E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rrëshqitja" sekuestron 100 kg marijuanë

OPERACIONI/ Tre vetë u vunë në pranga ndërsa trafikonin drogë nga Shqipëria për në Greqi

GJIROKASTËR- "Rrëshqitja" sekuestron 100 kilogramë marijuanë, një automatik, një pistoletë dhe vë pranga tri persona, që do të kryenin trafikimin e saj. Informacionet dhe përgjimet e telefonatave kanë sjellë dy goditje të njëpasnjëshme, të realizuara brenda 12 orësh në dy zona të ndryshme të rrethit të Gjirokastrës.

Po punohet për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këto trafiqe, ndërsa bëhet e ditur se në njërin prej rasteve droga ishte marrë në Lazarat.

Një postbllok i ngritur në aksin kombëtar Gjirokastër- Sarandë, në vendin e quajtur "Kthesa e fshatit Jorgucat", ka detyruar trafikantët të ndryshonin itinerarin e transportimit të lëndës narkotike.

23-vjeçari Izet Boçka, nga fshati Kopaçëz i rrethit të Delvinës, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes e ka marrë sasinë prej 50 kilogramësh të lëndës narkotike, të ndarë në dy çanta pranë varrezave të fshatit Grapsh, në aksin kombëtar Gjirokastër- Kakavijë dhe duke e transportuar në krahë ka tentuar të kalonte në këmbë nëpërmjet shpatit të malit të Muzinës.

Në ndjekje të tij janë vënë uniformat blu, të cilat kanë mundur ta kapin në flagrancë, së bashku me marijuanën dhe dy armë të vendosur nëpër çanta, një automatik tip kallashnikov dhe një pistoletë TT.

Pas marrjes në pyetje të tij, pak kohë më pas u arrestua edhe personi i dytë, Fatmir Jashari, i njohur me pseudonimin "Drumba", i dënuar më parë në Greqi, i cili do të bënte transportin e drogës nga Qafa e Muzinës drejt qytetit të Sarandës.

Në momentin e arrestimit, 37-vjeçari ndodhej në pikën e takimit, duke pritur lëndën narkotike. 10 orë pas aksionit të parë, po nga ana e Specialistëve të Seksionit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim edhe me Policinë Kufitare është realizuar goditja e dytë në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës. Kanë qenë informacionet e marra në rrugë operative ato që flisnin për trafikun e një sasie droge nga qyteti i Ferit drejt Greqisë.

Rreth orës 10:30, në këtë vendkalim kufitar është paraqitur automjeti maune tip MAN, me targa FR 79 34 C, që drejtohej nga shtetasi Eduart Kane, 44 vjeç nga Fieri, për të kryer procedurat doganore. Maunia ka qenë e ngarkuar me gurë dekorative dhe nuk ishte hera e parë që kryente linjën Fier-Athinë. Një kontroll i imtësishëm ka bërë që të zbulohet lënda narkotike, gjithsej 50 kg marijuanë, e fshehur në kabinën e shoferit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›