E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhunoi të miturin, arrestohet 17-vjeçari

Një i mitur ka rënë pre e dhunës seksuale të një 17-vjeçari, bashkëfshatar i tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Zagradec, në zonën e Devollit. Autori është 17-vjeçari A.Bardhi, i cili pasi ka mashtruar një fëmijë 8 vjeç e ka tërhequr drejt një shkurreje për të kryer marrëdhënie seksuale me forcë. Policia raporton se ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës së të mërkurës, kur në mungesë të lëvizjes së njerëzve, 17-vjeçari e ka shkëputur fëmijën, duke i premtuar se jo vetëm do ta shoqëronte në shtëpinë e vet, por rrugës do të ndalonin për të ngrënë ëmbëlsira. Prindërit e 8-vjeçarit e kanë denoncuar këtë rast, pasi fëmija e tyre i traumatizuar është kthyer në shtëpi me dëmtime dhe shenja dhune. I mituri u ka treguar prindërve se çfarë kishte ndodhur dhe ka përmendur emrin e bashkëfshatarit të vet. Burimet e policisë bëjnë të ditur se 17-vjeçari A.Bardhi akuzohet nga prindërit e fëmijës me inicialet S.H. për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur. Ka qenë vetë fëmija që ka identifikuar bashkëfshatarin i cili, pasi e ka mashtruar se do t‘i jepte çokollata, e ka marrë atë për ta përdhunuar. 17-vjeçari është arrestuar nga policia e Devollit pak kohë pas ngjarjes së rëndë, ndërsa fëmija është çuar për mjekim nga ana e prindërve në spitalin e Bilishtit.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›