskën, si dhe vegla të tjera njëpërdorimëshe", çka deri më tani rezulton të jenë kryer me përpikmëri nga dentisti shqiptar.
Zëdhënësja e policisë ndërkohë tha se kanë filluar procedurat administrative për dëbimin e shqiptarit, 25 vjeç. Dudova u shpreh se policia për të huajt ka nisur procedurat për dëbimin e 21 të huajve.