Kapet me pistoletë, po ngacmonte gjimnazistet
E ndërsa djemtë u afrohen gjimnazeve me makina luksoze, një adoleshent ka zgjedhur armën si mjet për të tërhequr vëmendjen. Jak Ndoji, 18 vjeç, bënte xhiro dje në mes të Lezhës pranë gjimnazit "Hydajet Lezha", ndërsa në brez mbante një pistoletë. Policia e njihte 18-vjeçarin, për të cilin jo pak herë janë ankuar në polici familjarët e tij që ai i dhunonte. Por dje, policia me t‘u sinjalizuar për armatosjen e adoleshentit është vënë menjëherë në lëvizje duke kryer kapjen e tij. Ndoji u arrestua për armëmbajtje pa leje, pasi me vete iu gjet pistoleta. Për Policinë e Lezhës, 18-vjeçari cilësohej si një nga personat më të rrezikshëm që dilte lirshëm në rrugë, pasi kishte përfituar nga mosha e tij e mitur, duke sfiduar kështu policinë që e kishte shoqëruar disa herë më parë. "Jak Ndoji është i dyshuar për një sërë vjedhjesh të ndodhura në Qarkun e Lezhës. Ka qenë arrestuar më parë për vepra të ndryshme penale si ajo e vjedhjes me armë dhe armëmbajtjes pa leje, por për arsye të moshës së mitur ka përfituar ulje dënimi. Familja e tij ka kërkuar disa herë urdhër mbrojtje nga gjykata ndaj djalit të tyre, për shkak se në mënyrë sistematike ushtronte dhunë ndaj tyre", thanë burimet policore.